10 trendet mbizotëruese në sezonin e vjeshtës (FOTO)
Kalimi nga njëra stinë tek tjera përveçse ndryshimeve klimaterike shoqërohet edhe me ndryshimin e garderobës. Dhe bashkë me ardhjen e vjeshtës, stilistët botërorë kanë nxituar të sjellin koleksionet e tyre bashkë me sugjerimet respektive për këtë sezon. Por e veçanta në këtë sezon qëndron në faktin që ka një rikthim tendencash, kështu që mos u harxhoni me veshje të reja. Një pjesë e mirë tyre, mund të jetë në garderobën tuaj. Më poshtë ju sjellin 10 prej tendencave që stilistët sugjerojnë për këtë sezon. Zgjidhja ju takon juve.
1. Triko të leshta të trasha
Trikot e leshta të trasha me dekore të ndryshme, qoftë edhe të punuara me dorë do të jenë një nga tendencat e këtij sezoni. Sa më e gjerë trikoja, aq më bukur do të dukeni. Mund të kombinohen lehtësisht me gjithfarë xhinsesh. Nëse nuk egziston në garderobën tuaj, jeni në kohë për zgjedhjen.
2. Çizme të zeza të sheshta
Çizmet e zeza të sheshta tepër të shkurta janë një nga tendencat kryesore të këtij sezoni. Në fakt këto lloj çizmesh që deri diku të krijojnë edhe iluzionin e këpucës, ofrohen në një sërë diversitetesh dhe janë lehtësisht të kombinueshme.
3. Fundet e shkurtër shumëngjyrësh
Pasarelat ishin të mbushura me plot modele fundesh të shkurtër shumëngjyrësh. Edhe materialet e tyre ishin tepër të larmishme. Duke marrë parasysh larmishmërinë e modeleve dhe materialeve, edhe mundësitë e krijimit të kombinacioneve të ndryshme janë të pafundme.
4. Pantallonat e gjera në fund të këmbëve
Këtë sezon ky model pantallonash të cilat janë të ngushta në pjesën e sipërme dhe të gjera në fund të këmbëve, është rikthyer fuqishëm. Është një model i hershëm, por që tashmë rikthehet me detaje të reja. Mund ti vishni me një xhaketë ose pulovër. Në varësi të ngjyrës së pantallonave, zgjidhen edhe askesorët e tjerë.
5. Veshjet me copë të leshtë.
“Veshje me copa të leshta plot ngjyra kudo”, është një nga motot e kësaj vjeshte. Funde, këmisha, bluza, çanta dore, çizme dhe aksesorë të tjerë të gjitha të punuar me copëza të leshta, janë një nga tendencat që do të dominojnë këtë sezon dhe që zunë një vend të rëndësishëm në pasarela.
6. Xhaketa të gjata
Ju ndoshta nuk keni në garderobën tuaj posaçërisht këtë model xhakete, por me siguri diçka e ngjashme nuk mungon. Mund të luani me elementët shtesë, të shtoni apo hiqni një rrip, të shtoni kopsa apo ndonjë detaj që juve ju pëlqen. Gjithsesi do të dukeni bukur.
7. Getat dhe çorapet plot dizenjo
Në këtë sezon getat dhe çorapet e llojeve të ndryshme, do të jenë tepër të larmishme. Plot printime, dizenjo, ngjyra të gjalla do ti japin veshjeve tuaja edhe një tjetër dimension. Mos i anashkaloni.
8. Xhupat e fryrë
Jo vetëm xhaketat e gjata, por edhe xhupat e fryrë janë një prej tendencave të vjeshtës 2015. Ngjyrat janë të pafundme. E veçanta në këtë sezon qëndron në faktin se ato shoqërohen edhe me pantallona apo çizme të së njëjtës natyrë.
9. Vëthët e ekspozuar
Vëthët e mëdhenj e të ekspozuar janë një prej tendencave kryesore të kësaj vjeshte. Në vend që të vendosni dy palë vëth, këtë sezon mjaftohuni me një.
10. Xhup me kapuç
E në fund të kësaj liste me 10 tendencat kryesore, nuk kishte sesi të mungonin xhupat me kapuç. Janë një prej tendencave që nuk mungojnë asnjëherë dhe kohë pas kohe rikthehen fuqishëm, sikurse edhe në këtë sezon.
Përgatiti: Sidorela Lepri