11 të arrestuar në protestën e PD, reagon Policia e Shtetit
Policia e Shtetit ka sqaruar përmes një komunikate zyrtare, se 11 persona u arrestuan mbrëmjen e djeshme në protestën e PD ndërsa 15 të tjerë u proceduan penalisht.
Sipas policisë, gjatë tubimit, si pasojë e sulmit me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, u dëmtuan 5 punonjës policie.
Njoftimi i policisë
Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, më datë 17.04.2026, disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit K. Ç., 38 vjeç; B. T., 29 vjeç; H. Sh., 30 vjeç; M. T., 50 vjeç; I. D., 18 vjeç; S. B., 25 vjeç; B. N., 42 vjeç; G. T., 48 vjeç; E. Sh., 37 vjeç; S. B., 55 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: A. T., 20 vjeç; A. C., 51 vjeç; A. R., 25 vjeç; N. M., 30 vjeç; R. N., 25 vjeç; Nj. S., 25 vjeç; E. N., 27 vjeç; D. K., 30 vjeç; E. B., 39 vjeç; A. Z., 20 vjeç; A. P., 20 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 16 vjeç dhe 17 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për shtetasin A. K., për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
KOHA JONË SONDAZH

