1100 gjoba shpejtësie në një javë, Skënder Hita: Në një vit, 1 mijë patenta të hequra prej mbarimit të pikëve
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zbriti në terren për të inspektuar masat e policisë për sigurinë rrugore.
Ai bëri me dije se vetëm këtë javë, me mjetet inteligjente të Policisë, u vendosën 1.100 gjoba për shpejtësi, në disa raste me shoferë që kapën deri në 230 km/h.
Në 1 vit, tha Hita, janë më shumë se 1 mijë shoferë që u është hequr patenta prej mbarimit të pikëve.
“Përgjatë kësaj jave, mjetet inteligjente kanë vendosur 1.100 masa administrative për shkelje të tejkalimit të shpejtësisë, që variojnë deri në 230 km/h. Ndërkohë, gjatë një viti, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, janë 1.075 drejtues automjetesh, të cilëve iu është hequr leja e drejtimit, pasi iu kanë mbaruar pikët e lejes së drejtimit. Njëkohësisht, kemi edhe 1.060 raste të proceduara për mospasjen e lejeve të drejtimit. Këto janë me të vërtetë shifra alarmante dhe na bëjnë të kthejmë vëmendjen dhe fokusin kryesor te siguria rrugore”, tha Hita.
“Ju bëjmë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të mos përdorin telefonin celular, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike, të mos tejkalojnë normat e shpejtësisë, pasi shpejtësia vret. Një rregull i respektuar është një jetë e shpëtuar më shumë”, shtoi më tej Hita.
KOHA JONË SONDAZH

