114 ditë protestë, Vatnikaj: Kërkesat tona mbeten të pandryshuara, Rama dhe Berisha në burg

Sot në ditën e 114 të protestës përballë Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se lëvizja qytetare ka arritur të bashkojë qytetarë me bindje të ndryshme rreth shqetësimeve për korrupsionin, krimin e organizuar dhe funksionimin e institucioneve. “Shqiptarët janë bashkuar në këtë shesh përtej çdo ndasie. Bashkimi kundër korrupsionit dhe krimit është i vetmi që mund të bëjë ndryshimin në Shqipëri, për Shqipërinë që kanë ëndërruar gjyshërit tanë dhe që punojmë ne sot”, u shpreh Vatnikaj.

Ajo rikujtoi se protesta nisi pas dhunës së pretenduar ndaj një protestuesi në Zvërnec, ndërsa u distancua nga çdo formë dhune apo intimidimi. Sipas Vatnikajt, gjatë këtyre 114 ditëve protestuesit janë përballur edhe me etiketime dhe sulme politike. Ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk i është përgjigjur kërkesave të protestuesve dhe se i ka cilësuar ata si “agjentë të huaj”. “Në 114 ditë kërkesat tona jo vetëm që nuk janë plotësuar, por janë shtuar! Mjafton të shikosh si kryeministri, në vend që të dëgjonte kërkesat tona, filloi të na quante agjentë të huaj”, tha aktivistja.

Vatnikaj kritikoi gjithashtu gjendjen e shërbimeve publike, duke përmendur spitalet, shkollat dhe sistemin e administratës. Ajo pretendoi se sistemi i patronazhimit është përdorur për të relativizuar problemet me të cilat përballen qytetarët. “Ne kemi parë që ka qenë e njëjta fytyrë e pushtetit, ajo që fut dorën në xhepin e të varfërve për t’ia dhënë të pasurve, ajo që e lë spitalin pa serume e pa ilaçe, ajo që e lë shkollën pa mësues”, u shpreh ajo.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke folur për kërkesat e protestës, Vatnikaj tha se ato mbeten të pandryshuara. Mes tyre renditi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit qeveritar, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate gjatë gjithë karrierës së tij politike. “Në 114 ditë kërkesat tona fillestare mbeten të pandryshuara! Kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës dhe gjithë kabinetit qeveritar!”, tha Vatnikaj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në përmbyllje, aktivistja kritikoi atë që e cilësoi si dominim të politikës shqiptare nga dy figura dhe dy parti, duke përmendur konkretisht Edi Ramën dhe Sali Berishën. “Kur thoshim se këtë vend e kanë mbajtur dy fytyra, janë dy fytyra që kanë edhe emra: Sali Berisha dhe Edi Rama”, deklaroi ajo.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?