”19 aksidente në ditë gjatë gushtit”, Brataj: Temperaturat e larta rrisin fluksin në Urgjencën Kombëtare

Temperaturat e larta dhe shtimi i lëvizjeve gjatë sezonit turistik kanë sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit në Urgjencën Kombëtare gjatë muajit gusht. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, bëri të ditur se gjatë këtij muaji janë regjistruar deri në 18-19 aksidente rrugore në ditë, një shifër dukshëm më e lartë krahasuar me muajt e tjerë.
Sipas Bratajt, temperaturat e larta mbeten një ndër faktorët kryesorë të rritjes së rasteve shëndetësore. Në urgjenca paraqiten çdo ditë qindra qytetarë për shkak të problemeve të ndryshme, përfshirë virozat, pasojat e temperaturave dhe dëmtimet nga aksidentet. “Temperaturat e larta po na krijojnë mbingarkesë dhe kanë shtuar punën me urgjencat”, u shpreh Brataj, duke nënvizuar se situata është veçanërisht shqetësuese për shkak të numrit të aksidenteve.
Ai apeloi për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe tregoi se shumë prej aksidenteve mund të parandalohen përmes kujdesit dhe përgjegjshmërisë në rrugë. Duke iu referuar aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën tre të rinj, Brataj tha se viktimat kishin pësuar hemorragji të brendshme si pasojë e dëmtimeve të organeve.
Sipas tij, rritja e numrit të turistëve dhe automjeteve gjatë gushtit ka ndikuar edhe në shtimin e aksidenteve, ndërsa raste të rënda janë regjistruar edhe në Maminas dhe Ksamil. Brataj përsëriti apelin për kujdes maksimal, veçanërisht gjatë udhëtimeve dhe në zonat turistike, me qëllim shmangien e aksidenteve dhe pasojave tragjike.
KOHA JONË SONDAZH

