2017 dhe tatëpjeta e populizmit

Nga Dr. Jorgji KOTE/Në vijim të disa arritjeve të spikatura elektorale të grupimeve ekstremiste gjatë vitit 2016 padyshim që fitorja e BREXIT në Britani dhe e Trumpit në SHBA ishin tërmete të vërteta politike. Ato vunë seriozisht në pikpyetje dhe të ardhmen e disa vendeve të tjera me peshë dhe të vetë BE-së. Me përjashtim të vendosjes me forcën e armëve të diktaturave ushtarake në Greqi dhe Portugali në vitet 70, vështirë të ketë patur një gjallërim të tillë elektoral të ekstremit të djathtë pas Luftës së II Botërore në vende me emra tingëllues – Austri, Holandë, Francë, Gjermani, Itali dhe gjetkë.

Por, këmbanat e alarmit dhe kushtrimi që dhanë politika dhe opinioni i gjerë publik evropian duket se po i japin shumë shpejt efektet e tyre të ndjeshme. 2017 mund të quhet vit historic, sepse shënoi fillimin e Tatëpjetës politike të ekstremizmit në Evropë. Shkëndijën e dha Austria në fillim të vitit, e ndjekur nga Holanda që bëri të heshtë një nga partitë më të ashpra ekstremiste.

Por, padyshim kontributin më të madh dhe me efekte shkatëruese për populizmin e dha dy muajt e fundit Franca, këtë radhë me “ revolucionin e votave”; me një protagonist të shquar, liderin 39 vjeçar karizmatik Emmanuel Macron, presidenti më i ri i të gjithë kohrave në Francë. Me mesazhe, imazhe dhe lëvizje bindëse centristët sfiduan me mbështetje mbarëpopullore Frontin Nacional që ishte bërë një përbindësh elektoral me rezatim të gjerë ndërkombëtar. Në zgjedhjet e 11 Qershorit, Cunami Macronian i dha goditjen tjetër të madhe nacionalistëve francezë, duke i zhytur ata në vetëm 14 për qind e duke siguruar “ Republique en marche” qysh në raundin e pare një shumicë plebishitare të paparë.

Po atë ditë, populistët italianë të 5 “Yjeve” pësuan një disfatë të rëndë në zgjedhjet administrative.

Të tjera pasgoditje i presin ekstremistët evropianë në javët e ardhëshme, duke filluar nga vendi tjetër më i madh evropian, Gjermania. Në zgjedhjet e përgjithshme të datës 24 Shtator, ekstremistët e Aleancës për Gjermaninë e gjejnë vehten të tulatur nga disfatat e aleatëve të tyre dhe kanë rënë “ squkë” përballë sigurisë së CDU-së së Merkel. Kjo e fundit e ka pothuajse “ në xhep” fitoren e mandatit të katërt radhazi si Kancelare. Por, dhe nëse ndodh ndonjë çudi, ajo do ta ketë emrin Social-Demokrate, ndaj kurfarë shansi nuk ka për AfD-në gjermane dhe forca të tjera populiste. Kjo fitore do të ketë pas Francës një simbolikë të veçantë sepse bëhet fjalë për dy vendet më të mëdha, themeluese dhe garante të BE-së.

Populistët në panik do të vazhdojnë rrokullisjen e tyre e pse në mënyrë të pandalshme. Sepse ata vërtet kanë siç thuhet politikanë, por jo politika, jo alternativa. Sepse gjithë strategjia dhe marketing i tyre politik  mbështetet kryesisht në frikësimin e elektoratit me hallet e përditshme, papunësinë, frikën nga të huajt, azilin, terrorizmin, etj.  Por, dhe kur iu është besuar qeverisja lokale dhe ndonjë karrike parlamentare ata i kanë zhgënjyer keqazi njerëzit duke bërë të kundërtën e premtimeve. Ndaj dhe zgjedhësit italianë para disa ditësh  e ndëshkuan rëndë Lëvizjen “ 5 Yjet “ e Beppe Grillos; sepse Bashkia e Romës e fituar më parë prej tyre jo vetëm nuk tregoi aftësi qeverisëse, por prodhoi të këqia dhe më të mëdha me emra të frikshëm.

Gjithsesi, populistët nuk janë dorzuar përfundimisht dhe shpresojnë ende, natyrisht në dështimet e të tjerëve. Për fitoren përfundimtare ndaj tyre është tmerrësisht e domosdoshme që lidershipet ekzistuese e sidomos ato të reja  të realizojnë premtimet dhe alternativat e tyre, rritjen ekonomike, punësimin e të rinjve, sigurinë, krizën e azilit dhe fitoren e gjithanshme mbi terrorizmin ndërkombëtar. Vetëm kështu, populistët dhe ekstremistët nuk do të kenë kurfarë hapësire dhe do të dalin përfundimisht “ jashtë luftimit “ electoral.

 

SHKARKO APP