25 vjet përpjekje për Çamërinë
Nga Hyqmet Zane
Situata gjeostrategjike në Ballkan janë paralajmërimi se vëmendja e politikës dhe diplomacisë shqiptare duhet të jetë në drejtim edhe të trajtimit serioz dhe të përgjegjshëm të problemeve që lidhen me çështjen mbarëkombëtare shqiptare. Këtë dikton agresiviteti i fqinjëve tanë grekë dhe serbë, si dhe rrethanat që flasin për influencat ruse në Ballkan përballë liridashjes dhe vetëvendosjes amerikane për çështjen shqiptare. Në këto 100 vjetët e fundit, kemi dëgjuar momente të rëndësishme të situatave të vështira të shqiptarëve në tokën e tyre me flamurin e tyre, me gjuhën e tyre dhe që kanë përjetuar krime dhe copëtime, kanë parë me sytë e tyre genocide në Çamëri dhe në Kosovë e më tej në trojet etnike, po aq sa edhe kanë përjetuar zhgënjime nga politikat e pushteteve që kanë qeverisur dhe drejtuar këtë vend.
Rënia e diktaturës diktoi ekskluzivisht edhe krijimin e njerëz prej shoqatave atdhetare nga më të rëndësishmet dhe më të spikatura në rrafshin kombëtar siç është Shoqata Çamëria. Si dëshmitar okular dhe pjesëmarrës në mbledhjen e parë dhe të dytë të krijimit të kësaj Shoqate, më 10 dhe 17 Janar 1991, jo vetëm çamët po e po, por të gjithë që e morën vesh këtë eveniment, u gëzuan, shprehën mbështetje dhe u bënë pjesëmarrës në aktivitetet e ndryshme si një ndërgjegjësim për çështjen shqiptare të vetë pjesëtarëve të këtij kombi ku janë edhe çamët. Ishte e para shoqatë që u krijua pas krijimit të Partisë Demokratike dhe kjo spikati edhe momentin e zgjuar të iniciatorëve të saj dhe orientimin e drejtë në zgjidhjen e Çështjes Çame.
Diktimi nga rrethanat politike në vend dhe presionet nga prania e komunitetit grek që krijoi si antipod shoqatën “OMONIA”, ishte një përpjekje e mundimshme që i dhanë forcë e mençuri drejtuesve të Shoqatës “Çamëria” si Abaz Dokaja që të bënin më të mirën e mundshme në rrethana ndoshta edhe të pafavorshme për një komunitet që dilte nga diktatura si më i persekutuari shtetërisht dhe nga opinioni i mbrapshtë i pjesës legjitime të partisë në pushtet të diktatorit që kishte mbjellë urrejtjen dhe përçmimin në mënyrën më dinake dhe djallëzore, duke e shpënë dinjitetin e këtij komuniteti potent dhe të mirëbesuar nga opinioni i thjeshtë qytetar, në pragun e një aparteidi. Pikërisht kjo situatë e bëri krijimin e Shoqatës Çamëria një fuqi të dëshiruar të çamëve dhe të gjithë atyre që e shikonin atë me respektin e njohur të shqiptarëve që e duan shqiptarin në çdo kohë.
Kështu kaluan vitet një e pas një dhe kjo Shoqatë dinjitoze pati sulme dhe pengesa, ndërvarje dhe keqdashje nga pjesa shtetërore dhe ajo e lobit antishqiptar grek sa faktet tregojnë edhe sot e kësaj dite se, nëse një shtetas shqiptar sot që ka lindur në Çamëri, vetëm pse i shkruhet vendlindja, ai nuk lejohet të hyjë në Greqi, ndërkohë që u vendos edhe lëvizje e lirë në vendet europiane, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë protestë nga diplomacia apo drejtues qeverish në Shqipëri që të bëjë një tërheqje vëmendje për këto sjellje të grekëve ndaj shqiptarëve që për fatin e tyre kanë lindur në tokën mëmë Çamëri. E qëllimshme apo naivitet, bashkim me qëndrimet greke apo harresë e çastit, diktim grek në sjelljet shqiptare apo një lobing i fuqishëm grek në qeverisjen shqiptare?
Pikërisht, rrethanat e zhvillimeve politike dhe ato gjeostrategjike diktuan përfaqësimin politik të komunitetit çam në Parlamentin shqiptar duke qenë sot një PDIU si krahu politik i Çamërisë që hapur do të thotë “ne çamët duhet t’i marrim vetë në dorë fatet e zgjidhjes së çështjes çame me zë të fortë dhe me forcë përfaqësimi duke bërë që çdo deputet i Parlamentit të ndjehet shqiptar edhe për çështjen e Çamërisë”. Në këtë pikë përputhja e interesave të Shoqatës Çamëria me partinë e saj është një ecuri në një shkallë më të lartë përfaqësimi, nëse vërtet dhe seriozisht duam që misioni i krijimit të shoqatës Çamëria dhe kauza që pretendohet se ka PDIU, është fokusi më i duhur për të realizuar ëndrrën e të parëve për vatrat, shtëpitë, tokën dhe të gjitha të drejtat njerëzore të mohuara jo vetëm në këto 72 vjet, por në një shekull të tërë.
Është e vërtetë se është folur dhe protestuar, është shkruar dhe publikuar mediatikisht, po aq sa edhe janë krijuar platforma deri edhe tek hartimi i Rezolutës për Çamërinë, por duhet thënë se ajo që po i mungon të gjithë këtyre sensibiliteteve është harmonizimi i mendimeve dhe i veprimeve në terren, atje ku ndodhet komuniteti çam dhe përfaqësimit të tij politik në parlamentin shqiptar. Nuk paragjykoj se mund të jetë me dashje, por mund të them se është një model i mosmbështetjes qeveritare për një çështje tipike shqiptare.
Krijimi i shoqatës Çamëria dhe vazhdimësia e saj deri më sot, jo thjesht si një formacion interesash, por si një mision për një qëllim të madh, na bën të besojmë se çamët janë gjallë dhe dinë të bëjnë vepra duke pasur gjithnjë si mbështetje edhe partinë, por ajo që duhet të jetë vendimtare është dëshira shtetërore për të vënë pikat mbi i dhe për të zbatuar ato kërkesa të asaj Rezolute që u hartua në mes debatesh, pranimesh dhe mospranimesh, fshehjesh të saj dhe daljes në dritë si qëllim në vetvete.
Ata që ishin burra dhe gra të Çamërisë, të ardhur mes plumbave dhe vrasjeve, të ardhur xathur dhe pa ngrënë, të ndjekur nga mizoritë e andartëve grekë dhe që ishin dëshmitarë okularë të krimeve të bëra nga shteti shovinist grek, po ikin një dhe nga një. Ata po ndërrojnë jetë dhe shumë pak prej tyre kanë mbetur. Pikërisht ne, bijtë e tyre kemi misionin më fisnik të çuarjes në vend të amanetit që toka pa njerëz e Çamërisë, toka që i lindi, i rriti, i edukoi me dashurinë për emrin shqiptar, të mos mbetet thjesht një tokë e premtuar hipotetikisht, por të bëhet toka me njerëzit e saj që edhe ata, viktimat që ende rënkojnë të ndjejnë se ka një Zot që vë drejtësi.
Unë besoj dhe shpresoj se misioni dhe kauza jonë përmes Shoqatës Çamëria dhe Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet do të jetë një zë i fuqishëm, nëse vërtet e mbajmë veten për çamë të lindur nga ata që na lanë amanet vatanin tonë. Një shprehje e urtë popullore thotë se “Asnjëherë në botë urrejtja s’ndalet përmes urrejtjes, urrejtja ndalet përmes dashurisë”. Në çamët e kemi në genin tonë këtë cilësi, e manifestuam edhe kur erdhëm në Shqipëri, nuk urrejmë edhe pse na kanë përçmuar, sepse ne i përkasim tokës së bekuar me ullinj e agrume, me shenjtëri dhe dashuri njerëzore.