3-0 që Erion Veliaj të rrijë në qeli, ja çfarë deklaronte Gjykata e Lartë një vit më parë për paraburgimet
Tre gjyqtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, këtë të martë vendosën unanimisht të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt. Vendimi është marrë me rezultatin 3-0, duke rrëzuar kështu kërkesën për ndryshimin apo shfuqizimin e vendimeve të mëparshme të gjykatave.
Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë ka mbështetur edhe vlerësimin e Apelit mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë. Apeli kishte argumentuar se masa ishte në përputhje me rrezikshmërinë që paraqesin veprat penale për të cilat Veliaj dyshohet. Sipas vendimit të Apelit, në vlerësimin e masës së sigurisë janë marrë në konsideratë disa rrethana, mes tyre dyshimet për kryerjen e veprave penale në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur, vlera e konsiderueshme e produktit të dyshuar të pastruar dhe rrezikshmëria që lidhet me natyrën e akuzave.
Gjykata kishte marrë gjithashtu në konsideratë statusin e Veliajt si funksionar publik, si dhe sjelljen e tij pas vendosjes së masës së sigurimit. Një tjetër element i rëndësishëm në arsyetimin e Apelit ishte vlerësimi se në rastin konkret ekzistonin të tria kushtet e parashikuara nga neni 228, pika 3, i Kodit të Procedurës Penale. Bëhet fjalë për rrezikun e dëmtimit ose ndikimit mbi provat, rrezikun e largimit dhe rrezikun e përsëritjes së veprave penale të të njëjtit lloj.
Pikërisht ky arsyetim i Gjykatës së Apelit për proporcionalitetin e masës ka qenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, e cila vendosi unanimisht, tre vota pro dhe asnjë kundër, të lërë në fuqi vendimin e Apelit. Në këtë mënyrë, vendimi i Gjykatës së Lartë konfirmon masën e sigurisë të vendosur ndaj Erion Veliajt, duke mos pranuar kërkesën për shfuqizimin e vendimeve të mëparshme gjyqësore.
KOHA JONË SONDAZH

