Tre bashki në vend pa kryetarë të votuar nga populli, kur do të mbahen zgjedhjet?
Tre bashki në vend, si ajo në Mat, Tepelenë e Berat janë pa kryetarë të votuar nga populli, sepse ata dhanë dorëheqjet për t’u bërë deputet. Më 12 mars qeveria njoftoi KQZ-në se Agron Malaj, Tërmet Peçi dhe Ervin Demo ishin larguar. Që nga ajo kohë, bashkitë drejtohen nga një nënkryetar i përzgjedhur përkohësisht nga Këshilli Bashkiak përkatës.
Por pse nuk po mbahen zgjedhje në këto 3 bashki? Ligji parashikon se data e zgjedhjeve të parakohshme, apo të pjesshme caktohet nga Presidenti i Republikës, vetëm pasi ky i fundit, të ketë marrë njoftim zyrtar nga qeveria për vakancat.
Begaj nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Edi Rama se Mati, Tepelena e Berati janë pa kryetar. Ligji nuk i ka vendosur një afat qeverisë, se për sa ditë nga krijimi i vakancës duhet të njoftojë Kreun e Shtetit. Qeveria e pyetur nga Report Tv se pse nuk e ka njoftuar Presidentin, dhe kur ka ndërmend ta bëjë këtë, nuk dha një koment.
Kryeministria është shumë afër këtij momenti, tashmë që KQZ mbaroi punë me 11 Majin dhe deputetët e rinj po shkojnë drejt betimit. Ditën që kryeministri Edi Rama njofton kreun e shtetit Begaj, ky i fundit brenda 48 orësh, cakton datën e zgjedhjeve, e cila nuk duhet të jetë më herët se 30 ditë, dhe jo më larg se 45 ditë.
KOHA JONË SONDAZH

