31 mijë shqiptarë, me biznese private në Itali

 

Në 12 ndërmarrje italiane, njëra prej tyredrejtohet nga një i huaj. Kështu citon Raporti ifundit mbi Imigracionin dhe Sipërmarrjen, i realizuar nga qendra studimore IDOS, sipas të cilit, janë 524.674 sipërmarrjet e administruara nga persona që kanë lindur jashtë Italisë.

Sakaq, sipas raportit në fjalë, ndërmarrjet individuale  të shqiptarëve në fund të vitit 2014 kanë qenë saktësisht 31.016 të tilla.

Dhe duke detajuar shpërndarjen krahinore të këtyre bizneseve, thuhet se krahina që ka më shumë sipërmarrës shqiptarë është Lombardia (5.910 ose 19,1% e të gjitha ndërmarrjeve të shqiptarëve). Në vend të dytë renditet Toskana (5.460, 17,6%), në vend të tretë Emilia Romagna, (4.604, 14,8%) e më pas Piemonte (3.451, 11,1%), Liguria (2.962, 9,5%), Veneto (2.094, 6,8%) dhe Lazio (1.209, 3,9%).

Nga ana tjetër, sektori ku janë më të pranishëm sipërmarrësit shqiptarë rezulton se është ndërtimi (75,8%). Pas tij vjen ai i shërbimeve (17,8%), ku futet tregtia, turizmi, hoteleria, etj. Bujqësia shënon një përqindje vërtet të ulët (1,9%).

Gjithashtu, sipas raportit, gratë shqiptare që kanë ndërmarrje janë rreth 9%,megjithëse përbëjnë thuajse gjysmën e komunitetit shqiptar në Itali.

Për sa u përket grupmoshave, të dhënat tregojnë se shqiptarët sipërmarrës janë të rinj, ose të rritur që nuk e kalojnë moshën 50 vjeçare.

Gjatë viteve të krizës (2008 – 2014) numri i tyre ka qenë në rritje, por gjithsesi ritmi i rritjes së tyre ka qenë më i ngadaltë se mesatarja e emigrantëve në përgjithësi.

 

SHKARKO APP