35 orë përballë flakëve, zjarri në Vajkal del jashtë kontrollit. Banorët: Nuk po marrim dot frymë

Prej rreth 35 orësh, flakët vijojnë të përhapen në zonën e Vajkalit, në Bulqizë, ndërsa situata në terren mbetet shqetësuese. Zjarri ende nuk është izoluar dhe vështirësitë e terrenit po pengojnë ndërhyrjen me mjetet zjarrfikëse. Në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve janë angazhuar punonjës të Bashkisë Bulqizë, Emergjencat Civile, Policia dhe shërbimet pyjore. Megjithatë, zonat e vështira për t’u aksesuar kanë kufizuar ndjeshëm mundësinë e ndërhyrjes nga toka.

Një helikopter ka ndërhyrë gjatë ditës së djeshme për disa orë, ndërsa sipas autoriteteve, zjarri ka krijuar vatra në disa pika. Dyshimet paraprake janë se flakët mund të jenë shkaktuar qëllimisht. Situatën e ka rënduar edhe tymi i dendur, i cili është përhapur deri në qytetin e Bulqizës. Banorët thonë se prezenca e madhe e tymit po u shkakton vështirësi në frymëmarrje.

Autoritetet e qarkut Dibër kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga ajri për të frenuar zjarrin, pasi përhapja e mëtejshme e flakëve mund të vërë në rrezik banesat në fshatin Vajkal. Temperaturat e larta, era dhe terreni i vështirë po favorizojnë përhapjen e zjarrit, ndërsa forcat në terren vijojnë betejën për izolimin e vatrave.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?