50 vjet: Lek i ri, Lek i vjetër
Nga Gjovalin Gjeloshi
Edhe pse u bë plot një gjysëm shekulli (1964-2014) qëkur ka ndryshuar vlera e lekut, për shqiptarët akoma 100-lekëshi është 1000 lek. Pse janë kaq të pandryshueshme tek ne disa mendësi që na mbajnë larg të tjerëve.
Basil Schader, një miku im i pas vitit 90-të që banon në pjesën “gjermanike” të Zvicrës, i mban akoma lidhjet me komunën e Balldrenit në Lezhë. Herë pas here, nëpërmjet klubit ku ai bënë pjesë (Klubi i Rotarianëve) grumbullon fonde në ndihmë të arsimit të kësaj komune. Kështu bëri edhe këto ditë. Kërkoi nga komuna preventiva për riparimin e disa shkollave dhe kur komuna e realizoi kërkesën e tij, miku më drejtohet mua me një pyetje: “Vlerat që më kanë ardhur, domosdo janë me lekë të vjetër, apo jo?…..”. Dhe vërtet vlerat e preventivave ishin shprehur me vlerën e lekut të para vitit 1964, se ndryshe “me frangat e tij të reja”, ai nuk mund të financonte as në një objekt, prej tre që ishin të planifikuara.
E solla këtë rast për lexuesin, vetëm për vlerën e freskisë së tij, por jo si rast “ekzotik”, që nuk e ndeshë përditë në çdo kënd të Shqipërisë: te çdo banorë, te çdo blerës, rrogëtar, pensionist e deri te institucionet zyrtare, organet e shtypit të shkruar, pamorë etj, etj. Ne në mënyrë të qëndrueshme, të palëvizshme për 50 vjet me radhë, vazhdojmë ta shprehim vlerën e parasë sonë kombëtare me vlerën ireale të saj. Të lindurit e vitit 1964 që kanë ardhur në jetë me lindjen e parasë së re (tashmë 50 vjeçarë), por pothuaj edhe dy breza të mëpastajmë, edhe fëmijët e klasës së parë, vazhdojnë ta quajnë vlerën e 50-lekëshit, 500 lek apo të 500 lekëshit, 5000 lek.
Në vitet e para mund të justifikohej, (por edhe atëhere vetëm në të shprehurit popullor), përdorimi i vlerës ireale të lekut, edhe për mënyrën se si u bë ndërrimi i kartmonedhës (thjeshtë duke i hequr një zero), kur n ë një mëngjes të bukur, prerja 1000 lek (prerja më e madhe) u gdhi 100 lek; 500 lek u bënë 50 lek e kështu me radhë ato kartmonedha që ekzistonin në tregun e bankës. Dhe është fakt që deri pas vitit 1990 kur njerëzit në Shqipëri diskutonin për paranë, as që bëhej fjalë të përdorej prapashtesa “lek i ri” apo “lek i vjetër”. Thjeshtë monedha 50 thuhej pesqind lek, apo 10 lekëshi, njëqind lek e kështu me radhë. Nuk i shikonte njeri kartëmonedhat se çfarë vlere kishin të shkruar sipër. Vlerat e tyre në çdo rast shpreheshin me sistemin e vjetër. Ky lexim i kartëmonedhës edhe mund të pranohej për përdoruesit (popullsinë), por kjo shkonte tek të gjitha institucionet zyrtare, deri te individë edhe institucionet financiare, të cilët shpreheshin me vlerat e lekut të para vitit 1964, kur ato ishin dhjetë herë më të ulta. Duhet thënë se këto të fundit ishin të detyruara që në manualet apo në përpilimin e kostove, çmimeve, pagave etj, llogaritë e shkruara të bëheshin me vlerën e lekut real, por edhe në këto ambiente, “ndryshe shkruhej e ndryshe lexohej”. Njëlloj si ai nxënësi i shkollës tetëvjeçare në një krahinë të Shqipërisë, që fjalën “gomari” të shkruar në dërrasën e zezë, e lexonte “magjari”, megjithë insistimin e mësueses së letërsisë që ta lexonte fjalën ashtu si e shkruante.
Mirë për 25 vjet me radhë në kohën e sundimit komunist, ku vlerat reale të lekut vërtet ishin qesharake dhe ne i dhjetëfishonim ato për të na u dukur më shumë, po pajtohemi me këto emërtesa të padrejta. Po tani në 25 vjetëshin e dytë pas vitit 1990, kur ne qarkullojmë e përdorim kartmonedha me vlerë që nuk i kishim fare në treg si: 200, 500, 1000, 2000 e deri te 5 mijë lek, si ka mundësi që vazhdojmë përsëri, të patundur me të njëjtin emërtim ireal? Kartmonedhat kanë lindur të reja dhe ne sapo i marrim në dorë ua dhjetëfishojmë vlerën, i kthejmë në “lek të vjetra”. Prap paga e një mësuesi tek ne është, fjala vjen 500 mijë lek kur ajo në fakt është vetëm 50 mijë, pensioni i një ish-kooperativisti është 90 mijë lek kur ai është vetëm 9 mijë etj.
Kishim rast ta ndryshonim traditën e emërtimit të parasë sonë në fillim të viteve 90-të, atëherë kur edhe filloi “pikiata” e zhvleftësimit të monedhës sonë. Atëherë kur realisht me 100 lekshin tonë (10 lek) nuk blenim më asgjë: as kilogramin e orizit apo sheqerit, as dy bukët e atëhershme 40 lekëshe, por vetëm një çamçëkiz. Por përsëri ne nuk luajtëm nga llogorja: në mendje kishim e kemi dhjetë herë më shumë lek se sa në xhep.
Tashmë në Shqipëri, vetëm për financierët mund të themi se e kanë më në fund bindjen e të folurit për shifrat reale të lekut. Mund të fusim këtu edhe tregëtarët, të cilët thjeshtë për të mos trembur klientët, i vendosin etiketat e çmimeve me vlerën e lekut real. Tregëtarët e mëdhenjë: ata të apartamenteve, automjeteve etj, shkojnë edhe më tutje: në kundërshtim me ligjin shqiptar, nuk përdorin lekun, por euron. Këta nuk e kanë më shumë hallin te “lek i ri” apo “lek i vjetër”, se sa tek qëndrueshmëria e parasë me të cilën bëjnë tregëtinë. Nga ana tjetër, masivisht njerëzit vazhdojnë të thonë: kaq lek të reja apo kaq lek të vjetra. Dhe nuk ka se si, kur vetë e folura zyrtare, e shkruara në shtyp, e thëna në ekran etj, vazhdojnë “të shkruajnë gomari dhe të lexojnë magjari”.
Dikur një kryetar kooperative, kur raportonte për realizimet në organet eprore, tejkalimet i shprehte me kg, për t’u dukur më shumë, ndërsa defiçitet i jepte me kv, për t’u dukur më pak. Nëse e keni vënë re edhe sot: pagat, investimet, shpërblimet, përfitimet që u jep shteti banorëve të vet, shprehen në vlerën e lekut të vjetër, për të krijuar imazhin e një bollëku, ndërsa taksat e detyrimet e shtetasve me lekun e ri. – E ç’janë 10 lek rritje e çmimit të karburantit? -, thoshte para disa kohësh drejtuesi i qeverisë shqiptare. Ndërsa një muaj më vonë, po i njëjti person, vlerën e një objekti prej disa mijërash e shprehte me një vlerë disa milionëshe. Me vlerën e lekut të vjetër flitet në mjaft raste edhe prej ekspertëve të kontrollit të shtetit për të treguar se shkeljet financiare që janë gjetur kapin shuma të mëdha, për të dalë kështu më në pah puna e institucionit përkatës.
Mosndryshimi i kësaj tradite në vetvete edhe mund të mos përbëjë ndonjë problem. – E rëndësishme është të kemi lek në xhep, mund të thotë ndokush, dhe nuk ka rëndësi se i quaj, lek të reja apo të vjetra. Por duke “vëzhguar” traditën e ndryshimit të ngadalshën të disa zakoneve, koncepteve, sjelljeve e rregullave që vijnë në kundërshtim me kohën, ne akuzohemi si shoqëri që nuk ndryshojmë lehtë në disa gjëra të domosdoshme: ndërtojmë vila e pallate edhe më të mira se të vendeve përreth, por nuk mbajmë pastër ambjentin e përbashkët; flasim përditë për menaxhimin e mbeturinave, por pak prej nesh i ndajmë ato në qese të veçanta në shtëpi; bëjmë ligje për të mos pirë duhan në ambjente publike, por shqiptarët tymosin edhe në dhomën e gjumit; vendosim semaforë, nuk don t’ia dijë këmbësori; bëjmë vija të bardha, nuk don me i pa shoferi; na vjen mirë që dikush i largon mbeturinat tona, por nuk paguajmë tarifën e pastrimit. Do t’a arrijmë Europën me ndërtime (hekur e beton), por akoma nuk kemi urbanizime; do t’a tejkalojmë me harxhime luksi, por nuk do t’a mbërrijmë me gjelbërim; do të kemi rrugë të asfaltuara, por jo të zgjeruara me trotuare e rrugë biçikletash; vendosim sinjalistika rrugore, por i shkatërrojmë brenda natës; do t’a arrijmë (e kemi kaluar) me vetura luksoze, por nuk kemi shërbim urban. E kemi arritur me administratë, por kemi traditën e dobët të shërbimit ndaj popullatës; e kemi arritë me rregulla e ligje të shkruara, jemi larg zbatimit të tyre. E kemi arritur pluralizmin, nuk bëjmë zgjedhjet as të lira, as të ndershme, as të pranueshme për palët. E kemi shtetin, por nuk po akoma kemi traditën e burrave të shtetit…
Lexuesi mund të rreshtojë edhe “tradita” të tjera, të tejkaluara të cilat tek ne lëvizin me shumë vështirësi në drejtimin e duhur (të kundërt), por ne duhet të urojmë që të mos mbetemi kaq konservatorë në sensin e ndryshimit të gjërave, të ngadalshëm në përqafimin e rregullit të ri dhe të paaftë për të qenë edhe ne si të tjerët.
Don Zoti të mos na kalojnë 50 vjeçarë e ne të mbetemi në vorbullën e mosndryshimit të zakoneve dhe veseve që na dëmtojnë e na ulin vlerat edhe në sytë e të tjerëve.