6 Ditë Luftë, 50 Vjet Konflikte

Nga Dr. Jorgji KOTE/Më 5 – 10 Qershor 1967 u zhvillua Lufta 6 ditore ndërmjet Izraelit dhe koalicionit arab të përbërë nga Egjipti, Siria dhe Jordania. Pas disfatës së trupave arabe, Izraeli pushtoi disa pika të rëndësishme strategjike – West Bank, Rripi i Gazës, Lartësitë Golan, Gadishullin e Sinait dhe Jerusalemin Lindor që banohej gjerësisht nga palestinezët. Për pasojë, u ndez dhe më ashpër konflikti dhe kriza ndërmjet Shtetit të Izraelit dhe Palestinës. Demarshet politike dhe diplomatike në nivelet më të larta duke filluar nga rezoluta 242 e OKB-së kanë qenë të panumërta. BE-ja dhe SHBA-ja kanë dërguar atje negociatorët dhe ndërmjetësuesit e tyre më me emër. Protagonistë të këtyre demarsheve kanë qenë dhe vetë liderët e këtyre vendeve. Në vitin 1979 Presidenti i atëhershëm egjiptian Anvar El Sadat, fituesi i Luftës pasuese të vitit 1973 dhe Kryeministri izraelit Begin nënshkruan Marrëveshjen historike të Paqes në Kemp David me ndërmjetësimin amerikan. Por, dy vjet më vonë ajo u “varros” së bashku me Anvar El Sadatin që u ekzekutua gjatë një parade ushtarake. Sapo erdhi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Clinton i dha një shtysë së fuqishme negociatave për arritjen e një tjetër marrëveshjeje ndërmjet Izraelit dhe Palestinës; pas bisedimeve sekrete në Oslo, ku luajti rol parësor burri i madh i shtetit Izraelit, ish-ministri i Jashtëm, Simon Peres. Marrëveshja u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në shtator 1993 ndërmjet ish-Kryeministrit Yitzhak Rabin Rabin dhe Kryetarit të Autoritetit të Palestinës Jaser Arafatit; shtrëngimi historik i duarve ndërmjet tyre bëri xhiron e botës. Në vitin 1994, Rabini, Arafati dhe Simon Peres u nderuan me çmimin “Nobel” të Paqes.

Gjithashtu, Presidenca Clinton u angazhua deri në minutat e fundit për zbatimin e asaj Marrëveshjeje me të ashtuquajturën “ diplomaci telefoni” Mirëpo, më 23 shtator 1995, Yitzhak Rabini u vra mizorisht në përfundim të mitingut elektoral të partisë së tij laburiste, mbështetëse e fuqishme e projektit të paqes. Marrëveshja e Oslos dështoi për shkak të mungesës së konsensusit politik në të dy vendet, sidomos nga e djathta në Izrael dhe Kryeministri i tanishëm Netianahu. Ky i fundit edhe gjatë këtyre muajve vazhdon të shkelë rezolutat e OKB-së lidhur me vazhdimin e ndërtimit të kolonive hebreje në territoret e pushtuara palestineze, një nga çështjet më kritike të këtij konflikti. Natyrisht që qëndrime të tilla intolerante kanë nxitur dhe forca të ndryshme ekstremiste në Palestinë.

Për pasojë, dhe tani pas  50 vitesh paqja në Lindjen e Mesme duket tejet larg për shkak të mungesës së terrenit të duhur publik, mungesës së guximit dhe vullnetit politik për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët si dy shtete të pavarur, në paqe e siguri me njeri tjetrin. Padyshim që dhe politika dhe diplomacia e fuqive të mëdha ka kusuret e veta në këtë realitet të trishtueshëm.

Edhe ardhja e Presidentit Trump  nuk po jep ndonjë sinjal të vërtetë shprese. Gjatë vizitës së tij para një muaji në Tel Aviv u dëgjuan vetëm betime dhe premtime, por pa ndonjë strategji dhe kalendar kohor. Këto vitet e fundit, konflikti në Lindjen e Mesme ka marrë përpjesëtime të frikshme me përshkallëzimin e krizës së azilit dhe përhapjen e terrorizmit ndërkombëtar. Tashmë, presin zgjidhje edhe Siria, Iraku, Libia, Jemeni, Sudani etj.

Në përfundim, lufta 6 ditore dhe këto 50 vjet pa paqe e stabilitet në Lindjen e  Mesme dëshmojnë qartë se jo çdo sukses ushtarak jep të njëjtin   rezultat politik, ca më pak paqe e stabilitet; përkundrazi, luftërat shpesh i ndezin shkëndijat e konflikteve të reja më të rrezikshme dhe afatgjatë.

SHKARKO APP