6 vjet pas arratisjes nga burgu i Drenovës, ekstradohet nga Greqia miku i Admir Tafilit
6 vjet pas arratisjes nga Burgu i Drenovës është ekstraduar nga Greqia, Gëzim Toma, i dënuar me 20 vite burg për vrasje, grabitje dhe arrati nga vendi i dënimit. Menjëherë pas ekstradimit nga vendi fqinj, 37-vjeçari është dërguar në një burg të sigurisë së lartë ku do të vuajë dënimin e marrë.
Gëzim Toma ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Drenovës për veprën penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, si autor i vrasjes së një 25-vjeçari, ngjarje e ndodhur në Krastë të Martaneshit. Toma u arrestua në fshatin Elaptora, pranë Kosturit në Greqi, teksa përpiqej t’i shpëtonte gjurmimit nga forcat e rendit.
Kujtojmë që më 29 nëntor 2013, 7 persona u arratisën nga Burgu i Sigurisë së Lartë të Drenovës. Të arratisurit e asaj ngjarjeje që bëri bujë në vendin tonë ishin: Admir Tafili, lindur e banues në Shkodër; Fran Marashi, lindur e banues në Shkodër; Gëzim Guri, lindur e banues në Vaun e Dejës, Shkodër; Gëzim Toma, lindur e Banues në Dibër; Reiz Haxhiraj, lindur e banues në Selenicë të Vlorës; Artur Gora, lindur e banues në Pojan të Korçës si dhe Eduard Lula, lindur e banues në Përmet.
Image result for gezim toma
Uniformat blu në bashkëpunim me forcat speciale të RENEA-s disa orë pas arratisjes së bujshme bënë të mundur arrestim në një magazinë të braktisur në Përrenjas të Admir Tafilit, Fran Marashit dhe Gëzim Gurit. Këta persona ishin edhe organizatorët e arratisjes nga burgu i Drenovës, të cilët e kishin bërë planin me persona të tjerë që nuk ndodheshin në burg.
Këta persona kanë ndihmuar të arratisurit të fusnin armë në ambientet e burgut dhe më pas t’i ndihmonin me automjetet e tyre për t’i larguar. Të ndaluarit e lartpërmendur pasi janë pajisur, me armë nën kërcënimin e tyre, kanë mbyllur në banjë punonjësit e burgut dhe pasi kanë dalë nga ambientet e burgut janë ndarë, ku Tafili Guri dhe Marashi ikën në drejtim të Përrenjasit, ndërsa Reiz Haxhiraj, Edmond Lulo dhe Gëzim Toma arritën të kalonin kufirin dhe shkuan në Greqi, ku pas shkëmbimit të informacioneve mes palës shqiptare dhe homologëve grekë, u bë i mundur arrestimi i tyre 4 ditë pas arratisjes.
Ndërsa i dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Kujtojmë se në korrik të vitit lamë pas u ekstradua nga Greqia për këtë ngjarje Eduart Lulo. /Panorama