60-vjetori i Konferencës së Tiranës

Nga Skifter Këlliçi/

(Vijon nga numrat e kaluar)

Siç e pamë as Fiqrete Shehu dhe as Beqir Balluku, nuk u dhanë përgjigje pyetjeve të ngritura në sallën e konferencës. Atëherë këtë përgjigjen e dhanë ata që diskutuan. Dhe ata nuk ishin të paktë.

“E njihja shumë mirë juristin Niazi Jaho, i cili i kishte kryer studimet e larta në Bashkimin Sovjetik, – kujtonte Myfit Vigani ish-instruktor në Komitetin e Partisë së Tiranës. -E njihja jo vetëm si epror, sepse ai ishte sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës për propagandën, por edhe si koleg. Nga ai gjatë bisedave shoqërore kishe çfarë të mësoje, aq më tepër që ishte shumë i matur. Por u habita nga guximi dhe pjekuria me të cilën ai shtjelloi diskutimin e tij shumë tronditës. Duke marrë shkas nga përgjigjja e Beqir Ballukut se si i kishte analizuar Komiteti Qendror mësimet e Kongresit të 20-të të PK të Bashkimit Sovjetik, për problemin e kultit të individit, ai në diskutimin e tij, tha: “Shoku Beqir, në mos gaboj, iu përgjigj kështu kësaj pyetjeje: Po, Partia ka analizuar dhe ka konkluduar se nuk ka. Sigurisht kjo është përgjigje e guximshme e të deleguarit të Komitetit Qendror dhe anëtar i Byrosë Politike. Mirëpo, mbasi në një konkluzion të tillë mund të arrihet vetëm në bazë të një analize, propozoj që ky vendim i Komitetit Qendror, ose i Byrosë Politike, në qoftë se është bërë, të dërgohet për t’u punuar në organizatat bazë të Partisë.”

Pas këtyre fjalëve në sallë shpërthyen duartrokitje, të cilat u shtuan edhe më shumë kur nisi diskutimin e tij i deleguari i organizatës bazë të partisë të Radio-Tiranës, Vehip Demi. Në punimet e kësaj konference ai kishte Petro Kiton drejtor i këtij institucioni, i cili ato ditë ndodhej me shërbim jashtë shtetit.

“Ne duhet të pranojmë haptazi se akoma te ne ka ndrojtje, frikë për të shprehur mendimet e tyre, për të kritikuar lirisht. Ne komunistët e Radio Tiranës kritikojmë Komitetin e Partisë që nuk ka marrë masat e duhura që materialet e Kongresit të 20-të të ishin punuar në organizatat e partisë dhe në masa, sepse ato vetëm sa janë botuar në shtyp. Duhej sqaruar me kujdes e durim çështja e kultit të personit që u ngrit në artikujt e “Pravdës”. Ne në Radio dhamë artikullin e sekretarit të KQ të Partisë së Bashkuar Polake, Moravski, për kultin e individit. Shoku Thanas Nano, drejtor i ATSH-së, nuk e fshehu preokupimin e tij. Se ç’ka bërë Thanasi më vonë, atë nuk e di. Di vetëm që pasdite merr shoqja Nexhmije Hoxha në telefon dhe na tërheq vëmendjen pse e dhamë artikullin pa e pyetur. Plus kësaj, shtypi ynë nuk e botoi, sepse nuk kishte vend, siç tha shoku Beqir Balluku, por, për mendimin tim, sepse hezitoi. Dhënia e artikullit në Radio dhe mosbotimi i tij në shtyp krijon përshtypje te shumë njerëz”.

Deri këtu, diskutimi i Vehip Demit dukej se do të ishte vazhdimi i diskutimit të parafolësit të tij, Niazi Jahos, i cili u kishte dhënë zemër të pranishmëve në sallë të flisnin hapur. Dhe kështu po ndodhte me Vehip Demin, i cili më pas vazhdoi me argumente që, jo vetëm u miratuan nga të pranishmit, por dhe u shoqëruan sërishmi me duartrokitje:

“Kongresi i 20-të shtroi çështjen e ngritjes së rrogave të ulëta. Te ne me korrigjimet që u bënë, ndodhi e kundërta. Shoku Beqir nguli këmbë se çështja e furnizimit në Bllok është miratuar nga Komiteti Qendror. Ne mendojmë se kështu shkelet në mënyrë flagrante parimi “secili sipas punës”. Ne duam të pyesim ministrin e Tregtisë, shokun Kiço Ngjela dhe ministrin e Financave, Abdyl Këllezi, se nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e Bllokut? Në cilin kapitull të buxhetit hyjnë ato? Ne duhet të pranojmë se masat jashtë bisedojnë shumë për çështjen e Bllokut.”

“Me të mbaruar diskutimin e tij, – kujton Myfit Vigani, – në sallë u dëgjuan brohoritje të stuhishme, madje të shoqëruara edhe me buzëqeshje të delegatëve”.

Atëherë njëri pas tjetrit, të vetmit që u ngritën në mbrojtje të udhëheqjes, që po sulmohej kaq ashpër ishin Abdyl Këllezi, ministri i Financave dhe Dashnor Mamaqi, zv.ministri i Arsimit, të cilët u përpoqën të frenonin diskutimet që po merrnin një drejtim krejt të papritur. Por ishte e pamundur. Këtë e dëshmoi dhe diskutimi i Adriatik Kananit, i cili, për më tepër, ishte i deleguari i gazetës “Zëri i Popullit” as më shumë e as më pak, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së, të themeluar nga vetë Enver Hoxha.

“Në përgjithësi, materialet e gazetës nuk po pasqyrojnë frymën e Kongresit të 20-të, – tha ai. – Këtë organizata bazë e gazetës e quajti gabim politik të shkaktuar nga fakti se ka munguar një orientim konkret për këto çështje.”

Adriatik Kanani nuk u mjaftua me kaq, por pa më të voglën ndroje iu kundërvu diskutimeve të Abdyl Këllezit dhe Dashnor Mamaqit, të cilët miratonin ato masa që ishin marrë nga partia për sa i përket raportit të pagave midis udhëheqjes dhe punonjësve.

“Krahas me punonjësit që marrin paga të ulëta, ka dhe një kategori jo të madhe punonjësish me pagimin e të cilëve ka teprim të pajustifikueshëm, -vazhdoi ai. -Unë mendoj se shoku Beqir duhet të ketë parasysh mirë si i deleguar i Komitetit Qendror, që të përfitohet nga kjo konferencë. Vërejtjet e delegatëve të kësaj konference janë dhe vërejtjet dhe mendimet e punonjësve komunistë dhe dhjetëra mijëra punonjësve, sepse kështu do të inkurajohet kritika dhe autokritika, do të forcohet demokracia.”

Përsëri nga salla u dëgjuan duartrokitje dhe brohoritje. Pas kaq vjetësh, po të gjykosh me objektivitet dhe gjakftohtësi, ai shtroi drejt jo vetëm ato që ndiente vetë dhe kolegët e tij gazetarë të “Zërit të Popullit”, por ato që çdo komunist duhej t’ia shtronte partisë.

Por kjo seancë do të shënonte kulmin e saj me diskutimin e Vandush Vinçanit, të deleguarit të Komitetit Qendror të Partisë në këtë konferencë.

“Çështja e kultit të individit nuk është çështje vesi, – tha ai. – Prandaj është e drejtë vërejtja se çështja e kultit të sqarohet. Propozoj që raporti i shokut Hrushov, që bën fjalë në lidhje me kultin e individit, të pranohet. Kush mund ta rrëzojë kultin e Stalinit? Veçse një udhëheqje e fortë marksiste-leniniste. Këtu u shtrua çështja e privilegjeve të funksionarëve. Është shumë e drejtë. Unë nuk jam për një politikë të tillë. Prandaj duhet të korrigjohet sa më parë një gjë e tillë. Në lidhje me marrëdhëniet familjare në Komitetin Qendror mendoj se është bërë gabim…”

Fliste kështu një punonjës i lartë i Komitetit Qendror të Partisë, që punonte pranë Nexhmije Hoxhës, së shoqes së udhëheqësit më të madh të Shqipërisë. Guxim me të vërtetë tepër i madh! Ja përse, pas diskutimit të tij, salla u ngrit e tëra në këmbë duke e shoqëruar Vandush Vinçanin me brohoritje.

Ndërkohë, përfaqësues të lartë të partisë dhe të shtetit, midis të cilëve dhe mbi 20 delegatë nga Ministria e Punëve të Brendshme, të kryesuar nga ministri i tyre, Kadri Hazbiu mbetën të tulatur.

Kështu siç kishte nisur, konferenca po shkiste gjithnjë e më shumë në një drejtim krejtësisht të paparashikuar, madje dhe me pasoja tepër të rënda. Duhej të vinte dikush. Dhe ky nuk mund të ishte veçse vetë Enver Hoxha.

Megjithatë, Mehmët Shehu, kryetar i Këshillit të Ministrave dhe anëtar i Byrosë Politike e pa të arsyeshme që më parë “t’i falej” ambasadorit sovjetik, Krillov dhe të merrte mendimin e tij rreth gjendjes së tensionuar që ishte krijuar në ditën e parë të punimeve të Konferencës së Tiranës.

“Mehmet Shehu,- shkruhet në procesverbalin e këtij takimi, që titullohet “Mehmet Shehu në panik”-e karakterizoi të gjithë këtë si një ofensivë armiqësore të organizuar dhe u këshillua (me ambasadorin, shënim i red.), se çfarë masash duheshin marrë që konferenca të hynte në rrugë normale. Ne u morëm vesh me Mehmet Shehun që konferenca nuk duhet në asnjë mënyrë të lihet në mëshirë të rrjedhës dhe se duhet t’i jepet drejtimi i duhur, duke shfrytëzuar për këtë elementët e shëndoshë që janë në konferencë. Por kjo duhet të bëhet dhe me kujdes duke mos akuzuar asnjë për punë armiqësore… Ne ramë dakord me Mehmet Shehun se do të mbajmë kontakte gjatë ecurisë së konferencës”.(Bisedë e Krillovit me Mehmet Shehun, sekret, ekz.nr 1, 8 maj 1956, nxjerrë nga arkivat ruse, autor Ferdnand Dervishi).

Në librin e tij “Titistët”, Enver Hoxha kujton: “Pikërisht ditën e dytë të konferencës, krejt papritur, erdhi në Vlorë Nexhmija…Më tha se atë ditë (e mbaj mend mirë, ishte e diel, 15 prill), e kishin thirrur në takim Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku dhe Mehmeti i kishte thënë se “gjendja në konferencë është e rëndë”. (“Titistët”,1982, faqe 547).

Më poshtë ai vijon: “Thirra menjëherë Mehmet Shehun dhe Beqir Ballukun, i cili ishte i deleguari i Komitetit Qendror, por “de facto”, siç do të vendosej më pas, ishte “i deleguari i shërbimit të fshehtë jugosllav”. Kërkova veçanërisht nga Beqir Balluku, të më informonte më hollësisht se ç’thuhej në konferencë dhe ky herë i skuqur dhe herë i zverdhur, ia nisi:

“Dje sapo mbaroi raporti na bombarduan me pyetje”. (Po aty).

Vlen të vihet në dukje se, duke cituar fjalët e Beqir Ballukut, Enver Hoxha përmend vetëm disa nga pyetjet e ngritura nga salla, dhe asnjë nga pyetjet që u shtruan lidhur me gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ndodhej populli duke e krahasuar me mirëqenien e udhëheqjes, për lidhjet e ngushta të krushqisë që kishin midis tyre, për mbytjen e kritikës nga lart poshtë në mbledhjet e partisë…

Dhe Enver Hoxha, po të nisemi nga fakti se kjo vepër botohej më 1982, nuk mund t’i përmendte, sepse i ashtuquajturi “Bllok”, në atë kohë ishte shndërruar në një parajsë të papërfytyrueshme.

Enver Hoxha këtë nuk e bën as në veprën tjetër “Ditari”, (1955-1957); ai përsëri nuk përmend pyetjet e mësipërme që u shtruan, siç e pamë me kaq këmbëngulje nga pjesëmarrësit në konferencë. (“Ditari”, faqe 146).

Nuk mjafton me kaq, por, për të dëshmuar se Konferenca e Tiranës ishte rezultat i bashkëpunimit sovjeto-jugosllav, ai e quan Beqir Ballukun “agjent i shërbimit jugosllav”. Dhe këtë e bën si e si që të mohojë faktin se me pyetjet dhe diskutimet që u mbajtën në konferencë, siç është vënë në dukje, ishin solidarizuar nxehtësisht të tërë delegatët që ishin zgjedhur nga organizatat bazë të partisë.

Duke u ndalur te takimi që kishte pasur me Mehmet Shehun dhe Beqir Ballukun, Enver Hoxha në këtë vepër shkruan: “Kam menduar të veproj kështu: Do ta kërkoj fjalën menjëherë dhe me qetësi, pa i atakuar hëpërhë të akuzuarit, do të sqaroj delegatët mbi thelbin e së vërtetës në lidhje me akuzat e poshtra që janë ngritur… Përsa u përket “trimave” që duan “revizionime”, me ta do të merrem konkretisht në fazën e dytë, kur delegatët të jenë sqaruar mbi të vërtetën. Përpara konferencës do të kërkoj që secili të na e sqarojë se në ç’pozita i ngre akuzat e fëlliqura, në emër të kujt flet dhe kush i ka frymëzuar”. (“Titistët”, faqe 555).

Hipokrizia e diktatorit këtu shfaqet hapur. Ku është Enver Hoxha i artikullit të “Zërit të Popullit” që nxit komunistët të kritikojnë hapur dhe ku është ai tani, kur i cilëson ata “të akuzuarit”, “trimat” që ngrinin “akuzat e fëlliqura”…të cilat nuk ishin gjë tjetër, veçse probleme të ngritura në organizatat bazë të partisë?..

Dhe vepron në konferencë pikërisht kështu, ndonëse bën edhe një korrigjim kur thotë se Beqir Balluku i kishte vënë në dukje se: “Vetëm disa shokë flasin për këto probleme, veç ata po i japin tonin konferencës”. (“Titistët”, faqe 555).

Më mirë se kushdo për të kundërtën e këtyre gënjeshtrave të Enver Hoxhës dëshmonin pyetjet, diskutimet dhe aprovimi i stuhishëm i tyre nga shumica dërmuese e delegatëve.

(Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP