8 Dhjetori, ministri Gonxhja: Rinia është motori i reformave dhe integrimit europian
Në Ditën Kombëtare të Rinisë, mesazhet kryesore drejtuar të rinjve u përqendruan tek roli i tyre në proceset transformuese të vendit, nga integrimi europian deri te zhvillimi ekonomik e shoqëror. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u bënë thirrje të rinjve të angazhohen më shumë në ndryshimet që vendi synon të arrijë deri në vitin 2030.
Gonzato nënvizoi se vetëm përmes angazhimit të të rinjve mund të luftohen korrupsioni, mosndëshkueshmëria dhe krimi i organizuar, për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse, me qasje të barabartë në arsim, shëndetësi dhe mirëqenie. Mesazhi u plotësua nga ministri Gonxhja, i cili kujtoi frymën e 8 dhjetorit 1990 dhe rolin e jashtëzakonshëm që rinia ka luajtur historikisht në ndryshimin e Shqipërisë. Gonxhja theksoi se mbështetja për të rinjtë, përmes programeve të AKR-së dhe hapësirave për kreativitet e pjesëmarrje, është thelbësore për Shqipërinë e 2030-s.
”Është e pamundur që vizioni për vendin tonë të realizohet pa kontributin tuaj. Energjia, talenti dhe idealet tuaja janë shtylla e së ardhmes. Ju jeni trashëgimtarë të një ideali që nisi në 8 dhjetorin 1990 për sa i përket pjesës së një demokracie për të cilën e nisëm nga viti 90 për shkak të rrëzimit të diktaturës. Natyrisht ëndrra dhe idealet nuk kanë nisur në vitin ’90, kanë nisur shumë më herët dhe sot merr jetë në çdo iniciativë, në çdo qendër rinore, në çdo projekt që ndryshon komunitetin”, tha Gonxhja.
KOHA JONË SONDAZH

