8 Dhjetori, politika feston sërish e ndarë
atë, porse preferuan ta bajnë këtë gjë të ndarë. Kështu, nga njëra anë, Partia Demokratike zgjodhi kryesisht Qytetin Studenti për ta festuar Ditën e Rinisë, i cili është edhe simboli i lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90; kurse Partia Socialiste përmes kryeministrit të saj zgjodhi Asamblenë Botërore të Rinisë, takimi i XVI-të i së cilës po zhvillohet pikërisht në Tiranë. Ndërkaq, edhe vetë të djathtët duket se kanë qenë “të përçarë” lidhur me festimet e djeshme…
Kryedemokrati Lulzim Basha
“Dita e Rinisë, Meka dhe Jeruzalemi ynë”
Partia Demokratike, përmes përfaqësuesve të saj, ka qenë e pranishme dje në kinoteatrin e Qytetit Studenti, ku nga ajo sallë më 8 dhjetor 1990 studentët nisën edhe lëvizjen për përmbysjen e regjimit komunist. Nga ana e tij, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se studentët e dhjetorit ia dolën të gjunjëzonin regjimin e së keqes, por edhe se tek ky kinoteatër gjendjen sot rrënjët e lirisë. “Aty bota mbarë kuptoi vokacionin perëndimor të Shqipërisë. Ndaj vijmë këtu çdo 8 dhjetor, për të përkujtuar me nderim Lëvizjen e 8 Dhjetorit. Në këtë pelegrinazh të përjetshëm, vijmë këtu se këtu janë rrënjët tona të lirisë, këtu ra diktatura më e egër. Këtu nisi rrugëtimi i Shqipërisë së lirë, nderimi dhe lartësimi i të vrarëve, këtu lëshoi rrënjët e para dinjiteti i njeriut të lirë, këtu lindi PD, forca e ndryshimeve të mëdha euriopianizuese, ky kampus është ‘Meka’ dhe Jeruzalemi’ i lirisë dhe demokracisë shqiptare. Qyteti Studentit është tempull lire për shqiptarët brez pas brezi, studentët e dhjetorit janë krenaria jonë”, tha Basha. Sipas tij, esenca e lëvizjes ishe përbashkuese, jo përçarëse. “Më 8 dhjetor, bashkohet rinia me lirnë si për të na treguar se liria është rinore dhe rinorja është flaka e pashuar e lirisë”, tha ai.
Figura e Enverit
“Ne të rriturit me trashëgiminë e studentëve refuzojmë çdo kthim mbrapa drejt së vjetrës, së shkuarës dhe së keqes. Nuk pranojmë rehabilitimin e figurës së Enver Hoxhës, askush nuk mund të vijë me Enverin duke porositur të tunden portretet e tij. Enveri dhe diktatura, tirania e tij nuk mund të ndryshojnë kurrë. Ne sot i bëjmë thirrje Ramës dhe Metës të heqin dorë nga trashëgimia e Enverit”.
Kryeministri Edi Rama
“Lëvizja Rinore hapi rrugë aty ku dukej se nuk kishte”
“Lëvizja e Dhjetorit 1990, këtu në Shqipëri, që i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri dhe në demokraci, kur liria dhe demokracia për atë brez të lindur e të rritur në diktaturë s’mund të ishin asgjë tjetër, përveçse përmasa e një imagjinate të formësuar vit pas viti, pa zë dhe brenda vetvetes”. Kështu u shpreh dje kryeministri Edi Rama, në lidhje me këtë ditë të rëndësishme, telsa foli gjatë Asamblesë Botërore të Rinisë. Sipas tij, ne jemi sot, në një kohë të re. “24 vjet më parë, askush nuk mund ta parafytyronte se Shqipëria, vendi ku të vetmit të huaj që mund të hynin ishin marksistë-leninistë që merrnin më parë miratimin nga Komiteti Qendror i Partisë, të bëhej vendi ku një ditë mund të zhvillohej edhe një Asamble e radhës e këtij Forumi kaq të rëndësishëm Botëror të Rinisë”, tha gjithashtu Rama. Duke shtuar se rënia e perdes së hekurt, edhe për Shqipërinë, siç do të thoshte Vaslav Haveli, kapi në surprizë si Lindjen, ashtu edhe Perëndimin. “Në fakt ishte efekti surprizë i një shembjeje të paimagjinueshme, që çliroi një herë e përgjithmonë shpresën për sistemet politike njerëzore që ndërtohen nga njerëzit, për njerëzit dhe me njerëzit dhe janë mjete dhe jo pengesa në rrugën e realizimit të ëndrrave dhe të shpresave përmes ndjekjes së aspiratave të gjithsecilit. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, sepse qartazi, gjithnjë, ajo çfarë vjen më pas reflekton aspiratat e këtyre lëvizjeve që shembin diktatura dhe sisteme shtypëse, por, nga ana tjetër, jo gjithmonë dhe jo gjithkush e sheh hapësirën për të realizuar ëndrrat dhe shpresat e tij. Ky është një mësim i gjithë këtij tranzicioni shqiptar dhe jo vetëm. Mjafton të shikojmë pranverat arabe, që u shfaqën në skenën globale si një fuqi transformimi dhe ku pjesëmarrja e të rinjve ishte e jashtëzakonshme, por që më shumë se një rast, sot nuk duken si pararendëset e përmbushjes së atyre ëndrrave dhe atyre shpresave që i sollën ato në jetë”, përfundoi Rama.
E DJATHTA
PD-ja “harron” që të ftojë Mesila Dodën për 8 Dhjetorin
Partia Demokratike ka “harruar” të ftojë deputeten e saj Mesila Doda, në ceremoninë e organizuar në “Qytetin Studenti” për 8 Dhjetorin, edhe pse ajo ka qenë një ndër studentet më aktive në atë periudhë. Vetë deputetja demokrate tha se nuk mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga PD-ja, pasi nuk e kishte ftuar njeri.
Për këtë arsye, ajo është shfaqur sërish në krah të Shpëtim Idrizit, por ka kërkuar të shmanget çdo keqkuptim se ajo mund të kalojë me partinë e drejtuar nga Idrizi.“Mesila nuk ka kaluar as nëPDIU, as nëndonjëforcëtjetër politike, por mbetet një nga anëtaret e Lëvizjes Studentore dhe mbetet në ballë të lëvizjes për dekomunistizimin e Shqipërisë. Mos hapni këtë lajm i cili dëmton”, tha ajo për mediat. Ndërsa pyetjes përse nuk ishte në aktivitetet e organizuar nga PD-ja, ajo iu përgjigj: “Shkoni dhe pyesni se kë kanë ftuar, sepse mua nuk më ka ardhur asnjë ftesë, madje kam pyetur edhe deputetë të tjera dhe më kanë dhënë të njëjtën përgjigje. Po të më kishin ftuar do të kisha shkuar me shumë dëshirë”.