87 ditë protestë, Arben Kola: Diaspora është me ne për rrëzimin e Ramës
Protesta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 87-të, ndërsa qytetarë dhe aktivistë vijojnë të mblidhen përpara godinës së Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij, aktivisti dhe bashkë-organizatori i protestës, Arben Kola vlerësoi qëndresën e protestuesve, duke veçuar mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Ai theksoi se prania dhe mbështetja e diasporës kanë qenë një faktor i rëndësishëm për vijimin e protestës.
”Nuk do të ishte e mundur kjo protestë aq e bukur pa pjesëmarrjen e mërgatës sonë, e cila ka vendosur të protestojë deri në rrëzimin e Ramës. Diaspora është me ne”,-tha Kola. Ai u ndal edhe te roli historik i mërgatës shqiptare, duke argumentuar se zhvillimi i teknologjisë dhe komunikimit ka bërë që angazhimi i saj të jetë edhe më i drejtpërdrejtë.
“Historikisht diaspora ka luajtur rol të rëndësishëm, por në epokën digjitale ka qenë më shumë se kurrë”. Aktivisti deklaroi se shqiptarët nga vende të ndryshme të botës janë bërë pjesë e protestës dhe e mbështetjes së saj në mënyrë të vazhdueshme.
“Për të rrëzuar Edi Ramën, diaspora nga të gjitha vendet është e pranishme me ne çdo natë në shesh”. Në përfundim të fjalës së tij, Kola iu referua edhe thirrjes për bashkim, duke e lidhur atë me figurën e Skënderbeut.
KOHA JONË SONDAZH

