93 ditë protestë, Luçiana Kokaj: Shtatori do të sjellë një valë të re protestash, qytetarët kërkojnë ndryshimin
Aktivistja dhe bashkë-organizatorja e protestës, Luçiana Kokaj renditi disa prej problematikave që po mbajnë qytetarët në protestë dhe po i shtyjnë ata të kërkojnë ndryshime të thella në vend. Kokaj u ndal te arsimi, shëndetësia, meritokracia, mbrojtja e pronës dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Ajo tha se Shqipëria ka nevojë për një sistem arsimor që u krijon fëmijëve mundësi brenda vendit, pa i detyruar familjet të mendojnë për emigrimin e tyre.
“Na duhet një sistem meritokracie ku ai që e meriton të marrë vendin e punës”, deklaroi Kokaj, duke kërkuar njëkohësisht një sistem shëndetësor ku pacientët të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe pa u gjykuar në bazë të mundësive ekonomike. Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së saj ishte prona dhe drejtësia. Kokaj kërkoi që të respektohet e drejta e pronësisë dhe që ajo t’i kthehet personit që, sipas ligjit, i takon.
Sipas aktivistes, këto çështje janë ndër arsyet kryesore që qytetarët vijojnë të mblidhen në shesh dhe të kërkojnë ndryshim. Kokaj paralajmëroi një intensifikim të aksionit qytetar gjatë muajit shtator, duke deklaruar se protestuesit do të rikthehen më të shumtë dhe më të bashkuar. “Shtatori do të na gjejë më të bashkuar, më të shumtë në numër dhe gati për aksionin e radhës derisa qeveria të largohet”, u shpreh ajo.
KOHA JONË SONDAZH

