A do ketë probleme zgjedhja e Presidentit?!

Nga Sadedin Çeliku

Zgjedhja e Presidentit sipas Kushtetutës në fuqi do të prodhojë kurdoherë një njeri që ulet në poltronin e Presidentit, por jo në atë të kreut shtetit.  Posti i Presidentit gjithnjë është trajtuar si vend pune sepse punëmarrësi me këtë rast është partia që i siguron atij 71 vota parlamentare dhe kësisoj ai duhet të tregojë mirënjohje dhe të sillet mirë me padronët që e kanë zgjedhur.  Ka qëlluar mjaft herë t’i vëmë faj Presidentit që s’del mbi palët, që nuk zgjidh krizat sa herë që ato shfaqen,  por të gjithë e kanë gabim se i gjori President s’ka faj sepse s’ia fërshëllen askush, por s’ka dhe hapësira ligjore e kushtetuese të vihet në rolin që i takon.  Ai vend pune ka disa favore personale sepse shkon jashtë shtetit ku i do qejfi, ka një benz presidencial dhe një eskortë rojesh,  por ka dhe një pagë që në kushtet shqiptare konsiderohet e majme. Pra Presidenti nuk ka asnjë rëndësi e rol dhe aq më tepër kur ky post i shitet njerëzve që nuk kanë performancën e duhur sepse shikohet gjithnjë si një vend pune pse jo dhe si hyzmeqar i partisë që e ka promovuar.

E parë në këtë këndvështrim, gjykoj se dy forcat kryesore politike të maxhorancës do të vendosin deri më 19 prill të këtij muaji se kush do të jetë i punësuari i radhës në presidencë dhe kundërshtitë mund të vijnë vetëm se kush do ta marrë, PS-ja apo LSI-ja, e cila gjithmonë kërkon të bëhet faktor më shumë se sa i takon. Personalisht mendoj se pozicioni në fjalë mund t’i jepet dhe LSI-së në këmbim të marrëveshjes së koalicionit me Partinë Socialiste edhe për një mandate tjetër meqenëse këtij të fundit nuk po i premtohet pozicioni i Kryeministrit pas zgjedhjeve të 18 qershorit.  Pra gjykoj se kompromisi do bëhet dhe pa asnjë problem. Çështjet e tjera që lidhen me kandidaturën konsensuale nuk më duken me vend sa kohë maxhoranca ka votat e nevojshme për ta zgjedhur Presidentin qysh në votimin e parë dhe kushtetutën, e cila e ka paraparë atë ligjërisht.  Duke pasur parasysh se krizat sa herë janë shfaqur në Shqipëri i ka zgjidhur faktori ndërkombëtar, mendoj se pavarësisht paketave të ndryshimeve ligjore që i janë bërë kushtetutës, është e nevojshme që Presidentin ta zgjedhë populli dhe jo të bëhet si dhe deri sot pazar të politikës për të favorizuar politikën e pushtetin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Meqenëse vendi ynë i dalë nga diktatura dhe me një demokraci të çalë e të brishtë ka pasur gjithnjë probleme e kriza, duhet t’i japi mundësi gjithkujt të garojë për postin e Presidentit. Me këtë rast, pa zbehur vlerat dhe rëndësinë e parlamentit, nuk do ishte keq një republikë gjysmë presidenciale dhe gjysmë parlamentare të modelit bullgar kurse kodi zgjedhor grek më duket mjaft i përshtatshëm për rastin e Shqipërisë që jemi të prirur të krijojmë kriza të kota dhe shpesh artificiale. Tashmë është koha të shikojmë se si do zhvillohen ngjarjet në ditët në vijim.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?