A do (mund) të bëhemi ne shqiptarët?

 

Nga Mentor Kikia

Dua të them që në fillim se shprehja që më tërbon më shumë është se ne shqiptarët nuk bëhemi. Ky vend nuk bëhet kurrë! Po ashtu, ndjehem shumë keq kur shkruaj për gjëra të këqija. Por brenda 24 orësh u bëra dëshimitar i dsia sjelljeve dhe fakteve të tilla, që nuk lidhen as me politikën e keqe, as më drejtësinë e korruptuar, por me ne si qytetarë, me këtë “çikë” shtet që kemi dhe një budallallëk ta madh sa tërë historia jonë.

Absurdi I: Dje pasditë po ecja në rrugën e Durrësit, në Tiranë. Një rrugë moderne, më e mira në Shqipëri për nga standardet. Me nga 3 korsi në cdo anë, me korsi emergjence, korsi bicikletash dhe trotuar për këmbësorët. Më shumë s’mund të bëhet. Por ndërsa sirena e autoambulancës ulërinte, korsia e emergjencës ishte mbushur me makina.

Absurdi II: Policia i vë gjobë shoferit se s’kishte vënë rripin e sigurimit, edhe pse ai i kishte zënë korsinë e emergjencës.

Absurdi III: E njëta rrugë. Nga sheshi “Shqiponja” deri tek Zogu i ZI, ka 5 semaforë, 5 koridore vijash të bardha, që tashmë janë kafe që të mos mbulohen nga zhuli. Me pak fjalë në cdo 150-200 metra ka një semafor, pasi kjo rrugë ka qenë e përgjakur nga aksidentet. Por jo! Njerëzit të futen sërish para makinës, edhe kur janë vetëm, 5 metra larg semaforit.

Absurdi IV: Sot në mëngjes mora autobusin. Shoferi ecën me 10 km në orë. Udhëtarët turfullojnë, thonë ec, pasi janë vonë: “Kam urdhër nga menaxheri. Kaq e kam të lejuar”- përgjigjet shoferi, pa e vrarë mendjen, pasi i është regjur lëkura nga këto kërkesa. Në stacionin e radhës shoferi zbret fare, pasi autobusi paraardhës ishte dy stacione afër… duhej të vonohej pak. Zbrita dhe unë. Ika në këmbë.

Absurdi V: Kjo m’i ngriti qimet përpjetë. Në Gazeta Shqiptare lexova britmat e ca specialistëve të monumenteve të kulturës për restaurimin e një sinagoge në Sarandë. Kishte edhe ca foto që tregonin punën për restaurimin. E dini si po e restauronin? Po suvatonin muret e lashta të sinagogës, kishin marrë ca punëtorë, nga ata që dalin në kryqëzime e kërkojnë punë, me mistri, lopata e kova me llaç dhe po restauronin sinagogën.

P.S: Më duket se është bërë për tu suvatuar edhe Butrinti. Kalaja e Rozafës ka mbetur për faqe të zezë, nuk u gjend një kryetar bashkie apo një firmë ndërtimi ti hedhë një dorë suva e ta lyejë me bojë vaji se ka ngel për turp. Ka 2000 vjet ashtu!

SHKARKO APP