A e mbani mend Lirakun? U dogj para bunkerit!

 

Nga Ardit Rada

Përdorimi i grupeve të interesit nga politika është një akt banal që shoqëria shqiptare e njeh qyshse partitë e pluralizimit i morën peng peshkatarët për naftën, minatorin për pensionet, ish pronarët për tokat dhe të përndjekurit për shpërblimet.

Protesta e djeshme, e shumëkomentuar jo vetëm nga aktorët dhe faktorët shqiptarë, tregoi dhe njëherë këtë pengmarrje të zakontë për vendin tonë që jo vetëm s’u bë si e gjithë Evropa për shkak të atyre që çiren më shumë se kushdo, por kryesisht për shkak të kësaj talljeje ndaj atyre që hallexhinj ishin dhe të tillë kanë mbetur ende.

Në morinë e të drejtës për të krijuar parti politike, shoqata, institute dhe shumë të tjera si këto, domosdo është e vështirë të dallosh se cili është përfaqësuesi dhe i kujt është. Kësisoj, të përndjekurit politikë të ndarë për arsyet që thamë më lart dhe të tjera, sot i gjen herë te dera e Kuvendit, herë në majë të vinçit dhe herë në protestat e Partisë Demokratike.

Duhet parë si e papranueshme të thuash se ata paguhen për t’u organizuar, për t’u bërë pjesë’ apo për të bërë thirrje për dhunë si rasti i djeshëm bë protestën e 8 Dhjetorit. Në fakt, sulmi mbi bunker i nxitur nga goja e një prej qindra pretendentëve si përfaësues i të përndjekurve, nuk mund të justifikohet veçse si një akt për të trembur qeverinë e duke risjellë pamjet mbi tank të vitit 1998, por këtë herë mbi bunker.

Nëse do të pretendonim për një zgjim të ndërgjegjes dhe revoltë mbi simbolet (thirrje këto të artikuluara nga Presidenti i cili një ditë para proteste përkujtoi 8 Dhjetorin) do të ishim shumë larg këtij shembulli. Kjo për shkak se bunkeri ishte aty prej muajsh të tërë, dhe ai që nuk i kontrollon dot emocionet e fyhet nga bunkeri, nuk pret protestën e opozitës për ta djegur, por e shemb sa është i njomë.

Megjithatë, paralelisht me pamjet e djeshme që dikujt edhe mund t’i pëlqejnë, pakkush solli ndërmend rrënqethjen që përcolli Lirak Bejko teksa përcëllohej live tre vite më parë. Liraku përmes aktit sublim dhe në shenjë proteste dogji veten gjer në vdekje, ndërsa bashkëgrevistët e tij morën plagë të rënda në vetëdjegiet në seri.

E pra, në ditën e 19 të grevës së ish të përndjekurve, kryeministri i asokohe Sali Berisha e cilësoi krejtësisht politike grevën, ndërsa tha se ata që digjeshin do përgjigjeshin për akte dhune. Mjeshtri i retorikës populiste, përgjegjësi kryesor për vitet e mbrapshta të shqiptarëve arriti gjer aty saqë u bëri bilancin gjithësecilit prej grevistëve se ç’u kishte dhënë qeveria si dëmshpërblim, ndërsa Liraku dha shpirt me amanetin: Të shporrim të keqen më të madhe, Berishën.

Por e keqja mesa duket edhe sikur të shporret, u trashëgnonka tek të vetët dhe u infektonka tek vetë të përndjekurit. Në fakt është punë e vështirë të gjesh krahasimin mes bunkerit dhe Lirakut, sepse ky i fundit është simbolikë e gjallë e ish të persekutuarve të regjimit komunist dhe rast i rrallë i sakrificës për një kauzë të injoruar nga politika. Megjithatë, Liraku nuk u vetëdogj që shokët e tij të digjnin Tiranën për t’u ngrohur PD-ja. Javanews.al

SHKARKO APP