A ka alienë në bazën ajrore “Area 51”? Clinton premton përgjigje

Hillary Clinton ka premtuar se nëse do të bëhet Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të bëjë publike të dhëna nga “Area 51”, baza ushtarake amerikane në Nevada, për të cilën ekzistojnë teori të shumta konspirative se ka fakte dhe të dhëna për ekzistencën e alienëve, ashtu sikurse besohet se në të vërtetë, funksioni i kësaj baze është zhvillimi i eksperimenteve me jashtëtokësorët dhe se brenda saj gjenden anije alienësh.

E ftuar në programin e Jimmy Kimmel, kandidatja demokrate për Presidente, tha se nëse do të zgjidhet në krye të shtetit, ajo do publikojë të dhëna nga kjo bazë sekrete amerikane çdo gjë, përveç atyre që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Komentet e saj ishin në përgjigje të sugjerimit të Kimmel, i cili u shpreh se nëse ai do të ishte President gjëja e parë që do të bënte është që të analizonte dosjet e “Area 51”.

 “Dëshiroj që t’i rishohim edhe njëherë ato dosje dhe të bëjmë publike sa më shumë të mundemi për publikun. Nëse në këto dosje nuk kanë asgjë, atëherë le ta dinë të gjithë”.

Zonja Clinton tha se do të publikonte gjithçka që do të gjejë aty, të dhëna mbi alienë ose jo..

SHKARKO APP