A ka nevojë të gënjejë opozita?

Prej disa ditësh po shoh në televizionet kryesore të vendit, një spot të Partisë Demokratike që i fton njerëzit të protestojnë në 22 nëntor, me një formë që të kall datën. “Le të na vari më mirë” thotë dikush për Edi Ramën duke e shoqëruar fjalinë e tij me gjestin e vënies së duarve në fyt. “Unë do të vras veten”,- vazhdon një tjetër. “S’kemi bukë”,- klith dikush ndërsa militanti i radhës përsërit të njëjtin refren: “Të hapim një gropë dhe të vrasim veten”.

Po të shikosh këto sekuenca të duket sikur je në ndonjë vend afrikan ku ebola po bën kërdinë apo ku lufta civile ka zhuritur çdo shpresë. Por jo, ky është vizioni që PD-ja ka për Shqipërinë e sotme. Një vend ku njerëzit më mirë preferojnë të vdesin sesa të jetojnë, e nëse nuk kanë këtë dilemë janë përpara një tjetre: ose të largohen jashtë, ose të ngrihen dhe të “përmbysin regjimin”. Them që ky është vizioni njerëzve kryesorë të PD-së sepse këto shpërthime janë të inskenuara. Tashmë çdo gazetar i thjeshtë i një redaksie lajmesh e di se gjithçka që publiku po sheh në TV është thjeshtë një shfaqe.

Në takimet e Lulzim Bashës (nga ku janë marrë edhe sinkronet e spotit) në disa qytete të vendit, mblidhen militantët, u jepet një tekst që ta mësojnë përmendësh, pastaj vjen kameramani i punësuar i selisë blu, që xhiron farsën e parapërgatitur, të cilin e merr më pas një montazhier në zyrat e ish shtëpisë së oficerëve dhe e bën gati, për t’ia shpërndarë televizioneve sterile që e përhapin pa brerje ndërgjegje këtë mashtrim. Pra është e qartë se me anë të këtyre kasetave nuk sillen në ekrane shqetësimet e njerëzve, por ai mesazh që selia e PD-së do të përcjellë, prandaj aty nuk lejohen gazetarë e reporterë, prandaj aty duket sikur në këtë vend katër në dhjetë shqiptarë kërkojnë të vetëvriten.

Por, problemi nuk qëndron këtu. Sa thashë më lart, është thjeshtë çështje e raportit të opozitës me vetveten dhe me kauzat tek të cilat ajo beson, po aq sa edhe problem i profesionalitetit dhe ndershmërisë të mediave, që përcjellin mesazhet e saj. Këtu shqetësimi është tjetër. Ai qëndron në faktin se sa opozita na thotë të vërtetën ose më mirë, se përse asaj i duhet të na gënjejë?  Mjafton të shikosh spotin më të cilin PD-ja fton njerëzit në mitingun e së shtunës, për të mos pasur frikë të përdorësh fjalën gënjeshtër. Askush nuk mund të besojë sot se vetëm në 15 muaj,  atyre njerëzve që u thuhej se po konkurronin ekonomikisht me Gjermaninë, sot janë shndërruar në subjekte në prag të vetëvrasjes. Askush nuk mund të besojë se edhe sikur Edi Rama të qenkësh një gjeni i së keqes, ai do ta kish pasur forcën për ta shndërruar kaq shpejt këtë tokë të premtuar në një vend të nëmur. Por, për të pasur sukses në 22 nëntor, kupola e PD-së beson se problemet reale duhen veshur edhe me këtë fabul absurde.

Në fakt, që mitingu i së shtunës, të kishte sukses, do të mjaftonte shumë më pak. Do të kish qenë e mjaftë të përmendeshin premtimet e pambajtura për rritjen e çmimit të energjisë. Do të kishin qenë të mjafta denoncimet për premtimet e gënjeshtërta për më pak taksa, më pak prishje godinash, më shumë drejtësi dhe barazi për të gjithë. Do të kishin mjaftuar vetëm sloganet e e pjesës së dytë të spotit të dalë nga selia blu, ku shqiptarët ftohen të ngrenë zërin “Kundër varfërisë”, ”Kundër rritjes së taksave”, “Kundër rritjes së çmimit të energjisë”. Kështu korteut të opozitës do të mund t’i bashkoheshin, me siguri, edhe ata qytetarë që (edhe pse mund të mos jenë anëtarë partish), duan të ushtrojnë presion ndaj qeverisë, për të arritur qëllimet e tyre. Po me sa duket lidershipit të sotëm të demokratëve nuk i duhet kjo shtresë, as zgjerimi i bazës së partisë me të. Asaj më shumë i intereson gënjeshtra, që pjell radikalizimin dhe mbajtjen shtrënguar të radhëve. Asaj më shumë i intereson fabula e shpikur sesa kauzat reale. Fatkeqësia është se këtë lloj opozite shqiptarët e kanë provuar edhe pesë vite më parë . Kur në verën e vitit 2009, Edi Rama filloi mandatin e dytë në opozitë, ai kishte shumë argumente dhe fakte për të vazhduar misionin e tij. Por ai zgjodhi një kauzë të rreme, vjedhjen e zgjedhjeve (pa prova, dhe pa fakte) për të ecur përpara. Natyrisht që një strategji e tillë, e radikalizoi partinë, i vuri përfund kundërshtarët brenda llojit dhe në një farë mënyre e absolutizoi figurën e kryetarit në parti. Por kur erdhi puna, katër vite më pas, kjo strategji nuk i dha atij asnjë deputet më shumë. Ai erdhi në pushtet, jo se i bindi shqiptarët, jo se fitoi me frymë, por thjeshtë se arriti të bëjë marrëveshje me pjesën më të errët të qeverisë së shkuar.

Këtë lloj opozite po tenton të përsërisë sot edhe Lulëzim Basha. Prandaj kur të vërtetat janë sheshit, ai ka nevojë edhe për gënjeshtrën. Ai përmes saj kërkon të tregojë radikalizëm dhe forcë. Ai tenton të sfumojë kundërshtarët e mundshëm brenda llojit. Ai rreket të fitojë zemrat e militantëve. Dhe në afat shkurtër mund ti arrijë të gjitha këto. Por në afatgjatë kjo nuk është një rrugë që të çon në fund të tunelit. Sepse ajo të bën të humbësh besimin e publikut. Të asaj pjese të paangazhuar, që kërkon të të dëgjojë kritikën e Shqipërisë reale, dhe jo pikturën fantazmagorike të një vendi ku njerëzit janë vënë në radhë për të vrarë veten. Nga mënyra se si po përgatitet mitingu i së shtunës, kjo pjesë është e përjashtuar.

“Lapsi.al”

 

 

SHKARKO APP