A mund të jetë përvoja e Rumanisë në BE një model për Shqipërinë?
Përurohet në Tiranë “Duke ardhur në Shtëpi në Evropë…nga Lindja”- A mund të jetë përvoja e aderimit të Rumanisë në Be një model për Shqipërinë? i autorit Mirçea Perpelea, Ambasador i Republikës së Rumanisë në Shqipëri
Nga Entela Binjaku
Pasditen e së hënës së datës 21 maj 2018 në mjediset e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë u përurua libri me titull “Duke ardhur në Shtëpi në Evropë…nga Lindja” – A mund të jetë përvoja e aderimit të Rumanisë në BE një model për Shqipërinë?” me autor Mirçea Perpelea. Shkëlqesia e Tij Zoti Mircea Perpelea ushtron detyrën e ambasadorit dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit rumun në Shqipëri. Ai është profesor në Shkollën Kombëtare të Shkencave Politike dhe Administrative (SNSPA), i diplomuar si inxhiner dhe ekonomist dhe mban titullin doktor në të dyja shkencat. Përpara se të vinte si ambasador në vendin tonë ai ka ushtruar funksionet e prefektit, të konsullit të Rumanisë në Francë dhe të Drejtuesit në Bankën Kombëtare të Rumanisë. Ai është autor i 11 librave në fushat e specialitetit dhe të letrave si autor i shumë punimeve të prezantuara dhe të botuara brenda dhe jashtë vendit. Libri i përuruar ditën e djeshme kushtohet përvojës rumune të integrimit në BE. Ky botim ngre pyetjen: A mund të jetë përvoja e aderimit të Rumanisë në Be një model për Shqipërinë? Libri është shqipëruar nga rumanishtja nga akademiku Kopi Kyçyku me mbështetjen e Institute for Research for Science and Development- IRSD, International European Academy- IEA Campus dhe Shoqatës së Arumunëve të Shqipërisë. Në fjalën drejtuar lexuesve dhe që shoqëron librin, autori thotë se dëshiron të paraqesë disa nga realitetet e një tranzicioni para dhe pas aderimit të Rumanisë në BE, shprehur kjo në argumente ekonomike. Me bindjen se “të dish më shumë nënkupton të gabosh më pak” autori fton lexuesit të njohin përvojën rumune.
Ceremoninë e përurimit mes një interesi të lartë pjesëmarrësish e drejtoi vetë shqipëruesi i librit, akademik Kopi Kyçyku i cili u shpreh se ky botim është si një model që ndoqi Rumania para se të hynte në BE në 1 janarin e vitit 2007. Më tej ai ja dha fjalën z. Luan Shahollari nga “Instituti Shqiptar i Sociologjisë”, i cili në fjalën e tij tha ndër të tjera se “ky punim synon të familjarizojë publikun me zhvillimet ekonomike përfshirë euron. Rënia e murit të Berlinit çeli rrugën e zhvillimit, rrugë në të cilën hyri edhe Rumania”. Ai përmendi disa nga ngjarjet kulmore të ndodhura në Rumani duke nisur që nga revolucioni i dhjetorit, zgjedhjet e para të lira e demokratike, duke u ndalur në zhvillimet mes viteve 1993-2007 kur nisi rrugëtimi i Rumanisë drejt familjes evropiane. Z. Shahollari foli për terma ekonomikë të zhvillimit të Rumanisë duke theksuar GDP-në e saj dy herë më të lartë se vendet e rajonit, më tej për zgjerimet që njohu BE ku Rumania bashkë më Bullgarinë ishin zgjerimi i katërt. Duke vijuar më tej edhe me Kroacinë shtet që duke ju bashkuar kësaj familjeje, e çoi numrin e shteteve anëtare në 28. Pas fjalës së z. Shahollari foli eksperti i ekonomisë z. Ramadan Kondi i cili po ashtu u përqëndrua në aspektet zhvillimore të Rumanisë në terma ekonomikë. Në emër të Akademisë së Shkencave i pranishëm në këtë takim, foli akademik Vaso Tole i cili duke sjellë në vëmendje 21 majin si ditën ndërkombëtare të diversitetit kulturor, theksoi disa prej çasteve historike që lidhin dy popujt tanë. Që nga himni i Flamurit i kompozuar nga Porumbescu, tek vargjet e shkruara prej Asdrenit, nga nisja e Ismail Qemalit prej Bukuresht për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, me tej kontributin e parë në arkën e shtetit shqiptar nga qeveria rumune e kohës etj. Në shenjë respekti për kontributin që vetë ambasadori Perpelea ka dhënë në forcimin e bashkëpunimit midis shteteve tona, z. Tole i dorëzoi një çertifikatë mirënjohjeje.
Shkëlqesia e Tij Zoti Mircea Perpelea u shpreh se ndjehej i lumtur të sillte disa gjëra që do të mund të jenë të dobishme për Shqipërinë. Ai falënderoi miqtë, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Shoqatën e Arumunëve dhe sigurisht familjen e tij që e mbështet përherë. Këështu në këtë atmosferë mirënjohjeje u mbyll kjo ceremoni e përzemërt dhe sinqertë.
“Duke ardhur në Shtëpi në Evropë…nga Lindja”- A mund të jetë përvoja e aderimit të Rumanisë në Be një model për Shqipërinë?” sjell në vemendje situatën ekonomike-shoqërore të Rumanisë në periudhën para aderimit në Bashkimin Evropian, rrugëtimin evropian gjatë një periudhe 14 vjeçare (1993-2007) të përshkruar nga ky shtet që nga firmosja e Marrëveshjes së Asociimit deri në aderimin në Bashkimin Evropian. Libri synon të pasqyrojë transformimet e prodhuara në Rumani gjatë 10 vjetëve pas aderimit. Duke qenë se monedha e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian është Euro, punimi propozon edhe familjarizimin e lexuesve me monedhën evropiane duke paraqitur edhe historikun e themelimit të saj, mbështetësit por edhe kritikët që ajo krijoi si dhe disa probleme të Rumanisë e gjendur përkrah shteteve të tjera në “paradhomën” e zonës euro. “Që të kuptosh Rumaninë e vitit 2006 duhet paraqitur Rumania e vitit 1989, viti i fundit i komunizmit, – që ju imponua rumunëve nga marrëveshje mes aleatëve fitues të Luftës së Dytë Botërore- sepse ky ishte edhe “çasti zero” të rikthimit të kapitalizmit dhe demokracisë!” –shprehet autori.
Autori e mbyll botimin me një panoramë të situatës aktuale të Rumanisë, me arritjet por dhe me dështimet e saj dhe me një përfundim optimist por të kushtëzuar nga një qëndrim i caktuar i vendimarrësve politikë sepse sipas autorit: “Përtej të gjitha aleancave ekonomike, politike dhe ushtarake, përtej të gjitha shifrave statistikore që pasqyrojnë marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore të një populli, populli në vetëvete, njerëzit konkretë që e përbëjnë atë, duhet të përbëjnë objektivin kryesor të cilitdo vendimarrës politik. Sepse në fund, nëse arritjet, sukseset e zhvillimit ekonomik dhe shoqërore nuk rigjenden edhe në ekzistencën e kombit në kushte jetese gjithnjë e më të mira, të gjitha këto “arritje” nuk janë veçse joshje kalimtare”.