A mundet Greqia ende të shmangë një Grexit?
Kur ministrat e Financave të eurozonës dolën nga një takim të shtunën në mbrëmje pa kolegun e tyre grek, Yanis Varoufakis, ata i kujtuan kujtdo se Greqia mbetej brenda monedhës së përbashkët.
“Është e qartë: Greqia mbetet një anëtar i eurozonës”, tha Wolfgang Schäuble, ministri i Financave i Gjermanisë. “Për më tepër, Greqia mbetet pjesë e Europës.”
Të dielën, në vend që të ulte huatë e emergjencës, që i mbajnë gjallë bankat e Greqisë, banka Qendrore Europiane (ECB) e fiksoi atë në 89 miliardë euro. Kjo nënkupton se bankat nuk mund të paguajnë më depozituesit që duan të tërheqin paratë e tyre — por në mënyrë kritike nënkupton se ato nuk digjen, shkruan FT.
Një pushim i bankave është njoftuar të dielën, por në rast se qeveria greke mund të gjejë një mënyrë për të dalë nga rrëmuja ku është futur aktualisht, bankat ende mund të hapen me euro në llogaritë e tyre. Në rast se ECB do të ndërpresë totalisht huatë e emergjencës, atëherë sistemi bankar në kolaps do të duhet të rihapet me një monedhë të re —dhe Grexit ka shumë të ngjarë të ndodhë.
Sfida më e madhe me të cilën përballet Athina është një pagesë huaje prej 1.5 miliard eurosh që i detyrohet FMN-së, që duhet bërë të martën. Pa fondet shpëtuese, ka të ngjarë të falimentojë. Por në terma praktikë, një mospagim ndaj FMN-së nuk do të thotë shumë kur vjen fjala për të qëndruar në euro.
Agjencitë e vlerësimit të kredisë kanë thënë tashmë se ato nuk do e marrin në konsideratë mospagesën ndaj FMN-së si një falimentim të plotë, duke qenë se atyre u intereson vetëm borxhi ndaj kreditorëve privatë.
Ndërsa marrëveshja shpëtuese e eurozonës iu mundëson huadhënësve të Greqisë të vënë në jetë klauzolat e mospagimit të kryqëzuar, në rast se FMN nuk paguhet — një çështje e diskutuar në takimin e ministrave të financës të së shtunës — nuk ka të ngjarë që qeveritë të ecin në këtë drejtim. Vendimi i ECB të dielën sinjalizon se ata kanë dëshirën që të mos i shënojnë detyrimet ndaj FMN-së.
Kjo mund të nënkuptojë që Greqia të shkojë në referendumin e të dielës së ardhshme me baka të mbyllura, por pa nevojën për të printuar para të reja. Alexis Tsipras, kryeministri grek ka thënë se, nëse do ketë një votë pro paketës — edhe pse ai vetë po bën fushatë aktivisht për jo —do të bënte që qeveria e tij të binte dakord me kërkesat e kreditorëve.
Por kjo ende mund ta vendosë Athinën para dy sfidave. Së pari, Jeroen Dijsselbloem, ministri holandez i Financave që kryeson Eurogrupin, tha se denoncimi i z. Tsipras ndaj planit të kreditorëve e ka bërë të pamundur që qeveritë e eurozonës t’i besojnë administratës greke për ta zbatuar këtë plan.
Këtë fundjave, për herë të parë, z. Varoufakis la të nënkuptohet se qeveria e tij ishte e përgatitur të rikompozonte kabinetin, ose edhe anëtarët e koalicionit, nëse do të kërkohej për të fituar sërish besimin.
Disa në partinë Syriza sugjerojnë edhe se qeveria mund të japë dorëheqjen nëse humb votën e të dielës. Kjo mund të çojë në krijimin e një qeveria teknokrate, të ngjashme me atë që udhëhoqi Greqinë në krizën e vitit 2011.
Zyrtarët e eurozonës kanë thënë se edhe një parti jo-Syriza mund të përballet me vështirësi. Për shkak të skadimit të paketës shpëtuese të martën, çdo qeveri post referendum do të duhet të kërkojë një program tërësisht të ri. Në bazë të traktatit që qeveris paketat shpëtuese, kjo do të kërkonte miratimin e të gjithë qeverive të eurozonës. Në rastin e Gjermanisë, kjo do të kërkonte votimin e Bundestag.
Një qeveri e re do të duhet të negocionte një paketë shpëtuese tërësisht të re— megjithëse zyrtarët e pranojnë se oferta aktuale mund të shërbejë si bazë për një paketë të re shpëtuese.
E gjitha kjo duhet të përfundojë deri në 20 korrik, kur Greqia i detyrohet ECB-së 3.5 miliardë euro për një ripagim obligacionesh. Mospagimi i ECB-së mund t’u jepte pothuajse tërësisht fund shpresave për të siguruar një paketë të re shpëtuese dhe për të shmangur Grexit-in.
Monitor