A ngjajnë bojkotet e PS dhe PD?
Duket si revansh, si hakmarrje bojkoti i PD-së këto gjashtë muaj ndaj bojkotit të PS-së, kur kjo ishte në opozitë me Qeveritë e Sali Berishës. Me sa shihet po kopjohet e njëjta skemë poltike. Bojkot deri në orët e fundit, pastaj kthim në Parlament sa për të mos shkelur Kushtetutën. Më pas një tjetër “Krokodil” i ri dhe përsëri bojkot, mitingje, greva urie etj. Le të analizojmë kauzat dhe arsyet, që kishin secila palë me këtë strategji bojkoti në të bërit politikë, ku Mëmë Europës i duhet që përsëri të mos na lëshojë nga dora, sepse përndryshe shembim për tokë Shqipërinë. Në 2005 –ën, PS-ja bojkotoi Parlamentin, sepse Sali Berisha nuk hiqi dorë nga zanati i vjedhjes e manipulimit të votave të shqiptarëve. Duke përfituar nga keqqeverisja e Nanos, nga votat e LSI-së, shtuar dhe manipulimin e vjedhjet e votave prej tij, arriti të rikuperojë vetëshkatërrimin e madh politik të 97-ës dhe rikthye në krye të qeverisjes së shqiptarëve. Më pas Ai, vjedhjen e votave për Bashkinë e Tiranës, e bëri lojë ditën për diell. PS-ja, për këto arsye kryesore e bojkotoi Parlamentin dhe për një kohë të gjatë nuk e njohu rezultatin e zgjedhjeve. Greva e urisë që socialistët me Edi Ramën në krye organizuan në bulevard para Kryeministrisë, i çoi palët në ndërmjetësinë e europinëve në restorant “Krokodili”. Pikërisht në një restorant, sepse ndoshta europianët e dinin se shqiptarët të gjitha punët e tavolinës i bëjnë vetëm klubeve e restorantëve. Sali Berisha përsëri nuk i mbajti asnjë nga pikat e marrëveshjes që u bë në “Krokodil”. Ndaj socialistët mezi pritën autovidion e Dritan Priftit për t’iu lëshuar jo vetëm Saliut, por edhe LSI. Kështu, 11 janari u solli në shesh socialistëve thuajse aq njerëz sa i erdhën së fundmi edhe Lul Bashës. Por një dallim i madh edhe midis mitingjeve të dyja palëve është se këta të PD-së, para Kryeministrisë, gjetën vetëm ca gra e vajza të veshura police, të cilat nuk të imponojnë urrejtje, por vetëm respekt. Ndërsa socialistët në mitingun e 11 janarit kundër Qeverisë së Saliut e Lulit e gjetën Kryeministrinë të blinduar, me gjithë forcën e shtetit. Madje, dhe vetë Saliu brenda e Luli mbi tarracë ishin veshur me antiplumb dhe kallash në dorë, duke drejtuar gjithë ankth pushtetrrethimin. Skena tragjike dhe qesharake ato, kur i kujton sot, pasi shteti dhe pushteti në një vend demokratik të NATOS janë prona të popullit. Saliu e Luli, siç duket, mbronin abuzimet me pushtetin e tyre personal, ndaj ngjasonin si dy të ngujuar në një kullë të vjetër të Tropojës, për t’u mbrojtur nga hasmit serbë që i kishin rrethuar, ndaj guxuan të gjuajnë në publik, duke vrarë 4 njerëz krejt të pafajshëm dhe plagosur edhe gazetarët në podet e xhirimeve.
Bojkoti i PD-së ka kauza dhe arsye të drejta sot? Të shumtë janë ata që mendojnë se ikën nga parlamenti nga frika se Ndoka, Prenga apo Nderu do të rrihnin edhe Sali Berishën, pas Strazimirit. E them këtë, sepse kush e ka dëgjuar se si shanë, se si sillet e kapardiset Strazimiri në parlament e media, mendoj se thonë që atë rrip e ato shuplaka i pat hak. Megjithatë, në princip braktisja e parlamentit për dhunën fizike ndaj një deputeti, duket një kauzë e drejtë. Por qëndrimi kaq gjatë jashtë tij dhe braktisja e votëbesimit të zgjedhësve, nuk duket e tillë. Nga ana tjetër pyesim, a nuk do të ishte e drejtë që të gjykoheshin për gojën e ndyrë edhe Strazimiri e sidomos Sali Beisha, i cili është shkaktari dhe nxitësi kryesor edhe i atij sherri? PD-ja ka vënë dhe kushte që të pastrohej Parlamenti e politika nga elementët kriminalë. Edhe kjo në dukje është kauzë shumë e drejtë. Por na duket se me dashje harrojnë që, kjo është thikë me dy maja dhe këtë nuk ka shqiptar që nuk e di. Nëse ka në PS elementë të tillë, ka po kaq e më shumë edhe në PD. Ndaj, po qe se do ta dish se sa dhëmb një plagë e tillë, “drejtoje majën e thikës edhe nga tjetri, edhe nga vetja”,- thotë populli. Pyetja shtrohet, nëse PD-ja është e gatshme të pastrojë edhe radhët e veta, kur këtë e kërkon nga PS-ja? Mua më duket se është e kotë që këtë ta presin shqiptarët nga Sali Berisha dhe Basha. Ata të bëjnë hero kur kanë interes, apo kur je në radhët e tyre. Por të quajnë mafioz e kriminel, kur je në krahun tjetër. A nuk ka ndodhur kështu edhe me deputetin e sotëm të PS-së Ndoka, i cili dje ishte zyrtarë i lartë i Qeverisë Berisha. Apo dhe me Arben Ristanin, dje i dënuar me urdhër të Berishës për korrupsion, ndërsa sot e zgjodhën Sekretar të Përgjithshëm të PD-së, mbase vetëm pse u firmosi dy vjedhje zgjedhjesh. Luli dhe Saliu vijojnë t’i kërkojnë Ramës të largojë deputet nga Parlamenti, duke e menduar atë si Saliun, i cili vetë shkruante e vetë vuloste. Por ndërhyrja e Prokurorisë dhe dërgimi i çështjes në Gjykatën e Lartë, ia zbeh ose ia shuan PD-së kauzën kryesore të bojkotit. Ndërsa kauza tjetër, ajo e mos zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është si të kërkosh qiqra në hell, sepse thjeshtë nuk ekziston. Madje, të vjen të qeshësh kur kujtojmë se çfarë ka bërë PD-ja e Sali Berisha me Mark Abditë e vendimet e Kushtetueses, të cilat sa herë ishin kundër dëshirave të tij, thjeshtë i injoronte. Kjo i bën groteske dhe të pabesueshme këto lloj kauzash të PD-së për të braktisur parlamentin, por dhe reformat jetike për të cilat ka nevojë vendi. Kjo bën që bojkoti të duket thjeshtë një pretekst politik, për të vijuar mosnjohjen e votës dhe vullnetit të popullit shqiptar në zgjedhjet e 2013-s, të duket thjeshtë përpjekje për të penguar Qeverinë në realizimin e reformave dhe ushtrimin e detyrave kushtetuese, të duket xhelozi e sëmurë për rezultatet që ajo po arrin në rikthimin e rregullit e ligjshmërisë në vend.