A po krijohet një grup i ri në PD? Lubonja: Dy format si sfidohet lidershipi i Berishës
Analisti Fatos Lubonja komentoi takimin informal të disa prej eksponentëve të Partisë Demokratike që rezultuan ndër më të votuarit në primare dhe në listat e hapura të zgjedhjeve të 11 majit. Sipas tij, ky takim nuk përbën një lëvizje të strukturuar brenda partisë, por pasqyron një shqetësim të brendshëm të një grupi demokratësh që nuk po arrijnë të artikulojnë hapur mendimet e tyre.
”Nuk është lëvizje brenda partisë. Ka një shqetësim të një grupi brenda PD, të cilët nuk janë aq transparentë. Nuk i thonë të gjitha ato që mendojnë, edhe për arsye politike. Ata i sillen vërdallë problemit, por nuk vendosin dot gishtin mbi i”,-thaLubonja.
Për të në bazën e gjërë demokratike dhe në shoqëri qarkullon një bindje e thjeshtë: opozita nuk mund të fitojë sa kohë Sali Berisha drejton PD-në. Ai shtoi se shumë prej figurave të përfshira në këtë takim e njohin realitetin, por shmangin ta thonë hapur, pasi Berisha dhe rrethi i tij kanë më shumë pushtet brenda partisë. Për ta, sipas Lubonjës, sfida është si të ngrihet kjo çështje pa shkaktuar një tjetër përçarje të PD-së.
Lubonja argumentoi se lidershipi i Berishës mund të sfidohet në dy forma. E para, “rruga e butë”, përmes sugjerimeve dhe ndërgjegjësimit gradual, ku Berisha mund të tërhiqet vetë. E dyta rruga e fortë që përfshin sfidim direkt dhe garë të hapur brenda partisë, diçka që sipas tij PD nuk e ka të ndërtuar në mënyrë funksionale.
”Intuita ime thotë se këta do të dështojnë me rrugën e fortë. Do u thonë që janë blerë nga Rama, etj. Rrugën duhet ta gjejnë vetë, përmes transparencës në parti. Berisha e njeh këtë problem, nuk është se nuk e njeh”,-përfundoi Lubonja.
KOHA JONË SONDAZH

