A u urdhërua përdhunimi i dy motrave?

Më shumë se 100 mijë persona kanë nënshkruar një peticion, drejtuar Amnesty International, pas dyshimeve se këshilli i një fshati në Indi ka urdhëruar përdhunimin e dy vajzave si ndëshkim pasi vëllai i tyre është arratisur me një vajzë të një kaste më të lartë. Por si është e vërteta?

Nga Sanjoy Majumder, BBC

Fshati Sankraud është vetëm një orë me makinë larg Delhit. Rrugët e ngushta dhe të pluhurosura janë tipike për këtë zonë. Ato pak gra që sheh, e kanë fytyrën të mbuluar. Por Sankraud ka marrë një nam të keq. Këtu thuhet se këshilli i fshatit, i përbërë vetëm nga meshkuj, ka urdhëruar përdhunimin e dy motrave për shkak se vëllai i tyre u arratis me një vajzë nga një kastë më e lartë.Në rrugë dhe në dyqane, njerëzit janë të zemëruar me fokusin tek një ngjarje, që thuhet se nuk ka ndodhur.

“Kemi lexuar në gazeta se një deputet britanik ka shprehur shqetësim për të ashtuquajturin trajtim të turpshëm të grave në fshatin tonë,” thotë një i moshuar. “Raportimet janë krejtësisht false”. “Ne jemi kaq të turpëruar që fshati ynë është në lajme për diçka që nuk ka ndodhur,” bërtet një i ri. “Ndjehemi të çnderuar”. Është një temë që shfaqet shpesh këtu, nderi dhe çnderimi.

Në zyrën e një avokati në Delhi, një nga motrat e dyshuara se është kërcënuar, kërkon ndihmë ligjore. Ajo i ka dërguar një letër Gjykatës Supreme për të urdhëruar policinë që ta mbrojë. Që prej incidentit, ajo thotë se familja e saj është abuzuar dhe kërcënuar nga të afërmit e vajzës, nga një kastë më e lartë, duke u kërkuar që të largohen nga fshati.

“I gjithë fshati e di se vëllai im dhe ajo vajzë ishin të dashuruar”. “Por familja e saj ishte kundër. Ata thonë se ju na keni çnderuar dhe tani do u çnderojmë edhe në. Janë kastë më e lartë, janë të aftë për çdo gjë”. Ata kanë frikë edhe për sigurinë e vajzës, e cila është rikthyer në familjen e saj. Kthehem në fshat dhe vizitoj shtëpinë e saj. Të afërmit dhe të moshuarit e fshatit janë ulur jashtë, disa po tymosin. Një turmë kurioze nis e mblidhet.

“Janë të gjithë gënjeshtra,” thotë kushëriri i saj. “Ajo nuk iku kurrë me dëshirë. Nuk ishte histori dashurie”. Më në fund mund të flas me të nën mbikëqyrjen e dy kushërinjve të saj meshkuj. Dy dyer më tutje është shtëpia e personit me të cilin thuhet se u largua. Është e lehtë të imagjinosh se si u takuan dhe si u arratisën. Por kur flet me mua, ajo më jep një tjetër version. “Thuajse nuk e njoh fare atë tipin,” thotë me sytë e ulur përtokë. “Nuk ia dija emrin. Më mashtroi duke më thënë se do më gjente një punë. Më mbajti kundër vullnetit tim”. Është e vështirë që të kuptosh nëse flet me vullnetin e saj të lirë, por përgjigjet duken të parapërgatitura.

Por pas reagimit global, forca policore ekstra janë dërguar në fshat. Një zyrtar policie thotë se beson se vajza është larguar me vullnetin e saj. “Por në hetimet tona nuk kemi zbuluar ndonjë provë që këshilli i fshatit është mbledhur dhe ka dhënë ndonjë urdhër ndaj dikujt”. Ia bëjmë këtë pyetje drejtuesve të Amnesty në Indi.

Një zyrtar thotë se nuk kanë qenë në terren dhe nuk kanë vizituar fshatin. Por duket se i gjithë debati ka zhvendosur fokusin, ndoshta në mënyrë të panevojshme, nga një çift që përballet me presion të fortë social, tek një urdhër i këshillit të fshatit. Është një realitet që e ndesh kudo në Indinë rurale.

SHKARKO APP