Abuzimet e grupit “Gjika”, Prokuroria dhe Gjykata

Pas shpalljes së pafajshëm të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, nga Gjykata e shkallës së Parë të Tiranës, Prokuroria e Vlorës ka ndërmarrë hapin e bërë tashmë praktik prej saj, atë të apelimit të vendimit të pafajësisë. Një veprim i drejtë ky po të kihet parasysh hendeku që ekziston midis asaj çka kjo Prokurori kërkoi në pretencën e vet dhe vendimit të dhënë nga gjyqësori.

Janë konkluzione dhe vendime ekstremisht të kundërta, për vetë faktin se pas grumbullimit të provave e fakteve Prokuroria ka konkluduar se Shpëtim Gjika, dhe grupi i zyrtarëve të varur prej tij, janë fajtorë. Çka do të thotë se pas hetimit ka rezultuar se ata kanë konsumuar veprën penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”.  Gjë për të cilën Prokuroria i ka kërkuar trupit gjykues të çështjes dënimin e kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika me  katër vite burg e tre vjet heqjen e të drejtës për të ushtruar  funksionet publike, dënimin e Eleni Dardhajt me tre vjet burg e tre vjet heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike. Por fajtor ka shpallur Prokuroria edhe Gentian Sherifajn, për të cilin ka kërkuar dënimin me dy vjet burg, si dhe  Blerdi Liçajn, duke i kërkuar Gjykatës dënimin me dy vjet e gjashtë muaj burg.

Këto janë kërkesat e organit të Prokurorisë, adresuar trupit gjykues të Gjykatës së Tiranës, në fund të hetimit gjyqësor të çështjes. Konkluzione dhe kërkesa që, jo vetëm nuk janë marrë parasysh, por janë hedhur tërësisht poshtë, nga gjykata, e cila ka vendimuar ekstremisht shpalljen të pafajshëm të të fajësuarve, me fakte e prova nga Prokuroria vlonjate. Sigurisht ky nuk është rasti i parë. Nuk është e para herë, që dy organe të të njëjtit sistem drejtësie të luajnë kaq ekstremisht me vendimmarrjet përkatëse. Pjesë e këtij dualiteti absurd kanë qenë edhe jo pak raste të tjera. Madje edhe të tilla që nga dënim me  burgim të përjetshëm i kërkuar prej Prokurorisë të konvertohet në pafajësi prej Gjykatës. Prej gjykatave që luajnë me drejtësinë fare hapur dhe ashiqare padrejtësisht, a thua se kanë para jo një organ hetimi, pjesë po e të njëjtit sistem drejtësie, jo kolegë po aq të interesuar për të nxjerrë të vërtetën dhe dhënë drejtësi, por një grup bashibozukësh të sistemit të drejtësisë që kënaqësohen duke i trashur fajësitë ndaj njërit e tjetrit.

Rasti i dhënies së pafajësisë ndaj kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe grupit të zyrtarëve të tij, ndërkohë që jo vetëm vlonjatët por gjithë shqiptarët e dinë se veprimet për të cilat ata akuzohen janë ashiqare të vërtetuara, madje të publikuara edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili pikërisht për këtë dijeni inspiroi penalizimin e Gjikës, është tregues evident i faktit se gjykatat tek ne nuk kanë ndonjë ndryshim nga merkatot e gjësë së gjallë. Sepse nëse nuk do të funksiononin si të tilla por si gjykata të vërteta drejtësie, nuk do të ndodhte kurrë që Shpëtim Gjika dhe grupi i zyrtarëve të përfshirë në këtë proces të dilnin pa lagur, ndërkohë që, sikurse është publikuar, brenda dosjes së tyre hetimore, përveç të tjerave, gjenden madje edhe shkresa të firmosura nga persona të vdekur. “Gjykata nuk është shprehur dhe nuk ka analizuar faktin që subjektet private kanë marrë leje ndërtimi në vitin 2010, ndërkohë që ato janë regjistruar në vitin 2011, pra një vit pasi kanë marrë leje ndërtimi”,- lexohet në një ndër pikat e konsideruara si “provë e pakontestueshme” në apelimin e çështjes nga Prokuroria. E cila, vendimin e dhenë nga Gjykata e Shkallës së Parë e vlerëson si të rrjedhur nga vlerësimi i gabuar i provave, por edhe si pasojë e mosshqyrtimit të provave të paraqitura nga akuza. Dhe kështu, pas njëzetë e shtatë seancave gjyqësore, dosja për kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika dhe grupin e zyrtarëve të tij, u mbyll me pafajësi. Gjykata e Tiranës e shpalli atë të pafajshëm për akuzat e ngritur nga Prokuroria “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”. A do të jetë kjo loja e fundit me drejtësinë e kthyer në treg të gjësë së gjallë?

SHKARKO APP