Administrata publike në këndvështrimin e auditimeve të KLSH
Nga Gjovalin Preçi*
Duhet theksuar që në krye të herës se, performance e administratës publike ka qenë në mënyrë të vazhdueshme çështje e veçantë e veprimtarisë së KLSH në të gjitha llojet e auditimit dhe pothuajse në të gjitha subjektet e audituara. Kjo për vetë faktin se aktiviteti i nëpunësve publik jo vetëm që është i lidhur drejtpërdrejtë me sasinë dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, por në të njëjtën kohë dhe me përdorimin me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të parasë publike për paga, shpërblime, trajnime etj. Në konceptin e administratës përfshihet veprimtaria e cilitdo enti ose personi, i cili ka për qëllim t’u shërbej interesave të përgjithshme të popullsisë, pra përfshirë punonjësit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me Kodin e punës ashtu edhe marrëdhëniet e shërbimit civil.
KLSH e ka konsideruar performancën e administratës publike elementin kyç në miradministrimin fondeve dhe të pasurisë së vendit, me pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, financiare dhe sociale. Në funksion të këtij qëllimi, auditimet e kryera kanë mbyllur ciklin e plotë të punonjësve publikë, duke u nisur që nga struktura organike e rekrutimi dhe duke përfunduar me vlerësimin, masat disiplinore dhe largimet nga puna.
Në auditimet e kryera një vëmendje të veçantë i kushtohet emërimit dhe largimit të titullarëve të enteve publike, pasi ato janë përgjegjësit e menaxhimit të administratës që kryen shërbim për taksapaguesit dhe popullatën në tërësi. Fatkeqësisht konstatohen lëvizje të shpeshta të drejtuesve publik dhe për më tepër që nuk plotësojnë kriteret përkatëse të të qenit në krye të institucionit, Kështu p.sh. në auditimin e performancës së sigurisë ushqimore, të ushtruar në AKU, kanë rezultuar pesë lëvizje të Drejtorëve të përgjithshëm të AKU-së gjatë pesë vjetëve të fundit; pas vitit 2016 Ministri i Bujqësisë ka propozuar dhe Kryeministri ka emëruar në dy raste Drejtorin e Përgjithshëm në mungesë të plotësimit të kritereve të vendosura për përvojën në punë në administratën shtetërore me më pak se 5 vjet, si dhe në përgjithësi shkarkimi i tyre është bërë në kundërshtim me VKM nr. 173, datë 7.3.2003, duke ndikuar negativisht në performancën e AKU-së në tërësi
Zbatimi të strukturës organike në numër dhe pozicione pune brenda saj është një çështje e rëndësishme auditimi, për shkak se mungesat në numër qoftë edhe për periudha të shkurtra kohore ndikojnë në produktet e shërbimit ndaj qytetarëve. Në AKU për periudhën shkurt 2014 prill 2016 ka pasur 21 pozicione pune të lira, të cilat përbëjnë 5 % të punonjësve gjithsej, si dhe 12 punonjës me emërim të përkohshëm, pas hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil, duke munguar plotësisht ose pjesërisht performanca e një numri të konsiderueshëm specialistësh, si dhe duke ndikuar negativisht në përmirësimin e sigurisë ushqimore në vend.
Një elementë i rëndësishëm i performancës së administratës publike mbetet çështja e rekrutimit të punonjësve, jo vetëm në vendosjen e kritereve të duhura të profesionit bazë dhe atij shtesë, nivelit dhe llojit të shkollimit, përvojës në punë, trajnimeve të fituara etj., por edhe për të siguruar qëndrueshmëri dhe rritje të cilësisë së punës në administratë. Analizat gjatë auditiveve të kryera, tregon se drejtuesit e institucioneve janë të prirur në përgjithësi për t’ju gjetur njerëzve punë dhe jo për të garantuar realizimin e punës me personin e duhur. Auditmi në AKU ka demonstruar se 6 zooteknikë (Durrës, Korçë, Gjirokastër, Kukës dhe Vlorë) duhet të inspektojnë mishin, gjënë e gjallë dhe produktet e tjera me origjinë shtazore; ose mësuesi i bio-kimisë apo të kimisë industriale duhet të inspektojnë mallrat e importuara joshtazore në Han të Hotit, Durrës, Vlorë dhe Kakavijë, që në fakt e cenojnë sigurinë ushqimore dhe nuk e përmirësojnë atë.
Trajnimet e administratës publike janë trajtuar si një element me ndikim të konsiderueshëm në rritjen dhe përmirësimin e performancës së administratës publike. Nga auditimet ka rezultuar se trajnimet nuk janë masive, por të përqendruar kryesisht në drejtuesit e nivelit të lartë; temat e zhvilluara në të shumtën e herës i shërbejnë pak profilit të caktuar të specialistëve; pothuajse nuk kanë gjetur zbatim në veprimtarinë e përditshme të tyre etj. Kështu, nga auditimi në AKU, rezulton se inspektorët kanë pasur trajnime sporadike, përgjithësisht të përqendruara në Drejtorinë e Përgjithshme dhe shumë pak specialistët e rajoneve, si dhe kanë munguar kryesisht dhe veçanërisht ato për inspektimin e inspektorët. Inspektorët e AKU nuk i janë nënshtruar trajnimit të detyrueshëm dhe testimit profesional fillestar përpara konfirmimit në përfundim të periudhës së provës dhe testimit periodik në bazë të një provimi që duhej të organizohej nga Inspektorati Qendror. Kjo jo vetëm që do të bënte më të përgjegjshëm inspektorët, por në rast të mos-kalimit periodik detyrimisht do të shkaktonte largimin nga detyra të inspektorëve
Në të shumtën e rasteve të auditimit vlerësimi i veprimtarisë së punonjësve publik është i karakterit formal, pasi mungojnë indikatorët përkatës për pozicionin e punës së gjithsecilit, duke bërë që “nota”, ambicia për karrierë dhe masat disiplinore të përcaktohen nga miqësia me eprorin direkt dhe titullarin. Kjo jo vetëm që sjell mungesë përgjegjësie të administratës publike ndaj taksapaguesve, por nxit parazitizmin dhe ul ndjeshëm efektivitetin e shpenzimeve për pagat e punonjësve publik.
Problemi më i madh në performancës e administratës publike mbeten largimet nga puna, jo vetëm se largohen kapacitete profesionale të trajnuara, humbet memoria institucionale, zëvendësimet shoqërohen me ulje të cilësisë së shërbimeve etj., por dhe për shkak të kostos financiare për buxhetin e shtetit në shpenzimet për pagesat në rastin e largimeve të paligjshme. Sipas të dhënave financiare të AKU në vitin 2014 është larguar 32.9 % e gjithë stafit dhe specialistëve të AKU, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve pa shkaqe të përligjura, e cila reflektohet në pagesat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të largimit nga puna të cilat tejkalojnë 10 % të fondit të pagave gjithsej. Mjafton të cilësojmë së në periudhën e audituar 2012-2016 këto shpenzime arrijnë mbi 78 milion lekë, të cilët kalojnë disa herë investimet e kësaj periudhe.
Trajtimi me integritet, profesionalizëm, objektivitet dhe në përputhje me standardet e auditimit të kësaj problematike dhe më gjerë mbi performancën e administratës publike, KLSH ka ndikuar në rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe përdorimit me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të parasë publike. Duke mos u ndalur vetëm në konstatime, KLSH me auditimet e realizuara ka bërë të mundur evidentimin e përgjegjësive materiale, disiplinore, administrative dhe penale të punonjësve publik. Kështu në vitin 2016 në 154 auditime të kryera janë rekomanduar 1490 masa disiplinore dhe administrative të llojeve të ndryshme deri në largim nga puna dhe për niveli të ndryshme drejtuesish dhe punonjësish, si dhe janë 191 persona të kallëzuar penalisht në 49 raste. Në këtë mënyrë, ashtu siç ka theksuar Kryetari i KLSH-së zoti Bujar Leskaj, “KLSH nëpërmjet veprimtarisë audituese ka synuar në kontribuimin dhe ndikimin e drejtpërdrejtë dhe me një impakt të fuqishëm në ndryshimin e jetës së qytetarëve udhëhequr kjo nga orientimet e ISSAI 12 “Vlerat dhe përfitimet e Institucioneve Supreme të Auditimit”.
*Autori është Drejtor në KLSH