Administrata, si funksionojnë postet e hierarkia brenda saj
Administrata shtetërore duke nisur që nga ky vit do të ketë një organizim të ri të brendshëm të saj. Përcaktuar kjo me anë të një vendimi të posaçëm të qeverisë, tashmë i zyrtarizuar, sipas të cilit, riorganizohen gjithë kabinetet ndihmëse të institucioneve që i përkasin këtij lloji administrate. “Rekomandohen drejtuesit e institucioneve qendrore të pavarura dhe të sistemit gjyqësor e të prokurorisë të zbatojnë të njëjtat standarde gjatë hartimit të strukturave organizative për administratat e institucioneve të tyre”, vlerëson gjithashtu vendimi në fjalë. Duke nënkuptuar në këtë mënyrë që edhe sistemet e drejtësisë do të funksionojnë sa u përket organizimit të tyre në të njëjtën mënyrë si administrata e lartpërmendur. “Institucionet e administratës shtetërore të organizohen mbështetur në parimin e hierarkisë, sipas të cilit vartësit, në çdo nivel, duhet të ndjekin zinxhirin vendimmarrës dhe të komunikojnë me eprorët e tyre vetëm nëpërmjet eprorit më të afërt në hierarki”, vlerëson gjithashtu ky vendim. Për të detajuar më tej se marrëdhëniet mes strukturave horizontale janë marrëdhënie bashkëpunimi. Ndërsa shton se strukturat organizative për kryerjen e funksioneve administrative në institucionet e administratës shtetërore veçojnë në përmbajtjen e tyre tri nivele: Funksionarë politikë; Nëpunës civilë dhe Punonjës administrativë. Ndërsa funksionarët politikë në ministritë e linjës organizohen brenda kabinetit të ministrit. Ku ky kabinet drejtohet nga drejtori i kabinetit, i cili përgjigjet para ministrit dhe nuk është pjesë e hierarkisë administrative. Kabineti përbëhet nga: a) këshilltarët, që emërohen nga ministri. Numri i këshilltarëve, përfshirë drejtorin e kabinetit, nuk mund të jetë më shumë se 9 veta; b) sekretaria që ka për detyrë të ndihmojë veprimtarinë e zyrës së ministrit dhe ndërveprimin ndërmjet ministrit e punonjësve të ministrisë. Numri i punonjësve të sekretarisë nuk mund të jetë më shumë së 2 veta. Kurse sa i përket shërbimit civil, sqarohet se nëpunësi civil përpunon dhe analizon informacionin, në bazë të të cilit formulohen projektet e politikës, duke ndjekur hierarkinë e shërbimit civil. Ky nivel bën edhe monitorimin e zbatimit të vendimeve në fushën përkatëse që mbulon ministria. “Përfaqësuesi më i lartë i këtij shërbimi është sekretari i Përgjithshëm”, citon VKM-ja.
Përbërja e kabinetit
– Drejtori i kabinetit, i cili përgjigjet para ministrit
– Këshilltarët që emërohen nga ministri, jo mbi 9
– Sekretaria që ndihmon zyrën e ministrit, jo mbi 2
FUNKSIONET
Ato që kryhen nga institucionet e administratës shtetërore, në sistem ministror, grupohen në fushat kryesore si më poshtë:
a) Funksione politikëbërëse
Si rregull, kryhen nga aparatet e Kryeministrisë e të ministrive.
b) Funksione rregullatore
Kryhen nga degët e ministrive dhe/ose institucionet në varësi të tyre ose funksioni mund të vendoset në aparatin e ministrisë.
c) Ofrim i shërbimeve
Kryhet nga degët e ministrive dhe/ose institucionet në varësi të tyre ose funksioni mund të vendoset në aparatin e ministrisë.
ç) Funksione horizontale
Përfshihen funksionet e shërbimeve mbështetëse, funksionet e
financave dhe të auditimit të brendshëm dhe si rregull, kryhen nga vetë ministria apo institucioni i varësisë.
KATEGORIZIMET
Si ndahen departamentet
dhe drejtoritë e ministrive?
Institucionet e administratës shtetërore përbëhen nga njësi organizative të cilat krijohen në bazë të identifikimit të kompetencave kryesore. Pozicionet, që kryejnë funksione të së njëjtës fushë, grupohen në sektorë, drejtori dhe drejtori të përgjithshme, në rast së plotësohet standardi numerik për krijimin e njësisë organizative respektive, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Kurse pozicionet që kryejnë funksione të ngjashme, grupohen në të njëjtën njësi organizative. Departamentet janë njësi organizative të veçanta, të cilat mbulojnë një funksion të rëndësishëm vetëm të politikëbërjes dhe krijohen vetëm në Kryeministri, ndërsa në institucionet e tjera, në rastet kur përmenden në një ligj të veçantë. Degët e ministrive drejtohen nga titullari i degës. Në rastin kur dega është e organizuar në nivel drejtorie, njësia më e lartë organizative brenda saj është sektori. Në degët e ministrive dhe në institucionet e varësisë, të cilat kanë një numër të reduktuar të stafit deri në 10 pozicione, struktura e brendshme si rregull duhet të jetë e sheshtë, me vetëm një pozicion drejtues dhe të gjitha pozicionet e tjera që i raportojnë atij. Degët e ministrive dhe institucionet e varësisë kanë një varësi funksionale edhe nga drejtoria e përgjithshme e cila mbulon fushën e veprimtarisë së tyre. Në rast së për funksionin që ato kryejnë nuk ekziston një drejtori e përgjithshme specifike, atëherë ato kanë një varësi funksionale nga drejtoria e përgjithshme e politikëbërjes në ministri. Në rast së vlerësimi i pozicionit të punës për titullarin e institucionit të varësisë është i barabartë ose më i lartë së vlerësimi i pozicionit të punës për drejtorin e përgjithshëm në ministri, atëherë institucioni e ka këtë varësi funksionale nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë. Një drejtori mund të krijohet nëse ka në përbërje të saj të paktën dy sektorë ose nëse ka të paktën 5 punonjës. Kurse një drejtori e përgjithshme në aparatin e Kryeministrisë apo ministrive të linjës mund të krijohet nëse ka në përbërje të saj të paktën dy drejtori. Në çdo institucion, i cili ka të paktën 15 pozicione pune, duhet të ketë të paktën një pozicion të dedikuar për funksionet e lidhura me financat e institucionit. Në rastet e institucioneve me më pak së 15 pozicione pune, ky funksion mund të kryhet nga institucioni qendror nga i cili varet institucioni apo institucioni qendror përcakton së nga kush do të kryhet funksioni. Në institucionet e vogla, pozicionit të ngarkuar me financat mund t’i ngarkohen edhe funksione të tjera shtesë. Kurse në institucionet, që kanë të paktën 30 pozicione pune, duhet të ekzistojë një pozicion pune për menaxhimin e burimeve njerëzore.