Aeroporte, plazhe dhe hekurudha: çfarë duhet të shesë tani Greqia?

Qeveria e Greqisë është detyruar të shesë sa më shumë prona shtetërore për të mbushur arkën dhe shmangur falimentimin.

Në faqen e internetit të Fondit Grek të Privatizimit të interesuarit mund të gjejnë pothuaj gjithçka. Porte, plazhe, aeroporte, hekurudha.

Gazeta bulevardeske gjermane «Bild», e cila mbi krizën greke ka raportuar shpesh me ton skandaloz dhe nënçmues, u pat bërë thirrje grekëve që t’i shesin ishujt për të shpëtuar nga falimentimi. Me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes vendeve të eurozonës qeveria në Athinë është obliguar të shesë sa më shumë prona shtetërore për të mbushur arkën e buxhetit.

Si prona që mund të shiten përmenden porti i jahteve në ishullin Hidra, Marina Alimos para Athinës, plazhe, aeroporte rajonale, hekurudha. Ajo që bie në sy menjëherë: firma gjermane «Fraport» dhe partneri i saj grek, sipas një raporti të gazetës «Süddeutsche Zeitung», në vitin 2014 kanë fituar të drejtën për të marrë me licencë 14 aeroporte rajonale. Pas fitores së partisë Syriza në zgjedhjet parlamentare kontrata mbeti e parealizuar.

Tani «Fraport» mund të shpresojë se do t’i marrë aeroportet në ishujt Korfu, Mikonos, Rodos dhe Santorin. Kjo, sipas gazetës gjermane, do t’i sjellë arkës greke 1,2 miliardë euro. Që nga viti 2008 portin e Pireut e menaxhon një kompani kineze. Rusia ka shprehur interes për t’i blerë hekurudhat shtetërore të Greqisë. Siç njofton më tutje «Süddeutsche Zeitung» privatizimi i lotarisë kombëtare OPAP nga ana e një konsorciumi çekogrek ka qenë i suksesshëm. Sado cinike të tingëllojë: në kohëra krize njerëzit luajnë më shumë loto.

Në Greqi po hapen gjithnjë e më shumë dyqane të OPAP­it. Shitja e lotarisë kombëtare i ka sjellë Greqisë 712 milionë euro. Në Bruksel ishte zhvilluar një debat i ashpër mbi selinë e fondit. Pala gjermane, por edhe vendet e Europës lindore, të cilat përkrahin Berlinin, kërkuan që fondi të ketë selinë në Luksemburg dhe pala greke praktikisht të mos ketë mundësi ta kontrollojë atë.

Kryeministri Alexis Tsipras kundërshtoi ashpër. Kompromisi parasheh që fondi të ketë selinë në Athinë, të administrohet nga grekët dhe të mbikëqyret nga europianët. Gjysma e fitimeve duhet të derdhet për larjen e kredive në Mekanizmin Europian për Stabilizim.

SHKARKO APP