Aeroportet e Prishtinës e Shkupit sfidojnë Rinasin
Aeroportet e vendeve të afërta të rajonit, duket se po kthehen në një konkurrent serioz të aeroportit të Rinasit. Një faakt të tillë e tregojnë të dhënat e fundit të fluturimeve sipas të cilave, konkurrenca paraqitet më e lartë sidomos mes aeroporteve të rajonit, Prishtina, Shkupi e Tiranapër rreth 4 milionë pasagjerë. Kurse Beogradi rezulton se ka rritjen më të madhe për vitin 2014 me më shumë se 4.2 milionë deri në nëntor. Dhe kjo ndoshtapër faktin sepseduke shfrytëzuar përmirësimin e infrastrukturës rrugore rajonale, pistat e vendeve fqinjë (Prishtina, Podgorica, Shkupi) po përdoren si aeroporte dytësore me kosto të ulët.
2013, kryeson Shkupi
Viti 2013 ka shënuar rritje prej 8.68% për numrin total të pasagjerëve që kanë fluturuar drejt dhe nga aeroportet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Podgoricës dhe Beogradit. Në total janë rreth 8 milionë e 580 mijë pasagjerë që figurojnë se kanë prekur aeroportet e rajonit për vitin 2013, duke lënë pas trendin rënës që kishte tregu gjatë vitit 2012 krahasuar me vitin 2011, sipas të dhënave zyrtare që kanë raportuar aeroportet përkatëse, të përpunuara nga “Monitor”. Por, pavarësisht se të gjitha aeroportet e rajonit kanë raportuar rritje të numrit të pasagjerëve, ritmet janë të ndryshme dhe zgjerimin më të madh e ka pasur Aeroporti i Shkupit (18.7%) i ndjekur nga Mali i Zi (10%) ndërkohë që rendimentin më të ulët e kanë regjistruar Prishtina (4.7%) dhe aeroportet e Tiranës dhe Beogradit (5%). Duket se afërsia gjeografike, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe përmasat e vogla të ekonomive të rajonit e bëjnë Ballkanin një treg të përbashkët edhe sa u përket fluturimeve ajrore ndërkombëtare. Teksa rezulton se aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, sipas të dhënave zyrtare, ka pasur rënie në vitin 2012 kur numëronte 1.665.331 pasagjerë krahasuar me vitin 2011 me rreth 1.817.073 pasagjerë. Me gjithë rritjen 5% gjatë 2013 që e çoi në 1.757.342 numrin e pasagjerëve, përsëri nuk është arritur rekordi i 2011-s që mbetet dhe rekordi më i lartë historik i aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë.
Përmirësohen të dhënat 2014
Gjysma e parë e vitit 2014 ka përmirësuar ndjeshëm treguesit për numrin e pasagjerëve. Sipas të dhënave nga Aeroporti i Tiranës, në periudhën janar-qershor të këtij, numri i pasagjerëve është rritur me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 818,643 persona. Ndërkohë, numri i fluturimeve, sipas të dhënave zyrtare të aeroportit, ka shënuar po të njëjtin nivel rënie (-6.8%). Nga më pak se 9200 fluturime që u bënë në 6-mujorin e parë të 2013-s, numri i tyre zbriti në 8558 në gjashtë muaj. Për më tepër, numri i operatorëve në treg është rritur, duke u shtuar 4 operatorë krahasuar me një vit më parë. Nga 12 kompani fluturimi vitin e kaluar, aktualisht ulen e ngrihen avionët e 16 kompanive të huaja.
RAPORTI
Ndarja e tregut, sipas
madhësisë së vendeve
Të dhënat e siguruara mbi numrin e pasagjerëve, sipas aeroporteve, sugjerojnë një ndarje tregu pak a shumë sipas madhësisë së vendeve sipas popullsisë dhe Beogradi është aeroporti më i madh i rajonit nga ku udhëtojnë më shumë se 3.5 milionë pasagjerë në vit. Aeroportet e Tiranës (20-21%) dhe Prishtinës (19%) janë të krahasueshëm nga numri i pasagjerëve, por duke pasur parasysh diferencat e popullsisë rezulton se Prishtina ka një aeroport më atraktiv, ndoshta për shkak edhe të numrit të konsiderueshëm të ndërkombëtarëve. Nëse krahasojmë të dhënat për ndarjen e tregut sipas pasagjerëve rezulton se Shkupi ka njohur rritjen më të madhe për vitin 2013, duke e zgjeruar pjesën e tregut me 2 pikë përqindjeje, duke marrë përkatësisht nga 1 pikë përqindjeje nga aeroportet e Tiranës dhe të Beogradit.
ECURIA
Tirana, rimëkëmbja pas
falimentimit të Belle Air
Në raportimin e rezultateve të vitit 2013 numri i pasagjerëve të Tirana International Airport (TIA) u rrit me 5.5% gjatë vitit 2013. Pavarësisht falimentimit të operatorit kryesor kombëtar BelleAir, zyrtarët deklarojnë se viti i kaluar regjistroi shifra pozitive të pasagjerëve që udhëtojnë nga aeroporti, dhe se viti aktual do të ndjekë të njëjtën ecuri. Aeroporti bën me dije se “shifrat nuk janë shumë të larta në termin e Lëvizjes së Trafikut të Avionëve (ATM), të cilat janë ulur në 2.9% në krahasim me vitin 2012, dhe transporti ajror i mallrave ka shënuar rënie me 4.2%”. Gjatë vitit 2013, linjat ajrore të cilat transportuan shumicën e pasagjerëve për dhe nga Aeroporti i Tiranës, ishin Belle Air (46.7%), Air One (10.9%), Alitalia (9.0%), Austrian Airlines (8.2%) dhe Turkish Airlines (6.9). Aktualisht nga TIA fluturojnë 13 linja ajrore, duke e lidhur kryeqytetin shqiptar me fluturime direkte me 20 destinacione. Pas ndërprerjes së operimeve të BelleAir, tre linja ajrore i janë shtuar listës së linjave që operojnë në aeroport si Blue Panorama, Livingston dhe Meridiana Airlines, ku secila prej tyre ka si destinacion kryesor Italinë.
KRAHASIMI
Prishtina: Po na
konkurron Shkupi
Haldun Firat Kokturk, drejtor i ANP “Adem Jashari” Limak Kosovo dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve, në një intervistë për KosovaPress, është shprehur se “ne jemi në konkurrencë me Aeroportin e Shkupit. Sepse është qeveria e Maqedonisë, ajo që i mbështet mjaft kompanitë ajrore. Në fund të fundit, aeroporti vetvetiu është një biznes i qëndrueshëm, në aspektin ekonomik, edhe pse shifrat e numrit të udhëtarëve mund të ndryshojnë”.
Kokturk, po ashtu thotë se në vitin 2013, përmes ANP-së, kanë udhëtuar 1.6 milionë pasagjerë. Por gjatë këtij viti, sipas tij, ka pasur një recesion, si pasojë e kushteve atmosferike, e po ashtu dhe për shkak të falimentimit të kompanisë ajrore Belle Air, duke bërë që numri i udhëtarëve të mos jetë ai që është pritur. Ndërsa thotë se numri i fluturime për në Zvicër dhe Gjermani, po rriten tashmë nga kompanitë ajrore. Dhe numri i udhëtarëve, të cilët do të udhëtojnë nga Aeroporti i Prishtinës, do të rritet sidomos në vitin 2015. “Aktualisht për vitin 2014 nuk janë në nivelin e kënaqshëm dhe të pritshëm, por janë duke u përmirësuar”, tha ai.