Agron Duka, në drejtimin Partisë Agrare Ambjentaliste
Nga Zenel Çeliku/Partia Agrare Ambjentaliste (PAA), është një forcë politike me përvojë 25- vjeçare, e cila u themelua dhe u drejtua nga lideri historik i kësaj partie, prof. dr. Lufter Xhuveli. PAA-ja, ka qenë një parti parlamentare dhe qeverisëse në 2005-2008, një parti shumë e rëndësishme dhe përcaktuese për qeverisjen e vendit në atë periudhë. PAA është një parti mjaft e njohur në vend, por pa peshë në vitet e fundit. Por politika, ashtu si shumë fusha të tjera, ka suksese, ka rritje, por pëson edhe rënie në votuesit e sajë, e kjo ndodh për shumë e shumë arsye tek të cilat nuk po ndalemi. Pas një periudhe pothuajse asfiksie në jetën dominante të politikës shqiptare, PAA po ndryshon lidershipin me qëllimin për ringritje në ditët e saj më të mira. Lideri historik i kësaj partie, prof. dr. Xhuveli, si një politikan shumë i pjekur dhe i moderuar, tashmë ka vendosur të “trashëgojë” postin e tij të kryetarit të PAA. Qëllimi dhe vendimi i Xhuvelit duhet përshëndetur, sepse në karakter profesori tregon se ka qëllimin e madh, që partinë që ai themeloi 25 vite më parë, ka vendosur ta dorëzojë në dorë të sigurt, te një figurë shumë simpatik, popullore, mjaft energjike, me emër dhe imazh shumë pozitiv, shumë punëtor në angazhimet e tija publike. Pasardhësi i Xhuvelit, veçanërisht është një personalitet në fushën e bujqësisë, gjë që përkon me qëllimin primar që ka PAA. Vendimi fisnik prej një politikani model, shumë i studiuar i prof. Xhuvelit, ka të bëjë me emrin shumë të njohur, Agron Duka, ish-ministër i Bujqësisë dhe aktualisht deputet i Kuvendit. Vendimi dhe qëllimi model i prof. Xhuvelit është vlerësuar pozitivisht dhe në opinion, por edhe është mirëpritur nga strukturat e PAA. Simpatizantët dhe votuesit e PAA-së, duke e respektuar z.Xhuveli për drejtimin 25- vjeçar të partisë së tyre, vallë a kërkojnë me të drejtë ringritjen e PAA-së, që kjo parti të thotë, të ngrejë dhe të mbrojë programin e tyre? Pa dyshim po, por në 8 vite rënie në nivele historike të PAA, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e liderit, ndaj duhet një udhëheqje e re dhe energjike, që PAA ne zgjedhjet e 2017, ta ngrejë lart fjalën e sajë, dhe fjala e sajë të peshojë për çdo krah politik që të fitojë qeverisjen e vendit, pse jo, cilido krah politik të ketë nevojën e PAA në qeverisjen e vendit. Sigurisht, simpatizantët e PAA kërkojnë shumë, ata nuk kanë arritur e as nuk do të arrijnë të kënaqen në planin e përgjithshëm për afro një vit deri në zgjedhjet e ardhshme të 2017. Por, lideri i ri, Agron Duka me një grup bashkëpunëtorësh të ditur, shumë aktiv dhe plot energji, gjithashtu edhe duke marrë nga përvoja e prof. Xhuvelit, i cili do të jetë pjesë e vendimmarrjes edhe në të ardhmen, suksesi i kësaj partie do të jetë në tavolinën e tyre-kjo do ti kënaqë simpatizantët dhe votuesit e PAA, të cilët për një kohë të gjatë 8 -vjecare, dukeshin si të harruar.
Tashmë që Duka është në krye të PAA-së, natyrshëm lindin disa pyetje, çfarë pritet nga udhëheqja e tij në krye të kësaj parti? Çfarë përgjegjësie të madhe do të marrë Duka për ta ngritur PAA-në, në nivele prestigjioze në politikën shqiptare? A do të jetë i suksesshëm Duka në drejtimin e PAA-së, ashtu siç ishte në postin e ministrit të Bujqësisë për afro 7 vjet? Të gjitha këto pyetje dhe të tjera, mendoj se unë do t’i analizoj shumë shkurt, por me shumë objektivitet. Jam besimplotë se Duka do të vejë në punë pa ndërprerje motorët e çdo strukture të PAA-së, duke mos përjashtuar askënd. Agron Duka njihet si një figurë vërtetë shumë e dashur në qytetet Shijak, Durrës, Kavajë dhe Tiranë, pa asnjë dyshim edhe më gjerë, që do të thotë se nga Duka pritet pa dyshim që shumë shpejt të tregojë zhvillime të reja shumë pozitive. Përgjegjësia që Duka ka ndërmarrë është mjaft e madhe, sepse që të jemi realistë, në 8 vitet e fundit PAA-ja ka qenë jashtë Parlamentit, është radhitur tek ato parti që nuk janë votuar, gati-gati ka qenë inegzistente. Në këtë këndvështrim Dukës i duhet shumë punë, përpjekje, mund po edhe sakrificë përsa i përket bizneseve të tij të njohura dhe shumë të suksesshme, të cilat tashmë duhet t’ia delegojë dikujt tjetër. Në karrierën dhe karakterin e tij, z. Duka ka treguar se vërtetë ka qenë mjaft i suksesshëm me punë të ndershme. Ai ka qenë shumë i suksesshëm si ministër Bujqësie, Duka ka treguar se di të punojë dhe të bashkëpunojë mjaft mirë në grup. Ai është shumë kërkues ndaj vetes, por edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij. Pa dyshim, kjo veti, përkushtimi, karakteri dhe karriera e tij për ta pasur zili, na bën të jemi besimplotë se Duka, pa asnjë dyshim do ta ringrejë e ngrejë këtë parti, që Ai po e merr në kuotat zero, por si një përgjegjësi të madhe dhe me shumë seriozitet. Pa hezituar mundet të themi se PAA-ja, suksesin e ka përpara dhe në zgjedhjet e 2017-ës, kjo parti do të jetë parti me disa deputetë në Parlamentin e ardhshëm. PAA me Dukën lider, me siguri do të ketë një përfaqësi shumë pozitive shumë shpejt, gjithsesi, koha do ta vërtetojë një gjë të tillë.