Agron Llakaj sfidon sondazhet/Ja sa mandate marrin PS-PD-LSI në zgjedhje

“Po qesh sepse s’dua të qaj! Nuk dua të dorëzohem duke luftuar mbi të keqen.”

Kështu e përkufizon mjeshtri i humorit Agron Llakaj sfidën që i hap realiteti i cili vjen dhe ikën duke ndryshuar thjesht dhe vetëm një datë në kalendar.

Mes buzëqeshjes, sarkazmës dhe fjalës së thjeshtë, Agroni na ndërton edhe njëherë skemën e rrugëtimit të tij nga skena e vogël e qytetit Memaliaj drejt skenave më të mëdha të metropolit.

Edhe pse ky udhëtim ishte sa i gjatë po aq dhe i bukur, Llakaj nuk ka harruar ta kthejë kokën pas për të parë se si jetojnë bashkëqytetarët e tij, sa janë rritur fëmijët e tyre apo qoftë edhe si agon dielli mbi qytet. Vendlindja është një minierë dashurie për aktorin ku thotë se ka marrë prej saj talentin, thjeshtësinë dhe dashurinë.

Si çdo artist, edhe Llakaj ka një jetë përtej kostumit të rolit apo ngjyrave të skenës. Ai rrëfen në një intervistë të gjatë për gazetën “TemA” mbi shokët, miqtë dhe familjen të cilët i qëndrojnë pranë për të realizuar ëndrrat e vjetra dhe të reja.

Sot ai vjen me dhjetëra role në xhep, qindra duartokitje në kujtime dhe mijra momente emocionuese në shpirt duke na dhënë përmes tyre leksionin se të gjitha ëndrrat mund të behën realitet, nëse ne kemi guxim për t’i ndjekur ato.

Ky është Agron Llakaj, njeriu që përmes artit të tij të bën ta kuptosh botën duke buzëqeshur.

Z. Llakaj, tashmë u bënë vite që jeni prezent në skenë përmes shumë shfaqjesh dhe rolesh. Mund të na flisni pak rreth nostalgjisë që ju prek kur kujtoni fillimet tuaja?

Andrea, karriera ime artistike nuk është e shkëputur nga jeta ime dhe e familjarëve të mi. Mund ta konsideroj si një rrugëtim ku sakrificat e luftës për ta fituar jetën kanë qenë të përbashkëta. Kohët e vështira që kemi kaluar nuk na bëjnë nostalgjikë për të shkuarën por besoj se janë shndërruar në një barometër udhërrëfyes. Ne e dimë prej nga vijmë dhe nuk gabojmë të zgjedhim destinacionin se ku duamë të shkojmë. Fillimet tashmë janë leksiku i brendshëm ose më saktë themeli i ndërtimit tim artistik. Nuk dua të harroj për asnjë moment të shpreh mirënjohjen time për cilindo që ka qenë pjesë e rritjes sime profesionale. Listën shumë emërore mund ta filloj në Memaliaj, pastaj në estradën e parë profesioniste shumë të dashur të Gjirokastrës, dhe me radhë.

Një gjë që më bën përshtypje tek intervistat apo shfaqjet tuaja është lakimi shpesh herë i qytetit Memaliaj. Duket se keni marrë aq shumë dashuri prej tij sa ende nuk ja keni shpërblyer. Keni vite që nuk jetoni më atje, çfarë ju mungon nga vendlindja?

Memaliaj Andrea është qyteti që unë u linda dhe u rrita duke marrë prej tij vetëm dashuri. Nuk e teproj nëse e cilësoj si akademinë e parë të humorit. Miniera e qymyrgurit ishte për mua një thesar sa natyror po aq edhe shpirtëror.  Shumë emra të mirënjohur të artit, sportit dhe jo vetëm i kanë gjurmët prej atij qyteti. Birçe Hasko, Kastriot Çaushi, Mehdi Malkaj, Muhedin Tarka, Foto Strakosha, Mit’hat Shehu, Suvorov Seferi dhe mjaft t ë tjerë, janë emra të vyer që kanë dalë nga ai vend. Nuk jam rastësi, Memaliaj ishte qytet talentesh.

E vizitoni shpesh?

Gjithmonë vrapoj të shkoj atje. Më dhemb kur shoh se si “miniera e dashurisë” është shndërruar në një qytet pa jetë dhe pa të ardhme. Prej kohësh varfëria është ulur këmbëkryq duke pritur zgjedhjet elektorale të cilat sjellin thjesht gënjeshtrën e radhës.
Memaliaj është një dashuri e madhe. Jam krenar për historinë e atij qyteti dhe përderisa është dashuri nuk mund ta ndaj kurrsesi nga vetja dhe publiku im.

Erdhët në Tiranë dhe shkallët e karrierës nisën të ngjiteshin shumë shpejt, kjo falë talentit dhe përkushtimit. Si ishte kjo zhvendosje për juve?

Ardhja në Tiranë ishte detyrim. Metropoli qe e vetmja trase ku mund të bëhesha artist pasi mundësitë që të ofron janë më të mëdha. Nuk përjashtoj punën, talentin dhe mbështetjen e familjes për të mbërritur deri këtu ku jemi. Natyrisht i jam tepër mirënjohës miku të çmuar Filip Çakulit. Mbështetja e tij ishte garanci për të ardhmen time. Ishte Filipi ai që më thirri për të ndryshuar fatin tim. Jam krenar se nuk e kam zhgënjyer.

Sot jemi ne një realitet tjetër dhe ndryshimi është shume i madh. Kam punuar me përkushtim, jam lodhur, munduar, edhe jam thyer ndonjëherë por s’jam kthyer mbrapa. Njoha, më njohën dhe krijova lidhje të reja e të vlefshme artistike.

Me artistët Koço Devole, Pali Kuke, Stefan Gajo, Mond Lako, Vangjel Kozma dhe Jani Duri, krijuam të parën brigadë artistike “Derr brothers group”. Për 6 vjet në Tele-bingon Kombëtare të asaj kohe se bashku me partnerin e talentuar Agim Bajko krijuam mbi 10 orë filma humoristike me metrazh te shkurtër qe u bene vemendja e vetme humoristike ne Shqipëri.

E gjithë kjo mund të quhet si njëlloj shkolle që më dha mundësinë e rritjes dhe pjekurisë artistike. U përpoqa ta shfrytëzoj më së miri në krijimin e show-ve humoristikë “Portokalli” dhe “Al Pazar”.

Ky ishte përfitimi dhe ndryshimi i ardhjes sime në Tiranë.

Agron Llakaj prej vitesh i bën njerëzit të qeshin dhe të harrojnë hallet duke marrë në këmbim duartrokitje. Juve vetë çfarë bëni për të hequr stresin?

S’kam luftuar asnjëherë për të hequr Stresin se s’kam lidhje me të. Ai i ka problemet e hapura me Noyzin. (shaka)
Stresi është pjesë e punës dhe e profesionit. Të krijosh çdo javë gjëra të reja e kalon natyrën e fjalës stres. Gjithsesi ky profesion është dashuri, pasion dhe jetë. Lodhem mjaftueshëm por nuk e ndjej. Kam miq, shokë dhe familjen ku duke e shpërndarë pak tek të gjithë, i bie që s’kam stres fare.

Vrapoj shumë, më saktë eci në natyrë në mëngjes ose në mbrëmje. Nëse humori më ka bërë shumë popullor mes njerëzve, shëtitja nga liqeni ma ka bërë mjaft popullor me qentë. I dëgjoj të lehurat e tyre sa herë që kaloj dhe më duket sikur thonë: “Ja ai!” Ka qen që më simpatizojnë dhe më përkëdhelen, ka nga ata që janë indiferentë me mua, natyrisht ka edhe prej tyre qe s’më duan. Gjithsesi unë respektoj realitetin qenëror. Qentë le të lehin, mua veç kur s’ma mban kthehem mbrapa.

Edhe pse në skenë keni qenë mjaft aktiv, duhet të themi se publikut shqiptar i ka munguar një film me metrazh të gjatë prej jush. Pse nuk e kemi pasur?

Çdo aktor kur mbaron shkollën ëndërron që të luajë në skenë dhe në film. Kam pasur dy-tre opsione për filma me metrazh të gjatë, ku njërin prej tyre e konsumova me te ndjerin Artan Minarolli. Nuk u bë e mundur për shkak se ai iku papritur nga kjo jetë.  Nuk i dihet, besoj se në këto 30 vjet qe vijnë do ta bëj realitet. Oferta nga të tjerë s’kam pasur që të them se i kam refuzuar.

Është një ide për të luajtur në një film kushtuar Ali Pashë Tepelenës. Pengesa është se producentët  s’kanë gjetur ende Vasiliqinë. Kjo më bën të pres. E di që është rol i vështirë por me pak përkushtim do t’ia mbërrij. (Shaka, e kush nuk do të donte të ishte Ali dhe të kishte një Vasiliqi)

Gjithnjë e më tepër shohim artistë të ndryshëm, të cilët zbresin nga skena dhe i bashkohen tubimeve të ndryshme elektorale. Si e shihni këtë situatë?

Kjo është një temë e hershme. Dikur edhe unë jam aktivizuar duke e parë atë si nevojë për të fituar të holla dhe për të mbajtur familjen. Gjithsesi përfshirja ime ishte me një lloj besimi dhe ideali. Ajo që kuptova me kalimin e viteve dhe eksperiencës së fituar, ishte se politika i përdor artistet duke shfrytëzuar popullaritetin e tyre. Si shpërblim i jep shpinën. Nuk jam kundër askujt që bën këtë zgjedhje por mendoj se artistet nuk duhet të jenë bufonë të sistemeve dhe në fund rebelë të saj. Jo, artistët duhet që të jenë rebelë të përjetshëm.

Është arti që ka nevojë për politikën apo politika për artin?

Arti e ka në shënjestër politikën, si një të keqe që bashkëjeton dhe udhëheq jetët tona. Arti i humorit duke i satirizuar, tallur dhe duke mbajtur qëndrim, i bën ata më të përgjegjshëm ose e kundërta. Egoizmi i tyre cinik është i paprekshëm si deri më tani.

 Juve keni pasur ndonjë ofertë për tu future në politikë?

S’kam pasur kurrë ofertë dhe s’do e ndërroja kurrë dashurinë time, humorin. Brenda skenës jam deputet, ministër, kryeministër, president dhe çfarë të më dojë kokrra e qejfit. Nuk mund ta bëj dot atë punë të rëndomtë edhe nëse do të ma kishin ofruar. Përderisa thonë se “politika ështe kurvë”, unë nuk e bëj dot këtë lloj zanati.

Ndryshe nga pjesa tjetër e shoqërisë. artisti ka një lloj përgjegjësie për të qenë pararendës në rast se realiteti bëhet i vështirë. Përpos skenës, çfarë mungon dhe duhet bërë tjetër nga artistët shqiptarë?

Është shumë e lehtë të marrësh penën dhe të shkruash për të dhënë leksion se ç’duhet të bëjë artisti. Unë di që artisti argëton dhe edukon. Jemi në një kohë kur shoqëria po degjeneron deri në palcë të saj. Më duket se jetojmë në kohë turmash. Shiko muzikën, çfarë pëlqehet dhe fol. S’dua ta nxij por realiteti është nxirë jashtë mase shumë.
Po qesh sepse s’dua të qaj! Nuk dua të dorëzohem duke luftuar mbi të keqen.

Përmes artit tuaj z.Llakaj, në një farë mënyre keni zgjedhur të jeni “armik” me të gjitha forcat partiake duke mos mbajtur asnjë kah politik. Pse erdhi kjo zgjedhje?

Përkundrazi, unë i dua të gjitha partitë dhe sidomos PS-në, PD-në dhe LSI-në. Mund të them me siguri se nuk ka në botë si këto tre forca politike. Janë bashkë në qeveri dhe janë të tria kundër njëra-tjetrës. Dinë më së miri të ndajnë pjesën që u takon dhe këtë e dëshmon edhe kjo fushatë.

Më pëlqen shumë Edi Rama, i veçantë dhe unik, me tumane dhe bluza apo këmisha të qëndisura me 2. Show-man, tregon barcaleta, qesh dhe vetë bashkë me to pasi i duket sikur ato që thotë nuk mund t’i bëjë dot askush më mirë se ai. Rama kërkon që timonin ta ketë vetë sepse në katër vjet ja kafshuan tepsinë të tjerët,  kurse ky kafshonte veten me dhëmbë. S’ka rëndësi se ku e kafshonte. Unë them që t’ia japim këtë mundësi dhe pas katër vjetësh të tjera ky pritet të thotë se unë timonin e mora por e mbaja bashke me shokët por ishin ata që nuk dinin ta mbanin timonin. Kështu që aman ma jepni edhe njëherë?  Dhe ne përsëri do t’ia japim!

Më duket se i parashikuat zgjedhjet për 8 vjet përmes kësaj formule…

Po, madje kam edhe një exit pollin tim për datën 25 Qershor. Ja se si e kanë parashikuar të anketuarit e mi:

PS: 71 deputetë.

PD: 60 deputetë.

LSI: 58 deputetë.

Parti të tjera: 30 deputetë.

Pjesëmarrja në zgjedhje: 25%.

Kryeministër teknik:  60% e te anketuarve te mi.

Kryeministër mekanik: 47%

Kryeministër të çmendur: 100%.

Pak ditë më parë, presidentit Bujar Nishani bëri edhe dekorimet e fundit në rolin e kreut të shtetit. Mendoni se këto shpërblime ishin selektive duke harruar një masë të gjerë artistësh të kasës së vjetër që ikin nga kjo botë të pa vlerësuar?

Ka shumë emra në art dhe jo vetëm që meritojnë të vlerësohen. Do të shfrytëzoj një fjali të Koço Devoles gjatë momentit kur mori urdhrin “Mjeshtër i Madh”.

“Zoti president! Faleminderit për dekoratën, por do t’ju sugjeroja që të jeni pak më të kursyer në akordimin e këtyre titujve pasi siç e keni nisur do të vijë një ditë që do të jemi të gjithë mjeshtëra të mëdhenj dhe s’do të kemi asnjë mjeshtër të vogël mes nesh!”

Në Shqipëri koha ka treguar që profesorë ka plot por nxënës kush është?!

 Megjithëse kjo pyetje është bërë klishe nga gazetarët, në gjykimin tim është mjaft e rëndësishme. Cilat janë pengjet e Agron Llakës?

Kjo pyetje është shumë e vlefshme për artistët e moshës së tretë. Unë jam në lule të moshës, ndaj t’i mos e hidh si pyetje. Kur të vijë momenti do të ta kërkoj vetë: Andrea aman atë pyetjen me pengje! (qesh)

Sado që të përpiqemi të zbulojmë jetën tuaj, faqet e gazetës apo minutat televizive ngelen të pamjaftueshme. Keni nisur ndonjë libër auto-biografik për veten? 

Kam kohë që mbledh dhe besoj se në 60 vjetorin tim do ta kem të përfunduar. U sa i madh, 60 vjeç?! Puu… ikin vitet si koqe misri. Hej a e zëmë se jam 37 ?! Mirupafshim! (qesh)

Sa i sinqertë je në atë çka po shkruan?

Për kokën e babit shumë i sinqertë! Se mos do të jem i pari që do të gënjej (qesh) .

Ndonjë pyetje që unë nuk ju bëra por ju kishit dashur ta thoshit?

Çkemi?! (qesh)

Intervistoi Andrea Danglli

SHKARKO APP