Ahmetaj: Eksportet dhe investimet e huaja, rruga e progresit ekonomik

Diversifikimi, si kusht thelbësor i progresit ekonomik, zhvillimi i qëndrueshëm, si aspekt i pandërprerë për ekonominë, duhet të shoqërohen me zgjerimin e bazës për thithjen e investimeve dhe rritjen e eksporteve, theksoi sot ministri Arben Ahmetaj, në Konferencën Përmbyllëse të Programit Veror të Universitetit të Harvardit në Shqipëri, që u organizua nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar (Center for International Development) të Universitetit të Harvardit (SHBA) në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe Drejtorit të Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit Prof. Ricardo Hausmann, etj.

Ahmetaj tha se eksperienca e grupit me 15 studentë që kryejnë studimet pasuniversitare 2-vjecare në Universitetin e Harvardit (SHBA) të ardhur në Shqipëri dhe përfshirja e tyre me studime në koordinim me administratën shtetërore, ka sjellë një frymë të re në realizimin e prioritetit të qeverisë, nxitjen e eksporteve dhe thithjen e investimeve të huaja, si rruga e duhur për zhvillim.

Ahmetaj theksoi 8 aspekte kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit, ku u fokusuan studimet sipas programit me studentët e Harvadrit me administratën shqiptare.

“Analiza e investimeve të huaja direkte, përgatitja e tenderit ndërkombëtar për një zonë të madhe industriale për manifakturën, zhvillimi i sektorit të akuakulturës, që ka shembull pozitiv eksportin e midhjes dhe nën këtë shëmbull dhe zhvillimin e agrobujqësisë, nxitja dhe rritja e eksporteve, turizmi, rritja e eficensës së sektorit të energjisë, të politikave monetare në aspektin fiskal, përfshirja e diasporës si potencial eksperience dhe integrimi rajonal, janë tetë drejtimet kryesore ku u punua ngushtë”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që Shqipëria të marrë nismën për të pasur sjelljen e duhur në treg dhe institucione. Sipas tij, “duhet që të jemi gati para aderimit në BE”.

Tërheqja e IHD-ve sipas ministrit, mbetet objektiv i rëndësishëm për qeverinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe këtij qëllimi i shërben reformimi i AIDA-s.

“Ne brenda 20 ditëve do të celim tenderin ndërkombëtar për zhvillimin e zonës ekonomike industriale, me synim që të jetë qëndra më e madhe e manifakturës në Ballkanin Perëndimor”, tha Ahmetaj.

Duke u ndalur tek të ardhurat në rritje nga turizmi, ministri bëri të ditur se miratimi i ligjit të ri për Turizmin zgjidh problemin e pronësisë dhe zhvillimin e sektorit dhe njoftoi se sapo ka nisur puna me një grup ekspertësh për një ligj për turizmin detar.

Ministri vlerësoi nisjen e network-ut me Diasporën shqiptare si një aset që pritet të ndikojë në sjelljen e përvojave të shqiptarëvë në botë edhe në vendin tonë, një objektiv, për të cilin po punohet në të gjithë sektorët.

Ministri u ndal tek bashkëpunimi rajonal dhe rëndësia që ka zhvillimi i tregut rajonal dhe theksoi rëndësinë që ka rritja e profesionalizimit në administratë, sfidat për të përmirësuar përformancën e punës së saj, përmes të cilës politkëbërja bëhet efiçente.

“Zhvillimi i qëndrueshëm si aspekt i pandërprerë për ekonominë shqiptare, duhet të shoqërohet me zgjerimin e bazës për thithjen e investimeve, rritjen e eksporteve”, tha Ahmetaj.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit, organizoi sot Konferencën Përmbyllëse të Programit Veror të Universitetit të Harvardit në Shqipëri, me temë “Sustaining Albania’s Economic Development: Groëth Opportunities and Challenges”.

SHKARKO APP