AK nis fushatën “Shqipëria s’po ndryshon”.

Aleanca Kuq e Zi ka nisur sot një fushatë politike “Shqipëria s’po ndryshon”, duke prezantuar para 1000 aktivistëve 10 tezat e programit politik.

Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu duke cituar të madhin Gjergj Fishta tha se ky takim i bën bashkë shqiptarët pa dallim feje, “Bajram e Pashkë, Shqipërinë e kemi bashkë”,- iu drejtua ai aktivistëve.

Ndër tezat kryesore lideri i AK-së përmendi bashkimin kombëtar si një nga alternativat, siç tha Spahiu për të shkuar sa më parë në Bruksel. Më tej, ai prezantoi 10 tezat që siç theksoi, bëjnë dallimin e njerëzve që besojnë tek Zoti e Shqipëria, me njerëzit që besojnë tek kuleta.

Spahiu tha se vendi ynë nuk ndryshoi as nga grushti, as nga dy gishtat dhe as nga gishti i “frroços”, duke ju referuar kështu deputetit socialist, Kokëdhima, i cili para disa kohësh u fotografua duke treguar gishtin e mesit në Parlament.

“Na u premtua se Shqipëria po ndryshon por jo, Shqipëria nuk ndryshoi, as me grushtin e komunizmit as me dy gishtat, por as me tre gishtat dhe as me një gisht të (frroços) Koços. Ndaj nxorëm simbolin me shqiponjë për të besuar. Sot vijmë më të konsoliduar, jemi më shumë, kemi më shumë njerëz qytetarë, më shumë njerëz civilë e të arsimuar që të bëjmë dallimin mes njerëzve që besojnë tek zoti e Shqipëria dhe njerëzve që besojnë tek kuleta. Jemi këtu për të thënë se kolonat tona janë një manifest, janë 10 ndryshime për të kuptuar se kush është dallimi”, tha Spahiu në nisje.

Duke prezantuar 10 tezat, Spahiu ftoi çdo shqiptar të bëjë dallimin:

1- Ne e duam një Shqipëri të bashkuar, ata të copëtuar
“Shqiptarët të luftojnë me qeveritë e tyre për të realizuar bashkimin kombëtar. Nuk do tërhiqemi kurrë”. Ne duam bashkimin, ata copëtimin, e duan të vogël sa një çiflig që ta qeverisin. Një Shqipëri e bashkuar do na afronte më shpejt afër Brukselit”,- tha Spahiu

2- Ne duam mandate të përkohshme, ata të përjetshme
“Ne jemi që çdo lider kudo qoftë të jetë i rinovueshëm, të ndryshueshëm. Shqipëria, parlamenti, partitë po mbahen peng nga liderët e pandryshueshëm”,- vijoi Spahiu.

3- Ne jemi për zgjedhje të lira, ata janë për blerje votash
“Shikoni përreth kush flet një fjalë të mirë për ta. Presin ditën e zgjedhjeve që të nxjerrin paratë nga thesi i koncesioneve. Ata vijnë derë më derë e blejnë vota me para”,-shtoi kreu i AK.

4- Ne jemi për një Shqipëri turistike, ata janë për një Shqipëri me koncesion
“Kanë qenë të gjithë pabuksa e japin me koncesion çdo pasuri deri tek bregdeti. Tashmë po e merr sulltan Koço, kopja e shëmtuar e Enver Hoxhës”,- vijoi ai.

5- Ne duam që emigrantë të zgjedhin dhe të zgjidhen
“AK i sheh emigrantët si shqiptarë, ata si turistë”,- shtoi Spahiu.

6- AK do kthim pronash, ata pushtim territoresh
“Ne jemi për një shtet të ndërtuar si fqinjët tanë, për respektimin e pronës, jemi për kthimin e pronave”,- shtoi ai.

7- Ne jemi për ulje taksash, jo për ulje qepenash
“Ne jemi avokatë të biznesit dhe sipërmarrjes, jo të rrënimit të tij”,- shtoi Spahiu.

8-Ne jemi për një shtet të së drejtësh jo një shtet ligjor, ata duan parti-shtet
“Ligje miratonte edhe diktatura, por në emër të ligjit dhunohet e drejta, prona, zemrat tona. Ne jemi për një shtet të së drejtës, ata për korrupsion e burokraci”,- thekso iSpahiu.

9- Ne jemi për Perëndimin, ata për Rusinë

10- Ne duam punësim, Rilindja emigrim. Balkanweb.com

SHKARKO APP