Aksidenti që u kthye në dashuri!
Robert e ndoqi hijen e saj deri sa humbi tej rrugicave të ngushta… Në duar shtrëngonte fort cigaren që ishte drejt fundit. Iu duk vetja si në operan e Cajkovskit ku Liza vdes. Ai e dinte se kjo ishte mbrëmja e fundit që do ta shihte hijen e saj në rrugicë… nuk do të shihte më fletët e saj të punës shpërndarë nëpër tryezë, pardesynë bojë hiri, dhe krehrin e flokëve…Në shtëpi nuk kishte mbetur asnjë kopsë prej saj. Jean I kishte marrë të gjitha. Vetëm kështu ajo mund të shpëtonte prej tij, duke ilënë vetëm kujtesën.
Jean Stafford e njohu për herë të parë Robert Lowell përmes poezive të tij, dhe vetëm pak muaj më vonë ajo do ta ndeshte djaloshin me shtat të lartë në baret e mbrëmjes që frekuentonin “të rinjtë e letrave” në SHBA. Nuk qe e vështirë që ata të ndjenin njëri tjetrin. “Në fillim ndjeva erën e flokëve të saj…” do të shkruante Robert në një nga poezitë e tij të asaj periudhe. Jean, vajza që kishte nisur një karrierë të suksesshme si tregimtare duket se ndjeu që në fillim fundin e kësaj romance. “Ti je tregimi im më I shkurtër”, do të shprehej ajo teksa ai me vargje I shprehte ndjenjat.
“Në historinë e dashurive të letërsisë amerikane, dashuria mes Jean Staford dhe Rober Lowell është ndoshta më torturuesja”, shprehet poeti Anthoni Hecht mik I tyre. Ata vunë kurorë në vitin 1940 . Vetëm dy vjet para martese çifti i përfshi në një aksident automobilistik, i cili ndikoi shumë në jetën dhe krijimtarinë e tyre. Makina drejtohej nga Robert në gjendje të dehur.
Në tregimin “Kështjella brenda meje” Jean rrëfen kthesën që jeta e saj mori pas këtij çasti, se sa kohë iu desh të rimerrte veten nga dhembjet fizike dhe ato shpirtërore. Ky qe ndoshta dhe çasti ku ata vendosën të ndanin bashkë pjesën tjetër të jetës, dhe pse e dinin se bashkëjetesa mes tyre nuk do të qe e lehtë.
“Unë e doja paqëndrueshmërinë e tij”, do të shprehej Jean në një intervistë lidhur me Robert, i cili njihej për gjendjet e tij jo të lehta mendore. Martesa e tyre përfundoi në vitin 1948, një fund që ndikoi në krijimtarinë e secilit. Për gati 10 vjet, ata ndanë bashkë jo vetëm dashurinë, por dhe pikëpamjet për letërsinë dhe çastin e krijimit. Robert Lowell konsiderohet si një nga poetët më të mirë amerikanë.
Gjashtë herë ka qenë laurant i çmimit të poetit më të mirë nga Libraria e Kongresit, ku dhe punoi nga viti 1947-1974. Fitues dy herë i çmimit Pulitzer në vitin 1947-1974, fitues i çmimit Kombëtar të Librit më 1960-tën dhe Çmimit Ndërkombëtar të Kritikës më 1977. Njohja me Jean Stattford ka qenë romanca të cilën ai e kujtoi gjatë…. Jean Stafford është një nga tregimtaret dhe romancierët e njohura amerikane, fituese e çmimit Pulitzier më 1970-tën. Ajo ka lindur më 1 korrik të vitit 1915 në Kaliforni. Romani i saj i parë “Aventurat në Boston” u kthye menjëherë në një best seller, duke i dhënë një vëmendje kombëtare autores së re.
Ajo shkroi dhe dy romane të tjera gjatë karrierës së saj, por shkëlqimi I vërtetë I saj në letra qenë tregimet e shkurtra. Gjatë viteve 1964-1965 ajo ka qënë anëtare e Qendrës për Studime të Avancuara në Universitetin e Wesleyanit. Pas divorcit me poetin Lowell, Jean u martua me fotografin e revistës “Jeta”, Jensen Oliver, martesë e cila do të përfundonte shumë shpejt në divorc. Në kujtimet e saj, ajo shkruan se qetësinë ndoshta e takoi gjatë martesës së tretë me gazetarin e “The New Yorker” A. J. Liebling.
Pas vdekjes së tij ajo ndaloi së shkruari. Statfford ka bërë një jetë mes alkoolit dhe depresionit deri sa mbylli sytë në moshën 63 vjeçare në vitin 1979. Një sërë biografish janë shkruar pas vdekjes së saj. “Tregimet e saj janë kaq shumë frymëzuese, sa menjëherë pasi ke lexuar një prej tyre, ti do të dish diçka më tepër për autoren”, shkruan në parathënien e biografisë “ Zemra e Statfford”, publicistja Charlotte Goodman.
Ndërsa kritiku David Roberts e quan atë si autoren më të mirë femër të kohës kur jetoi. Jean Statfford I përket atij brezi shkrimtarësh që besonin në lidhjen mes vuajtjes dhe të shkruarit. Ndërsa karakteret që ajo krijoi, kërkonin me ngulm ndryshimin, dhe lumturinë në jetët e tyre, autorja bënte të kundërtën në jetën e saj. “Unë nuk mund ti krijoja ata nëse do të isha e lumtur. Unë nuk mund të jem e lumtur për sa kohë shkruaj”, shprehej ajo.
Prirja e Statfford drejt dhembjes duket dhe në fatin e tre martesave të saj. Ndërsa ajo me poetin Lowell konsiderohet si një torturë, me gazetarin Jensen qe e stuhishme dhe plot ankth. Qetësinë ajo shprehet se e gjeti gjatë lidhjes me Liebling, por sapo përqafoi qetësinë ajo nuk shkroi më asnjëherë. “Jeta e saj qe e bukur vëtëm përtej shtëpisë së saj”, shkruajnë biografët. Një nga arsyet pse biografitë letrare janë kthyer në një element biznesi për shumë botues në botë sot, është se ato kanë zëvendësuar në një farë mënyrë romanin e lehtë, ku ofrojnë një jetë plot kolori. Dhe jeta e Statfford është një roman i tillë.
Ajo besoi deri në fund në dhembjen e saj, një dhembje që shpesh herë është e provokuar, por pa të cilën Jean nuk mund të shkruante. Kulmin krijimtaria e saj e ka pasur në vitin 1950, ku shkroi një sërë tregimesh të shkurtra, të cilat u shoqëruan me një kritikë pozitive në shtyp. Në vitet 1960-1970 ajo shkroi vetëm disa tregime dhe një libër të çuditshëm sipas kritikës, “Nëna e historisë”, një intervistë e gjatë me Margaritë Osëald , mamaja e vrasësit të ish presidentit Kenedi. Kritika vijon ti shohë ende tregimet e Statfford si tepër frymëzuese dhe të vërteta. “Në to ndjehet zemra e saj”, shkruan “Washington Post”.
Kjo ishte Jean, fytyra që fshihet nën flokët e verdhë, të cilët pëlqenin alkoolin, por që kur mbi to kalonte lehtë krehrin, ajo ndjente se dhembja po e transformonte, por nuk u ndal, për hir të dashurisë së saj më të madhe, të shkruarit….Ajo i dha jetë tregimit modern amerikan dhe e bëri atë të jetonte në pak rreshta. “Tregimi tek unë nis gjithnjë pasi kam gjetur në mëndje fundin e tij”, shprehej ajo. Ndoshta se, Jean besonte se fundi, ndonjëherë është thjesht fillimi…