AKU zhbllokon aktivitetin e kompanisë SORI-AL: Parametrat e higjenës brenda normave të lejuara
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zhbllokuar aktivitetin e kompanisë së kateringut ”SORI-AL”. Aktiviteti i kompanisë ”SORI-AL” ishte bllokuar pas helmimit të 52 studentëve te Akademia e Sigurisë në Sauk. Po ashtu kjo kompani ishte gjobitur me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Vendimi për zhbllokimin e aktivitetit të kompanisë erdhi pasi analizat e mostrave për higjenën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjenës.
Njoftimi i plotë
Në vijim të njoftimeve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në lidhje me ndjekjen e rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, bëjnë me dije se, AKU kreu procedurën e marrjes së mostrave për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së Garnizonit, të Forcave te Armatosura.
Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV , informojmë që kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës. Referuar këtyre raport- provave është kryer procedura e inspektimit në adresat brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk, Tiranë dhe brenda ambienteve te Garnizonit, te Forcave te Armatosura, Tiranë.
Në përfundim të procedurës AKU kreu zhbllokimin e aktivitetit të subjektit SORI-AL, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi.
KOHA JONË SONDAZH

