Alarm në Aeroportin e Mynihut për shkak të dronëve: mijëra pasagjerë të bllokuar gjatë natës
Një incident i pazakontë ndodhi në Aeroportin e Mynihut mbrëmjen e kaluar, kur të paktën dy dronë u vunë re duke fluturuar mbi pistat e aeroportit. Policia federale njoftoi se rreth orës 21:28 (ora lokale) dy patrulla raportuan njëkohësisht praninë e dronëve mbi pistën veriore dhe atë jugore. Menjëherë autoritetet vendosën mbylljen e aeroportit si masë sigurie, duke prekur rreth 6,500 pasagjerë.
Dronët ndryshuan kursin dhe u zhdukën pa lënë gjurmë, ndërsa ende nuk është bërë e qartë përmasat e tyre apo kush i manovroi. Hetimet janë në vazhdim.
Mbyllja e aeroportit, i dyti më i madh në Gjermani, shkaktoi anulimin dhe shtyrjen e dhjetëra fluturimeve.
23 fluturime hyrëse u devijuan në aeroportet e Shtutgartit dhe Nurembergut.
12 fluturime hyrëse u anuluan.
Nga nisjet, 46 fluturime u anuluan ose shtynë për sot.
Në shumë raste, udhëtarët kishin hipur tashmë në avion dhe u detyruan të zbrisnin përsëri. Qindra pasagjerë kaluan natën në terminale, pasi nuk arritën të vazhdonin udhëtimin e tyre. Aeroporti njoftoi se, ashtu si natën e kaluar, u vendosën shtretër kampingu, batanije, ushqime dhe pije për të prekurit.
Aeroporti u rihap në orën 05:00 të mëngjesit, duke rikthyer gradualisht operacionet normale.
Rreziku i dronëve për sigurinë ajrore
Kjo ngjarje e vë sërish në qendër të debatit rrezikun e përdorimit të dronëve pranë aeroporteve. Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar shpesh se dronët mund të shkaktojnë aksidente të rënda nëse përplasen me avionë gjatë ngritjes apo uljes. Çdo ndërhyrje e tillë konsiderohet kërcënim serioz për sigurinë publike dhe ndalohet rreptësisht nga ligji.
Hetimet pritet të zbardhin se kush qëndron pas këtij incidenti dhe nëse kemi të bëjmë me një akt të qëllimshëm apo thjesht një shkelje të pakujdesshme.
KOHA JONË SONDAZH

