Alban Kondi: Fjalët e fundit të Florit, “po shoh Zotin, po fluturoj tek ai”

“Ende më duket e pabesueshme, por realiteti është ky dhe duhet të përballemi edhe me këtë humbje”, është shprehur Albani.

E nëse koha do të kthehej pas, pavarësisht se vëllai i Florit nuk e preferon diçka të tillë, “sigurisht që do të kishin ndryshuar shumë gjëra”, deklaron Albani, i cili shton se “gjërat ndodhin për një arsye dhe një ditë do të merret shpjegim edhe për to”. Por gjëja kryesore që ai do të kishte bërë ndryshe, do të ishte “gjithçka për ta mbajtur atë në jetë”.

Me Florin, Albani ka kujtime të shumta, të paharrueshme, për shkak se kanë qenë vëllezër shumë të lidhur, brenda e jashtë shtëpisë. “Kam kujtime të tij që nga fëmijëria e deri në ditët e fundit”, shprehet vëllai i Dr. Florit, pasi “ai ishte një vëlla që falte shumë dashuri nga vetja. Këshillat e tij kanë qenë tepër të vlefshme si në aspektin personal, edhe atë artistik. Ai kuronte gjithmonë krijimtarinë time, por njëkohësisht më linte edhe shumë hapësira në krijimtarinë e vet”.

Bashkëpunimet dhe projektet kanë qenë të shumta, qoftë të publikuara, edhe ato që janë nisur dhe që priteshin të nxirreshin në të ardhmen. “Më kujtohet mami, që më ka thënë se vëllai – me të cilin kisha 5 vjet diferencë – ishte tepër i dashur dhe i kujdesshëm për mua, aspak xheloz, por me ndjesinë e prindit për mua”.

Në art, Flori nuk bënte kompromis në krijimtarinë e tij, tregon Albani, madje shpesh herë dilte edhe kundër çdo lloj parashikimi. “Flori i thoshte gjërat ashtu siç i ndiente dhe nuk kishte për synim të ishte i famshëm. Thjesht të shprehte gjithë vizionin dhe botëkuptimin e tij, për të lënë mesazhe për brezat e rinj, si ata bashkëkohorë me të, por edhe ata që e dëgjonin”.

“Ka qenë një frymëzim i madh për mua, por edhe për shumë njerëz të tjerë”, thotë Albani. Sa i përket projekteve, ato të papërfunduarat janë tashmë në duart e vëllait të tij Albanit, i cili premton se do t’i përshpejtojë sa të mundet për t’i reklamuar të gjitha. Sipas tij, janë këngë me tekste dhe mesazhe shumë të forta.

Momentet më të bukura prej tij janë të shumta, si familjare, edhe në aspektin skenik. “Kujtoj se kur i thashë për herë të parë që dua të merrem me muzikë, më qeshi dhe më tha se nuk do të ndihmonte për asgjë, ose të bëhesha, ose jo.

Më kontrollonte të isha gjithnjë i vërtetë me muzikën time. Një tjetër moment, ardhja në jetë e vajzës së tij Kaltrina, por edhe ai i të birit, Danielit. Ka qenë tepër i lumtur dhe i emocionuar”.

Por ajo që duhet të ndodhë tani, sipas Albanit, është përgjegjësia dhe vazhdimësia për përkujdesjen ndaj familjes së tij, të cilën e konsideron si të tijën. Në fakt duhet përkujdesje edhe për nënën, e cila si çdo nënë për fëmijën e saj, është lënduar shumë me humbjen e Florit.

Albani premton se do t’i rikthehet fuqishëm studios dhe muzikës, për të bërë publike të gjithë pjesën e papublikuar të punëve të tij. “Kënga mbi gjithçka” është hiti më i preferuar për Florin, – tregon Albani – jo vetëm si krijimtari, por sepse atë e ndiente me shpirt. Për të kënga ishte mbi çdo gjë tjetër. “Shpesh kam qenë kritik ndaj tij, sepse ai ishte shumë i guximshëm për punët e veta, ndërsa unë gjithmonë isha më i tërhequr. E ndaloja shpesh dhe i thoja se mos po nxitohej, por bënte sikur më dëgjonte, e nga ana tjetër vepronte siç dinte. Shumë herë ka fituar ndaj meje”.

Por si nis një ditë e Albanit tani, pas humbjes së Dr Florit? “Me të kam qenë shumë i lidhur dhe do ta mbaj në zemër sa të kem jetë. Çdo ditë më duket sikur flas me të, më duket sikur më dëgjon, por edhe sikur më flet në mënyra të ndryshme. Është humbje e madhe për mua, por jetoj me shpresën se një ditë do ta takoj sërish, kjo më bën edhe më të fortë. Ishim të dy besimtarë dhe unë do të mbetem. Flori e donte Zotin dhe ishte shumë i lidhur me kishën dhe shërbesat e kryera aty. Dhuronte shpesh gjak, ishte aktiv në çdo nismë sociale”. Megjithatë, jeta nuk mbaron këtu – thotë Albani. – Jeta vazhdon dhe një ditë ne do të takohemi sërish. Mesazhi im për Florin, nëse po na dëgjon tani? Prehu në paqe aty ku je, sepse unë do të kujdesem që çdo gjë të shkojë në vendin e vet!

SHKARKO APP