Albanologjia shqiptare kërkon një kryeministër
Nga Nuri Dragoj/Albanologjia shqiptare është shkenca për të cilën Shqipëria ka më shumë nevojë, pasi historia e kombit shqiptar ende nuk është trajtuar në gjerësinë dhe thellësinë e kërkuar, nuk janë ndriçuar si duhet marrëdhëniet e tij me fqinjët, çështjet e gjuhës dhe probleme të tjera. Dhe kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me pamundësinë e shkencëtarëve shqiptarë, por mbi të gjitha me mungesën e një strategjie të qartë për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj shkence, me moskushtimin e vëmendjes së duhur nga drejtues të ministrive të linjës dhe të shtetit në tërësi, me mungesën e fondeve të nevojshme, mospërgatitjen e specialistëve në gjuhët e vjetra si osmanisht, greqisht, latinisht, por edhe të tjera, për të sjellë dokumente të panjohura që ruhen në arkivat e huaja, prej nga mund të arrihet në përfundime të reja.
Albanologjia shqiptare ka nevojë për një kryeministër që të kuptojë rëndësinë e saj, të hartojë plane e programe për sot e përspektivën, me qëllim që kjo shkencë, me specialistët e vetë, por edhe me ndihmën e albanologëve të huajë, të thonë të vërtetën historike në lidhje me çështjen shqiptare. Në këtë kuadër, studiues të huaj, dashamirës të Shqipërisë, jo vetëm që duhen kontaktuar por edhe financuar, në funksion të interesave tona kombëtare. Kujdesi i kryeministrit ka të bëjë me plotësimin e nevojave financiare të institucionit të albanologjisë, dhe pas kësaj, me kërkesën e llogarisë për të bërë më shumë prej albanologëve, pasi punimet e tyre i shërbejnë edhe qeverisë. Njohja e të kaluarës historike të kombit, analiza shkencore e historike e ngjarjeve do t’i shërbente politikës për t’u orinetuar më mirë në mbrojtje të interesave kombëtare por dhe në hartimin e politikave të nevojshme në dobi të përparimit ekonomik e social të shoqërisë shqiptare. Dhe konkretisht, i nevojitet për të hartuar një platformë më të qartë e të plotë të politikës së saj të zhvillimit, brenda dhe jashtë vendit, për ndërtimin e marëdhënieve dhe krijimin e raporteve të duhura me shtetet e tjera ballkanike, europiane e më gjerë, në dobi të shqiptarëve.
Financimi i sektorit të albanologjisë nuk kërkon vlera të mëdha monetare që të venë në vështirësi shtetin, pasi në një farë mase kërkesat janë simbolike, dhe siç thotë një studiues, mjafton që të pakësohen abuzimet e pushtetarëve me 10 për qind dhe gjithçka është e zgjidhur. Për mungesë fondesh ka mbetur në mes procesi i dixhitalizmit të bibliotekës albanologjike, e dyta për nga madhësia në Shqipëri, pas Bibliotekës Kombëtare. Për të njëjtin shkak, Arkivi i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, pjesa më e madhe e atij fondi, nuk mund të shfrytëzohet nga studiuesit, pasi mungojnë mjediset për sistemimin e tij. Dokuementet e arkivit janë ngjeshur në bodrume, duke venë në dyshim të nesërmen e tyre. Si çështja e bibliotekës, ashtu dhe ajo e arkivit, do të ishin zgjidhur me mbështetjen e donatorëve të huajë, fonde të cilat u siguruan nga vet Instituti i Historisë, por më në fund projekti dështoi, për shkak se qeveria ndryshoi destinacionin e mjedisit ku ato do të sistemoheshin.
Financimi i shklencës është rentabël
Kur bëhet fjalë për financim në sektor rentabël të ekonomisë apo shkencës, nuk duhet patur parasysh vetëm sa para të reja gjeneron investimi në fjalë, pasi investimi në shkencë t’i kthen fitimet në forma të tjera, në mënyrë indirekte, duke konsoliduar identitetin e kombit, pasi në këtë mënyrë konsolidohet biznesi dhe gjithë ekonomia. Si mund të përparojë shkenca e albanologjisë, kur dy njohës të osmanishtes janë larguar nga institucioni studimor për t’u marrë me mësimdhënie, kur ka mbetur vetëm një studiues që njeh gjuhët e vjetra, kur nuk ka zyra të mjaftueshme për punonjësit shkencorë, madje dhe ato aktuale janë pa ngrohje, në një kohë që institucione të tjera më pak efektive oshëtijnë nga kondicionerët, etj. Të gjitha këto ndodhin për shkak të mungesës së financave, të pagave tepër të ulëta. Aktualisht një profesor në fushën e albanologjisë merr pagë më të ulët se një doktor shkencash në Kosovë, punimin e të cilit e kanë udhëhequr profesorët tanë. Merr më pak se çdo profesor që jep mësim në universitet, ndaj dhe detyrohen të gjejnë ndonjë shteg të mundshëm dhe në mësimdhënie. Shumë prej punimeve shkencore, autorët e këtij institucioni janë të detyruar t’i botojnë me të ardhurat e pagës mujore, për mungesë fondesh nga shteti. Janë prurë nga arkivat e huaja një mori dokumentesh, për të cilat nevojiten para që të sistemohen dhe të bëhen të shfrytëzueshme për studiuesit, në të kundërt dhe puna e bërë shkon dëm. Të gjitha këto japin ndikimin e tyre negativ.
Albanologjia shqiptare ka luajtur rol të vlerësuar në njohjen e historisë së popullit shqiptar, hershmërisë së tij në këto troje, gjuhës dhe kulturës së trashëguar në shekuj. Për të kanë punuar studiues të huajë dhe të vendit, të cilët kanë zbardhur mjaft çështje të panjohura më parë, si në aspektin e lashtësisë së kombit shqiptar, të gjuhës dhe kulturës, zbulimeve arkeologjike e tjera. Ndihmesa e dhënë nga Tunman për prejardhjen e popullit shqiptar dhe gjuhës shqipe, u bë shkak për trajtimin e kësaj çështjeje mbi baza më shkencore, të cilat u zhvilluan më tej nga Hann, Lik, Pouqueville, Bue, Hekar etj. Studimet erdhën duke u thelluar pas çlirimit, pasi krahas ngritjes dhe fuqizimit të institucioneve shqiptare që operonin në fushën e albanologjisë, iu kushtua rëndësi lidhjeve të tyre me albanologë të huaj, gjë që ndikoi pozitivisht në hulumtimin e mëtejshëm dhe pasurimin e kësaj shkence në dobi të popullit shqiptar. Megjithatë ka ende çështje të errëta, periudha historike të pa zbardhura, botime të huaja që mund të mos e thonë të vërtetën historike, pasi nuk mund të pranohet mungesa e të folurës e të shkruarës së gjuhës ilirishte dhe të mbizotërojë në kërkimet arkeologjike e ashtuquatura “periudha heleneke”. Studiues gjermanë e cilësojnë gjuhën shqipe ndër 6 gjuhët më të vjetra, ata amerikanë e rendisin ndër 12 gjuhët më të vjetra. Nuk është çështja për të pretenduar gjëra të paqena, por për të kërkuar më tej, pasi aktualisht shqipja renditet në krye të pemës së gjuhëve indoeuropiane.
Me krijimin e Institutit të Historisë e Gjuhësisë, në vitin 1955, dhe ngritjen e sektorëve të arkeologjisë, historisë së lashtë, historisë së mesme, të historisë së sotme të Shqipërisë, të historisë së arkitekturës dhe të artit, të etnografisë, u zgjerua dhe gama e problemeve që duhej të trajtoheshin. Hapja e këtyre sektorëve studimor me rëndësi për Albanologjinë u shoqërua me shtimin e numrit të specialistëve të fushave përkatëse, rriti cilësinë e studimeve dhe për pasojë u zgjerua veprimtaria botuese, duke shtruar njëkohësisht nevojën e krijimit të dy organeve shkencore.
Pas vitit 1990, punimet e publikuara nga studiuesit janë relativisht të xhveshura nga ndikimet politike dhe të shoqëruara me fusnote nga burime arkivore të vendit dhe sidomos nga arkivat e huaja, të cilat kanë qenë të pamundura për t’u shfrytëzuar gjatë sistemit njëpartiak. Vënia në dispozicion të studiuesve shqiptarë të burimeve të shumta nga arkivat italiane, franceze, austro-hungareze, angleze, amerikane etj., ndikojnë pozitivisht në krijimin e një mendimi më të qartë për zhvillimet historike, duke i parë ato pa pasion. Megjithse vërehet qartë qëndrimi i ftohtë në trajtimin e çështjeve dhe ngjarjeve të ndryshme, duhet pranuar që ende ka studiues të pa çliruar tërësisht nga kompleksiteti politik dhe tendenca për t’i trajtuar ngjarjet, duke i parë në një kënd të caktuar dhe jo tërësisht me paanësi.
Botimet e Aleks Budës, Eqerem Çabejt, Androkli Kostallarit, Stefanaq Pollos, Kristo Frashërit, Muin Çamit, Arben Putos, Hasan Cekës dhe shumë sudiuesve të tjerë të fushës së historisë, gjuhësisë, etnografisë, arkeologjisë etj., janë pasuri që e vlen të studiohet dhe të punohet për zgjerimin, përmirësimin dhe plotësimin e mëtejshëm të problematikës që ato trajtojnë. Natyrisht, pas vitit 2008, si cilësia e botimeve, ashtu edhe ftohtësia në trajtimin e ngjarjeve ka evoluar, gjë që premton për hartimin e një historie bashkëkohore, duke e ndriçuar më mirë historiografinë shqiptare, pasi Qendra e Studimeve Albanologjike ka specialistë të njohur dhe me kapacitet e duhura për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme zhvillimit të kësaj shkence.
Në këto 10 vite studiuesit e albanologjisë kanë bërë punë serioze, kërkesa ndaj tyre ka qenë e madhe dhe rezultati është pasqyruar në botime të rëndësishme për fushën e historisë, jo vetëm nga autorë të veçantë, por edhe si insititucion. Të tilla janë botimet e bëra nga akademik Beqir Meta, nga prof. dr. Pëllumb Xhufi, Marenglen Verli, Ana Lalaj, Ferit Duka, Fatmira Musaj, Eriketa Kambo, Muharrem Dezhgiu, Hamit Kaba, Ledia Dushku, Sonila Boçi, Edmond Malaj etj. Vend të veçantë zë botimi i dokumenteve austrohungareze, dalja në dy vëllime e punimit shkencor me autor të vendit dhe të huaj, referuar në konferencën ndërkombëtare që u zhvillua në kuadër të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Botimi i fjalorit të Gjuhës Shqipe nën kujdesin e prof. dr. Valter Memishaj, studime të tjera në fushën e gjuhësisë, folklorit dhe arkeologjisë, botimi i kujtimeve të personaliteteve shqiptare si ato të Ismail Qemalit, Eqerem Vlorës, Syrja Vlorës, Sejfi Vllamasit e shumë të tjerë, shërbejnë për të plotësuar apo sqaruar momente të ndryshme historike.
Por ende ka shumë për të bërë. Botimi i kolanës së dokumenteve austrohungareze për periudhën e viteve 1913-1918 ka mbetur në mes për mungesë financimi, për të cilat besoj se nuk duhen më shumë se 25 milionë lekë. Kjo do të ndihmonte shumë studiues, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, të cilët nuk e kanë komoditetin të rrinë me ditë të tëra në Tiranë dhe të punojnë në arkiv, i cili nuk afron mjedise pune. Ka ardhur koha që për këtë sektor me rëndësi të shkencës, të bëjë më shumë kujdes dhe qeveria. Nëse osmanologët do të paguheshin normalisht, besoj se nuk do të kishin shkuar lektorë në universitet, por do të punonin në arkivat osmane për të na sjellë diçka të re. Qeveria mund të vërë dorë për kualifikime të reja në këtë fushë, duke marrë studentë të mirë nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe t’i specializojë për gjuhët e vjetra, osmanisht, greqisht, latinisht, pse jo dhe serbisht, madje të paguhen që studentë, të kontraktohen për të punuar në këtë sektor, ku të shpërblehen mirë dhe t’u kërkohet punë, gjë që ia vlen.
E themi këtë sepse shpesh herë jemi të detyruar t’u referohemi albanologëve të huaj, të cilët kanë dhënë ndihmesë reale në njohjen e çështjes shqiptare, por jo në çdo rast i kanë paraqitur me vërtetësi zhvillimet historike. Shprehja popullore “i zoti e nxjerr gomarin nga balta”, ka vlerë edhe për këtë rast, ndaj duhen përgatitur shqiptarët që të shkruajnë historinë e tyre. Të përgatisim studiues të rinjë që ta duan vendin dhe ta thonë të vërtetën pa frikë. Përulja ndaj të huajës është shoqëruar përherë me faturë të lartë për interest tona kombëtare.
Ende nuk po mundim të dalim nga praktikat e zbatuara në sistemin e diktaturës së proletariatit, e cila përbënte në vetvete një totalitarizëm të tmerrshëm, që zhduku mendimin intelektual të pavarur dhe bëri që gjithçka t’i besohej një personi, njëlloj si besimi te Krijuesi. Kjo frymë u përcoll në gjithë jetën shoqërore, duke dëmtuar rëndë të ardhmen e fëmijëve. Politika shqiptare e ka të vështirë të pajtohet me mendimin e përparuar intelektual, për një shoqëri të emancipuar, me njerëz të ditur dhe të përgjegjshëm në administratë, por rendet pas interesave të ngushta partiake e klanore, duke shkelur jo rrallë herë edhe mbi interesat madhore të kombit. Prandaj thuhet që kërkimi i të vërtetës nga gjithkush ndikon në çlirimin e njeriut nga amullia në të cilën është zhytur. Vetëm njohja e së vërtetës e bënë atë të ndërgjegjshëm për pasojat që sjell errësira, e keqja që ka mbërthyer ekonominë dhe kulturën e këtij vendi. Partitë kanë brenda vetes njerëz të fuqishëm ekonomikisht, të cilët ndikojnë në hartimin e politikave të shtetit, në mënyrën e kompozimit të ligjeve të tij, imponojnë shoqërinë me anë të propagandës në media, bëjnë gjithçka që gënjeshtrën ta bëjnë sa më të besueshme, ta kthejnë atë në të vërtetë të padiskutueshme, duke e vështirësuar edhe më shumë mundësinë e dobësimit të së keqes në duel me të mirën. Për këtë duhet të rritet niveli i mediave elektonike te shkruar, të shkëputen nga ndikimi politik, pasi siç vinte në dukje filozofi austriak Karl Popper, “rreziku numër një i demokracive tona është tjetërsimi i funksionit të mediave, shtypit dhe televizionit në radhë të parë”.
Studimet albanologjike lidhen me indetitetin kombëtar
Ka shumë probleme që kërkojnë zgjidhje prej albanologjisë, nëse gjen mbështetje të plotë nga shteti. Pushtuesit e Shqipërisë në shekuj, për të shpërbërë indetitetin e këtij vendi, kanë ndërruar shumë emra të fshatrave, qyteteve, maleve, kodrave, fushave, lumenjve etj, me të cilët duket se jemi ambjentuar dhe nuk na bëjnë më përshtypje. Mbase mund të bëhet diçka për kthimin e tyre në indetitet, pasi toponimet janë pjesë e dallimit të një kombi nga një tjetër. Një gjë të tillë fqinjët tanë e kanë bërë me kohë, madje me qëllime të mbrapshta, jo për të ruajtur, por për të fshehur indetitetin e kombeve të tjerë. Për rikthimin e emrave shqiptarë janë bërë përpjekje edhe më parë, ndonëse pa sukses. Ahmet Zogu në vitin 1938 urdhëroi të bëhej një studim për të ndërruar emrat e vendosura me dhunë gjatë kohës së pushtimit të Perandorisë Bullgare në shekujt VIII-XII, i cili u konretizua në letër, por nuk u zbatua në praktikë. Listat e ndërrimit të emrave për prefektura e nënprefektura të ndryshme ruhen edhe sot në Arkivin Qëndror të Shtetit. Një tjetër përpjekje është bërë pas çlirimit dhe përsëri nuk u bë gjë, pasi inisiatorët u tërhoqën përballë presionit të fqinjëve, sidomos prej “popullit vëlla sllav”. Por kjo nuk do të thotë që çështja të lihet pas dore dhe të mos bëhen përpjekje të reja, kur ne pretendojmë të realizojmë bashkimin e trojeve kombëtare. Korrigjimi i tyre nuk është ndonjë mëkat, por vetëm rregullim i diçkaje të bërë gabim.
Branko Merxhani, gati 90 vjet më parë theksonte se “një komb ekziston vetëm atëherë kur fillon të shqetësohet për fatin e tij”! Dihet që fati i shqiptarëve shpesh është nëpërkëmbur nga fqinjët. Branisllav Nushiq, shkrimtar, etnograf dhe diplomat serb, me origjinë nga gjaku shqiptar, më 1902 shkruante se sllavët ua ndërruan fizionominë vendeve të kolonizuara, “duke përmbysë ose zëvendësuar me të rinj emrat e vendeve, lumenjve dhe kodrave”. Gati të njëjtën gjë thekson dhe historiani serb, Konstantin Jireçek, i cili më 1952, shkroi se “modifikimi i emrave antikë është kryer ose sipas rregullave të njohura gjuhësore, ose ashtu që emrit të vjetër i është vënë kuptimi sipas tingëllimit të ngjashëm të fjalës sllave”. Mbase për këtë shkak, Robert Orben, nënvizonte: “Të huajtë gjithmonë kanë sjellë probleme në Ballkan, nëse nuk besoni, pyetni shqiptarët”! Kjo është një çështje, por të tilla ka shumë. Ato nevojitet të shtrohen në tavolinën e zgjidhjes.