Alternativa ndaj euros për Greqinë
Geuro? Prej shumë kohësh në lidhje me Greqinë është duke u diskutuar për hedhjen në treg të një monedhe paralele. Në një rast të tillë Greqisë nuk do t'i duhej të largohej nga eurozona.
Në fund të qershorit Greqia duhet të shlyejë një kredi miliardëshe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Por si duket tani gjërat, vendi nuk do të jetë në gjendje për ta bërë këtë. Në të njëjtën kohë donatorët ende nuk po i lëvrojnë kredi që shkojnë vlerën 7,2 miliardë euro për shkak se nuk janë të kënaqur me angazhimet për reforma të qeverisë greke.
Për këtë arsye prej shumë kohësh është duke diskutuar për hedhjen në treg të një monedhe paralele. Në një rast të tillë Greqisë nuk do t'i duhet të largohet nga eurozona dhe qeveria do të jetë në gjendje për të paguar pagat e punonjësve civilë. Monedha paralele do të jetë një lloj deklaratë borxhi e qeverisë, me të cilën mund të bëhen transaksione të tjera.
Geuro, pra euro greke, propozoi tre vjet më parë Thomas Mayer si emër për monedhën e re. Mayer ishte asokohe kryeekonomisti i Deutsche Bank, sot ai është themelues dhe drejtor i Institutit të Kërkimeve Flossbach von Storch në Këln.
Edhe ekonomisti grek dhe laureati i çmimit Nobel Christopher Pissaridis e konsideron një monedhë paralele si "një masë masë të përkohshme" në rast se shteti nuk do të mund të paguajë më pagat dhe pensionet.
Bankat heshtin
Pyetjes së Deutsche Welles në lidhje me mundësinë e një monedhe paralele, si Bank of Greece, Banka Qendore Evropiane (BQE) apo Banka Federale Gjermane, nuk iu përgjigjën ose iu shmagën.
Ngurrimi i bankierëve të bankave qendrore është i kuptueshëm. Për ta, euroja është paraja e vetme zyrtare dhe diskutimi i alternativave konsiderohet gjithmonë sikur po flitet për fundin e bashkimit monetar në formën e tanishme. Ndërkohë ka kohë që në qarkullim ka monedha të shumta paralele, por vetëm në nivel rajonal. Në Gjermani ka p.sh. që nga viti 2003 një monedhë rajonale, chiemgauer, e cila filloi si një projekt i një shkolle Waldorf.
Fare e thjeshtë
Në parim futja e një monedhe paralele nuk është e vështirë, thotë Frank Jansky, avokat dhe kryetar i shoqatës Regiogeld e.V. "Për këtë duhen disa sipërmarrje që janë të gatshme që krahas euros të pranojnë edhe një monedhë tjetër – pra paranë rajonale", thotë ai. "Po ashtu duhen edhe konsumatorë që janë të gatshëm ta përdorin këtë para."
Shoqata e monedhës rajonale chiemgauer ka sot 6.000 anëtarë, ndër ta 600 sipërmarrje dhe 250 shoqata joqeveritare. Edhe në Zvicër ka një monedhë paralele WIR që ekziston prej 80 vjetësh dhe pranohet nga 45.000 sipërmarrje të vogla dhe të mesme.
Qëllimi i këtyre parave është forcimi i ekonomisë rajonale, sepse ato nuk mund të përdoren jashtë rajonit. P.sh. në rast se një bukëpjekës vendos të përdorë në vend të euros monedhën rajonale, atëhere ai për të blerë miellin duhet të gjejë një firmë nga rajoni që e pranon gjithashtu këtë monedhë. Ose e blen energjinë apo i riparon aparatet që i duhen vetëm tek firmat që veprojnë në rajon dhe e pranojnë këtë monedhë. Ky model është interesant për zonat me zhvillim të pakët, sepse nxit prodhimin rajonal.
E mundshme edhe për Greqinë, por …
Frank Jansky mendon se një monedhë e tillë paralele do të ishte një gjë e mirë dhe për Greqinë, apo për rajone të tjera në Evropë, ku ekonomia nuk i përgjigjet dot nivelit të euros. Por sipas tij një gjë e tillë, e cila do të sillte me vete demokratizimin e sistemit monetar dhe nuk ka nevojë për përqindje interesi, është e padëshirueshme nga politika. Gjithësesi për Greqinë do të nevojitej një monedhë paralele për të gjithë vendin, edhe pse aty ka rajone me zhvillim të ndryshëm. Kjo për shkak se fjala është për gjetjen e alternativave për të paguar rrogat dhe pensionet në të gjithë vendin. Banka qendrore e Greqisë deklaroi për DW-në se ajo nuk mund të përdorë kartmonedhat e dikurshm të dhrahmisë, sepse pas futjes së euros ato thuajse të gjitha janë eliminuar.