Altin Bojni: “Besimin e qytetarëve do ta përkthejmë në punë për Matin”
Kandidati fitues i Partisë Socialiste për bashkinë e Matit, Altin Bojni, u shpreh i emocionuar pas fitores në zgjedhjet vendore të së dielës, duke garantuar angazhim të palëkundur për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.
“Një emocion i veçantë, por sot dua të falënderoj të gjithë banorët e bashkisë Mat për besimin dhe mbështetjen që na kanë dhënë”, deklaroi Bojni menjëherë pas shpalljes së rezultatit.
Ai theksoi se mbështetja e qytetarëve përbën një përgjegjësi të madhe, të cilën synon ta përkthejë në punë konkrete për komunitetin: “Kjo mbështetje është një përgjegjësi e madhe që duhet ta përkthejmë në shumë punë për gjithë komunitetin tonë, që punët e mira të mos ndalen dhe e ardhmja të jetë më e mirë. Me këtë ritëm do të vazhdojmë përpara që bashkia jonë të jetë sa më mirë.”
Bojni premtoi vijimin e projekteve madhore për Matin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë banorët e bashkisë.
Altin Bojni fitoi me 66,54% të votave, duke siguruar 7.425 vota. Ai la pas kandidatin e pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike, Eduart Brahilika, i cili mori 28,54% (3.184 vota), dhe kandidaten e pavarur Suzana Pasha, me 4,92% (549 vota).
KOHA JONË SONDAZH

