Amanetet e pambajtura
Nga Ilir Levonja/Nuk e di se çfarë ka ndërmend qeveria me lëndën kulturë fetare, pasi po kërkoj edhe në webin e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri. Dhe nuk po gjej asgjë. Ndërsa vet Kryeministri ka dhënë një shpjegim përmes një statuti të një publicisti shqiptar, Ardian Vehbiu. Të cilin pak vite më parë (2014) edhe e nderoi me një nga çmimet e përvitshme letrare që jep Ministria e Kulturës. Çmimin Ardian Klosi. Ne kemi kohë që bëjmë shtet të shokëve dhe të miqve. Dhe aty shqiptarët kanë zënë të përleshen me njëri-tjetrin, mbi të mirat dhe jo të mirat që sjell futja e kulturës fetare në shkolla. Ose se sa është në fakt përqindja e myslimanëve në Shqipëri. Dhe sa e besimeve të tjera. Çfarë të mirash ka një falje namazi. Dhe përse janë kaq imponues tashmë njerëzit e besimeve etj.
Do të ishte e mirë që, ide të tilla të vinin nga poshtë. Nga grupe pune mësuesish. Të cilat të shërbenin edhe në ato kualifikimet me shumicë që bëjnë në Shqipëri në lidhje me doktoraturat. Por tek shpesh idetë hidhen nga sipër… Dhe ata poshtë si gjithmonë vetëm sa aplikojnë. Madje fillojnë edhe i përvishen punës se si të bindin sa më shpejt njerëzit mbi domosdoshmërinë e kësaj apo asaj ideje të hedhur prej njëshit.
Kështu ndodhi edhe në Shqipërinë e vitit 1968-të. Enver Hoxha shpiku tezën feja është opium për popujt. Dhe rinia mori kazmat. Nga ana tjetër sot e kësaj dite ky revolucion kulturor i dedikohet asaj. Rinisë shqiptare të atyre viteve. Objektet e kultit, pjesa dërrmuese u rrafshuan. Madje klerikët, edhe pse mes tyre kishte revolucionarë të mirëfilltë, u shpallën lebrozët e shoqërisë. Sidomos kleri katolik i Shkodrës e malsisë rreth saj. Ndërkohë klerikë ordodoksë e myslimanë në jug të vendit, u kthyen në murgjër brenda banesave të tyre.
Mirëpo mësuesit vet, profesorët, akademikët janë më të politizuar se vet politika. Kjo për arsyen e thjesht, rrogën. Eshtë një shtresë e tërë krijuese, hartues tekstesh, disiplinash. Apo përshtjatje të niveleve arsimore nga Europa dhe bota në përgjithësi, që janë të nënshtruar. Duhet thënë të gjithë të trysnizuar. Të infektuar me sëmundjen e shitjes së personalitetit drejt zyrave të qeveriut. Këtu ka të drejtë ai, buçkoja nga Korça, që me ato videot e tija të përditshme…, si kastraveca, pjata fasulesh, zagarësh rrugësh. Që u thotë shqiptarëve se edhe unë isha me Berishën, por në 92 -shin ama. Tashmë ka kaluar njëzet e pesë vjet dhe gjykimi e rreshtimi si 92-shin është vërtet stanjacion.
Por mësuesit vet, profesorët, akademikët kanë mendjen tek listat emërore që do i afrojnë partisë këtë apo atë sezon të ri. Si të furnizojnë partinë me gjak të ri. Dhe se këta e meritojnë të kenë këtë apo atë iks post drejtues në të ardhmen. Kështu që, i bie… se, unë të rregulloj e mbroj ty, dhe ti mua. Sa për dispencat, disiplinat shkencore, kushtet e të tjera pret puna e shkollës. Ndaj kjo është arsyeja që me të drejtë një nga kuratorët bashkëkohor të historisë së letrave shqipe. Edhe ky i huaj…, Robert Els thotë se ne shqiptarët kemi më shumë parulla se histori.
Megjithatë nisur nga një ndjesi e vrarë, them lëreni ta bëj. Le të përfshihen aty misionarët e besimive në vendin tonë. Të rinjtë kanë nevojë të mësojnë. Se si e predikonin gjyshërit tanë fenë. Dhe si e predikojnë këta. Si visheshin gjyshërit tanë klerikë dhe si vishen këta të sotshmit. Të tregojmë të vërteta e mëdha që nga reformat agrare të dovletit, tek e drejta e armë mbajtjes. Kujt besimi i lejohej dhe kujt nuk i lejohej etj. Strategjitë e Anadollit etj.
I kemi borxhe martirëve si Negovani. Të cilit akoma nuk ia kemi mbledhur gjakun. Amanen e tij.