Ambasadorët dhe aleanca anti-reformë

 

Nga Skënder Minxhozi

Gjatë ditës së martë, ambasadori amerikan në Tiranë është angazhuar në dy deklarata publike, të cilat kishin të bënin që të dyja me reformën në drejtësi. Ai ka pasur tone kërcënuese për të gjithë ata që tentojnë të pengojnë reformën në drejtësi, e kjo gjatë ditës së djeshme u pa kryesisht si një mesazh që ai i drejtoi opozitës, por edhe kryeprokurorit Llalla dhe ministrit të drejtësisë Manjani. Opozita ka deklaruar tashmë se nuk e pranon draftin aktual të reformës dhe se do të donte një skemë tjetër për reformimin e drejtësisë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Llalla, i cili vijon t’i mëshojë idesë se kjo reformë po godet pavarësinë e sistemit, duke marrë edhe mbështetjen e habitshme të ministrit Manjani, i cili deklaroi se nuk duhet të ketë reformë në drejtësi, pa u konsultuar me trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në sytë e diplomatëve perëndimorë, kryesisht ambasadorit Lu dhe ambasadores Vlahutin, të cilët janë investuar totalisht në kalimin e draftit aktual të reformës në drejtësi, me kalimin e muajve është bërë i qartë dhe i identifikueshëm fronti anti-reformë. I cili nis nga zërat e artikuluar brenda sistemit, ku dallohen krerët e disa prej institucioneve të drejtësisë, për të kaluar tek oponenca e hapur e Presidentit Nishani, për të vazhduar tek opozita e djathtë, e deri tek një sektor i mazhorancës, i cili identifikohet nën zë me eksponentë të LSI. Duket sikur afrimi me momentin e votimit të paketës së drejtësisë, po identifikon gjithnjë e më qartë aleancat fluide, shumicat e heshtura dhe gjithë atë masë personash të veshur me pushtet, që për një arsye a një tjetër, nuk do të donin që kjo reformë madhore të shihte dritën e diellit.

Në disa muaj debatesh që kanë qenë në më të shumtën e rasteve të motivuara nga interesa të vogla politike, është parë qartë sesa i ndryshëm e hipokrit ka qenë pozicionimi i klasës politike ndaj dy proceseve, të cilat ishin dhe janë të ngjashme në disa aspekte dhe të cilat kanë ecur thuajse paralelisht drejt formësimit të tyre në letër: reformës në drejtësi dhe ligjit të dekriminalizimit. Çfarë nuk është thënë për parlamentin kriminel, për bashkiakët tutorë dhe vrasës, për infiltrimin e krimit në politikë me anë të listave të kandidatëve etj etj. Një pjesë jo e vogël e këtij arsyetimi ka qenë dhe vazhdon të jetë i mbështetur në fakte dhe i mishëruar në legjislacionin e ri që sapo mori mbështetje konsensuale.

Por kur puna vjen tek reforma tjetër, dukshëm më e rëndësishme, më afatgjatë dhe më delikate, e cila kërkon të ribëjë sistemin e ndryshkur e të korruptuar të drejtësisë, një pjesë e politikës shqiptare po tërhiqet, po fut shkopinj në rrota, po bën kauzë të përbashkët me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Paçka se, si në rastin e dekriminalizimit, diplomatët kryesorë të Perëndimit, të cilët përfaqësojnë pas vetes qeveri dhe institucione shumëpalëshe, kanë pasur të njëjtin vullnet për t’i çuar gjërat përpara. Përse Donald Lu ishte një aleat i vyer për Lulzim Bashën, kur sulmonte bashkiakët dhe deputetët e Ramës, kurse sot, i njëjti ambasador duket sikur flet me shurdhët, teksa kërkon kalimin e reformës në drejtësi?! Cila është arsyeja që u arrit kaq shpejt pastrimi i radhëve të politikës nga barërat e këqia, por vijon të jetë thuajse e pamundur që të preket korporata e krimit në drejtësi?!

Këto pyetje përbëjnë sot thelbin e problemit që mban peng reformën në drejtësi. Hartimi i paketës dhe avancimi i saj drejt momentit të votës, po zbulon se ata që e kanë pasur prej vitesh nën kontroll politik drejtësinë shqiptare, janë sot pengesa kryesore që kërkon ta ruajë atë edhe nga sulmet e hapura dhe të ashpra të përfaqësuesve zyrartarë të Perëndimit? Mesa duket drejtësia është një çelës i artë, që mban mbyllur derën e ndëshkimit për zullumet e klasës politike shqiptare në 25 vjetët e fundit. Dhe për sa kohë që kjo garanci vijon të jetë në këmbë, as opozita dhe as segmente të caktuara brenda pozitës, nuk do të pranojnë që trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve batakçinj të lenë postet ku ka bërë miliona, duke shitur drejtësinë. Jo duke ja dhënë atë atij që ka të drejtën me vete.

Donald Lu dhe Romana Vllahutin kanë rastin të prekin sot me dorë jo vetëm përmasat e krizës së thellë ku ndodhet sistemi i drejtësisë, por të shohin në dritën e diellit edhe sponsorët politikë të këtij sistemi të kalbur. Aleanca e shenjtë kundër reformës në drejtësi është vënë në veprim “me kapacitet të plotë”. Të shohim deri ku do të rezistojnë. (Java)

SHKARKO APP