Ambasadori i ri i Meksikës në Shqipëri, Valencia nis mandatin me fokus te bashkëpunimi dypalësh
Ambasadori i ri i Meksikës në Shqipëri, Genaro Fausto Lozano Valencia, ka nisur zyrtarisht mandatin, duke zhvilluar takime me drejtuesit e institucioneve shqiptare dhe me komunitetin meksikan në vend.
Presidenti Bajram Begaj, pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri, ndërsa gjatë ceremonisë u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Meksikës, si dhe u shpreh gatishmëria për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ambasadori Valencia u prit edhe nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Gjatë takimit u theksua rëndësia e mbajtjes së kontakteve të rregullta të nivelit të lartë, forcimit të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fushat ekonomike, tregtare, kulturore dhe turistike.
Në një intervistë për Top Channel ambasadori u shpreh se ndihet i entuziazmuar për nisjen e misionit të tij në Shqipëri dhe për mundësinë për të kontribuar në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ai vlerësoi gjithashtu komunitetin meksikan në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një urë lidhëse mes dy vendeve dhe një përfaqësues dinjitoz të kulturës meksikane. Mandati i ambasadorit të ri pritet t’i japë një shtysë të re zhvillimit të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Meksikës.
KOHA JONË SONDAZH

