Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka reaguar për ngjarjet e fundit në vend, duke theksuar papranueshmërinë e dhunës gjatë protestave, por edhe domosdoshmërinë që institucionet të kenë kapacitetet e duhura për të dëgjuar dhe trajtuar pakënaqësitë e qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, ambasadorja u shpreh se protestat e dhunshme nuk kanë vend në demokraci, ndërsa theksoi se qytetarët duhet t’i adresojnë shqetësimet e tyre përmes institucioneve demokratike.
Sofia Moreira de Sousa u shpreh:
“Në Shqipëri dhe në disa vende të Europës po shohim protesta të dhunshme. Kjo nuk mund të ndodhë në demokraci dhe nuk duhet të ndodhë në vendet ku ne mbrojmë demokracinë. Nuk duhet të ketë dhunë në rrugë. Pakënaqësitë e qytetarëve duhet të adresohen në institucionet demokratike.
Nga ana tjetër, institucionet duhet të kenë kapacitetet e duhura për të treguar se mund t’i trajtojnë pakënaqësitë e qytetarëve. Pra, kjo është një punë e madhe që duhet të bëjnë politikanët dhe nëpunësit civilë për të forcuar kapacitetet e institucioneve në adresimin e këtyre pakënaqësive. Ne nuk e shohim këtë te dhuna që po përshkallëzohet.
Duhet të angazhohemi me rininë, shoqërinë civile dhe çdo qytetar për t’u shpjeguar rregullat e lojës në demokraci. Këto rregulla nuk kanë të bëjnë me shkatërrimin e pasurisë publike dhe private, por me forcimin e ligjeve dhe rregullave që mundësojnë adresimin e pakënaqësive. Ka vende të caktuara ku njerëzit duhet të luftojnë për atë që besojnë dhe këto vende janë institucionet”.
Edhe bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, Antonio Mazzeo, u ndal te situata e ditëve të fundit në vend, duke e cilësuar dhunën si të papranueshme.
Gjatë fjalës së tij, Mazzeo preku edhe çështje të tjera të rëndësishme, si reforma territoriale dhe paraburgimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Raporti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës flet për disa çështje, siç është praktika e tejzgjatur e paraburgimit për kryetarët e bashkive, duke iu referuar gjithashtu edhe vëzhgimeve të Komisionit të Venecias.
Ne, si përfaqësues të autonomisë vendore, e vërejmë me shumë kujdes atë që po ndodh me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, duke përsëritur rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të pavarësisë së gjyqësorit”, tha Mazzeo.
