Ambasadorja e BE-së takohet me kreun e KLP-së: Drejtësia e fortë, kusht për të ardhmen e Shqipërisë në BE
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, u takua me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani me të cilën diskutoi për përgjegjshmërinë institucionale dhe vijimin e reformës në drejtësi.
Diplomatja europiane vuri theksin tek fakti që BE do të vazhdojë të mbështesë institucione të forta të drejtësisë që janë të përgjegjshme, të pavarura dhe efikase. Këto, sipas diplomates, përbëjnë një kontribut në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimin Europian.
”Një sistem i fortë drejtësie është thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në takimin tim me Mirela Bogdanin, kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, diskutuam përparësitë kryesore të sistemit të prokurorisë në Shqipëri, përfshirë përgjegjshmërinë institucionale dhe vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Theksova se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë institucione të drejtësisë të forta, të përgjegjshme, të pavarura dhe efikase, duke kontribuar në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe në besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë”,-shkruan ambasadorja në një postim në X.

